LAJMI I FUNDIT:

PTK zbret tarifat për telefoninë fikse – thirrjet ndërkombëtare bien për 30 %

PTK zbret tarifat për telefoninë fikse – thirrjet ndërkombëtare bien për 30 %

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) të premten ka lansuar në treg produktin më të ri, atë të kartelave me parapagim për telefoninë fikse në vlerë prej 5 dhe 10 euro, e cila do të mundësojë biseda cilësore brenda rrjetit nacional dhe çmime deri 30 për qind më të lira për thirrjet ndërkombëtare.

“Me kartelat me parapagim, bisedat ndërkombëtare janë 30 për qind më të lira të cilat mund të zhvillohen nga çdo telefon fiks i lidhur në rrjetin e Telekomit të Kosovës dhe konsumatori në çdo kohë mund ta dijë se sa ka shpenzuar”, tha drejtori i Telekomit të Kosovës, Hazbi Dervisholli.

Një produkt i tillë sipas Dervishollit ka kohë që përdorët në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa në vend u mundësua pas zbatimit të fazës së dytë të modernizimit të infrastrukturës telekomunikuese në kuadër të rrjetit qendror të PTK-së.

Konsumatorët për të bërë thirrje përmes kartelave fikse me parapagim duhet thirrur numrin 0 800 000, duhet shtypur numrin 12 shifror të kartelës dhe tastin #. Po ashtu, duhet shtypur PIN-i (sipas dëshirës së konsumatorit) pesë shifror dhe përsëri tastin #. Ndërsa, në fund duhet shtypur numri që dëshiron të thirret dhe tasti #.


Gjatë konferencës së mbajtur për shtyp, zyrtarët e PTK-së njoftuan se kanë ulur edhe çmimin e foltoreve publike me parapagim dhe ato me ndërmjetësues në pikat e shitjes së PTK-së.

“Ulja e çmimeve vjen si rezultat i ndryshimit të tarifave për foltoret publike: call set-up (ngarkesës për inicim të thirrjes), unifikimi i tarifave dhe zonave në rrjet nacional të TK-së, dhe ulje e çmimit të thirrjeve ndërkombëtare”, tha Demir Limaj ushtrues detyre i drejtorit të Shitjes në PTK.

"Derisa çmimet e vjetra për shfrytëzim të këtyre shërbimeve kanë qenë 23 cent (me TVSH) ndërsa për kabina 10 cent për foltore, çmimet e reja për “call set-up” janë zbritur rreth 50 %, që do të thotë se thirrjet në foltoret me parapagim (kartela) janë 0.5 cent, ndërkaq në foltoret me ndërmjetësues (kabinat) 10 cent”. /Telegrafi/