LAJMI I FUNDIT:

Qeveria reagon për humbjen e parave të Trustit Pensional

Qeveria reagon për humbjen e parave të Trustit Pensional

Qeveria e Kosovës do të intervenojë që paratë e kursimeve pensionale të kthehen gradualisht në Kosovë dhe të futën në veprim të ekonomisë së vendit. Ndërsa, Banka Qendrore e Kosovës ka vendosur që do të marrin masat e nevojshme ndaj Trsutit.

Pas publikimeve të gazetes Express se vlera e aksioneve të trustit ka rënë ndjeshëm, kanë reaguar akterët e lidhur direkt apo indirekt me trustin. Tash, rrugëzgjidhje parashihet liberalizimi i tregut. Pra, punëtorët kosovarë do të kontribojnë ku t’ua merr mendja atyre, e jo në formë obligative vetëm në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Por, ky trust duket se nuk do të kalojë edhe aq lehtë.

Bashkim Isufi, ushtrues detyre i sekretarit permanent në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave tha se ligjet për liberalizimin e tregut të fondeve janë duke u finalizuar. Ndërsa ato ekzistuese me kalimin e kohës do të modifikohen.
Në rastin e Trsutit ai thotë se ka për obligim të ruaj dhe të investojë në vende të sigurta që të mos humbin paratë e qytetarëve.

Por aktualisht Qerveria, thotë ai, nuk ka kompetenca t`i përzihet Bordit të Drejtorëve të Trustit Pensional dhe nuk guxon të ndërhyjë direkt.


“Qeveria do të intervenojë që ato para të kthehen gradualisht në Kosovë dhe të futën në veprim të ekonomisë së vendit”, tha sekretari Isufi.

Paratë që kosovarët i kursejnë për pleqërinë e tyre në trust kanë humbur shumë në vlerë 6 muajtë e fundit. Tash vlera ka rënë në 1.12 për aksion nga 1.27 sa ishte në fund të vitit të kaluar. E vlera e aksioneve është më e ulët se kontributet aktualisht.

Bazuar në ecurinë e katër vjetëve të fundit, vetëm për të pasur vlerë të njëjtë me kontributet, çmimi i një aksioni duhet të jetë 1.15 euro. Gjendja katastrofale ka bërë që Banka Qendrore e Kosovës, së cilës edhe i jep llogari trusti, po mundohet t’ia gjejë qaren kësaj pune.

Bujar Abdullahu, nga Banka Qendrore tha se Guvernatori Hashim Rexhepi ka mbajtur mbledhje me drejtuesit e tjerë të kësaj banke dhe kanë vendosur që do të marrin masat e nevojshme ndaj Trsutit të cilat do të bëhen publike më vonë dhe pas disa mbledhjeve tjera.

“Jemi të vetëdijshëm për humbjet por në takimet që do të kemi me drejtuesit e Trsutit do t`i shqyrtojmë këto punë”, tha Abdullahu. Sipas tij, kthimi i fondeve të Trustit ka filluar të bëhet ngadalë.

Në anën tjetër Dardan Sejdiu, drejtor i Trustit Slloveno Kosovar, tha se sistemi pensional në Kosovë duhet të evoluojë në mënyrë që të jetë në përputhje me nevojat e kursimtarit dhe në të njëjtën kohë fondet e sistemit pensional të shfrytëzohen në mënyrë të duhur për zhvillimin ekonomik të vendit duke krijuar vegla të ndryshme për investime në Kosovë.

“Është interesante të potencohet që reformimi i sistemit pensional në Kosovë ka filluar shumë më herët se në vendet tjera të rajonit, si me Kroacinë dhe Maqedoninë, por tani Kosova çalon, pra këto vende kanë ecur shumë shpejt në vendosjen e një sistemi të qëndrueshëm pensional”, tha Sejdiu.

Në shumicën e vendeve të rajonit, shtylla obligative është e hapur për konkurrencë dhe në dy vendet janë vendosur mekanizma adekuat që lejojnë fondet pensionale të investojnë më shumë në vendet tyre përkatëse, dhe ky duhet të jetë rrugëtimi i Kosovës gjithashtu. Kosovarët në mënyrë obligative duhet të kursejnë 5 për qind të pagës në TKPK, e 5 për qind të tjera punëdhënësit e tyre. Deri tash janë kursyer 291 milionë euro, që nga viti 2003.

Rreth 95 për qind të atyre mjeteve janë të investuara në tregjet financiare evropiane. E 60 për qind e fondit menaxhohet nga Vanguard. Mjetet e investuara jashtë e kanë marrë teposhtëzën 6 muajt e fundit.(Gazeta Express)