LAJMI I FUNDIT:

Limaj merr 35 milionë euro të tjera për rrugë

Limaj merr 35 milionë euro të tjera për rrugë

Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, me në krye ministrin Fatmir Limaj, do ti ketë edhe 35 milionë euro të tjera shtesë nga rishikimi që iu bë buxhetit për këtë gjashtëmujor, i cili u prezentua të martën në Kuvendin e Kosovës.

“Me këtë veprim duhet të mbuloheshin përgjegjësitë për shtetin e ri, dhe nevojat e paparashikuara pas pavarësisë. Dhe tashmë kemi 111 milionë e 700 mijë euro shtesë për segmentet e tjera”, ka thënë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, 22 milionë janë nga rritja e të hyrave doganore, ndërsa 4 milionë euro janë nga të hyrat komunale dhe shërbime tjera.

“Rishikimi i buxhetit për këtë periudhë ka të bëjë me alokimin e mjeteve shtesë në disa ministri dhe sektorë të ndryshëm, por edhe për tërheqjen e disa projekteve që mund të presin”, ka thënë Shala.


Nga rishikimi i buxhetit rreth 1 milion do të shkojnë për Ministrinë e Jashtme, 3.4 milionë për Ministrinë e Brendshme , të cilat duhen për prodhimin dokumenteve të reja për qytetarët, 2 milionë për licencimin arsimtarëve, 7.8 për Ministrinë e Shëndetësisë për barnat esenciale , 42 milionë për nevojat e zhvillimit të KEK-ut dhe importimit të rrymës për vjeshtë dhe 35 milionë euro për Ministrinë d Transporteve.

“Në buxhetin e Kosovës tani kemi pasur të hyra më të mëdha në krahasim me vitin e kaluar dhe këto mjete do të shkojnë në shëndetësi, rrugë, energji etj”, tha kryeministri Hashim Thaçi.

Por, partitë opozitare parlamentare kritikuan këtë rishikim dhe dislokim të mjeteve buxhetore në segmente të ndryshme. Kritikat më të mëdha erdhën nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti Ardian Gjini, tha se projekti buxhetit reflekton me konceptin Qeverisë së tashme. Sipas tij, ky rishikim, tërheqjet në disa raste nga disa projekte dhe shtesë për disa të tjera, do të ketë ndikim esencial në donatorët nga Konferenca e Donatorëve dhe, sipas tij, ka donatorë që i kanë thënë qeverisë të ketë kujdes.
“Ky buxhet tregon se qeveria po largohet nga projektet afatgjate siç është autostrada, e po orientohet nëpër rrugica”, tha Gjini.

Edhe Lulëzim Zeneli, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, tha se partia e tij nuk e përkrah këtë rishikim, pasi sipas tij, me këtë po reflektohen edhe një herë shqetësimet e opozitës se kjo qeveri e ka të vështirë të qeverisë vendin në kushte normale dhe me këtë vizion vepron mbi baza jo të shëndosha.

“Ky rishikim i buxhetit demanton deklarimet e zotimet, të cilat me shumë agresivitet janë paraqitur para opinionit”, tha Zeneli. Seanca e Kuvendit për miratimin e buxhetit pritet të vazhdojë. /Telegrafi/