LAJMI I FUNDIT:

Fried: Suksesi ekonomik i Kosovës varet nga Qeveria e saj

Fried: Suksesi ekonomik i Kosovës varet nga Qeveria e saj

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të angazhuara në të gjitha aspektet në Kosovë. Kështu është shprehur ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Daniel Fried, i cili shtoi se edhe pjesëmarrja e amerikanëve në misionin EULEX në Kosovë është diçka që ndodh për herë të parë.

Frid, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka thënë se suksesi ekonomik i Kosovës do të varet nga ato që do të bëjë Qeveria e saj dhe jo nga kundërshtimi i vendeve që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës.

I pyetur se çfarë ndikimi do të ketë për të ardhmen e Kosovës, kundërshtimi i Rusisë për pavarësinë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB-së, Fried ka thënë se i vjen keq që Rusia nuk ka luajtur një rol konstruktiv. “Ky qëndrimi rus ka shërbyer për të forcuar krahun radikal serb. Por në të ardhmen afatgjatë nuk mendoj se do të ketë ndikim të madh për të ardhmen e Kosovës”.

“Ekonomia e Kosovës do të varet nga qëndrimet dhe masat që do të marrë vetë qeveria e Kosovës dhe biznesmenët e Kosovës dhe jo nga çfarë qëndrimi do të mbajë Rusia”, ka potencuar ai.


Konferenca e donatorëve në Bruksel, sipas Friedit, ishte një sukses i madh, duke siguruar rreth 2 miliardë dollarë ndihma. “Ky është një fillim i mirë. Tani i takon qeverisë të zhvillojë infrastrukturën, të tërheqë investimet e huaja dhe të vërë në lëvizje ekonominë. Sa më e fortë të jetë Kosova, aq më pak të afta do të jenë forcat e jashtme për shkaktuar probleme”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/