LAJMI I FUNDIT:

Polson: Ngadalësimi ekonomik në SHBA edhe disa muaj

Polson: Ngadalësimi ekonomik në SHBA edhe disa muaj

Sekretari amerikan i Thesarit Henri Polson tha se ai pret që ngadalësimi ekonomik në Amerikë të vazhdojë edhe disa muaj para se të shihen shenja përmirësimi.

Në qendër të problemeve ekonomike, tha zoti Polson, është kriza me tregun e shtëpive, që është shoqëruar me rënien e çmimeve të pasurive të patundshme, pakësimin e volumit të ndërtimit të shtëpive të reja si dhe shqetësimet rreth stabilitetit të sektorit bankar.

Duke folur të dielën në rrjetet televizive amerikane, zoti Polson tha se ai pret që Kongresi të miratojë një paketë ndihmash federale për dy agjencitë e mëdha huadhënëse Feni Mej dhe Fredi Mek.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio të shtunën, Presidenti Bush i kërkoi Kongresit që të veprojë me shpejtësi për planin e Departamentit të Thesarit, i cili do të zgjeronte aftësitë huadhënëse të dy agjencive si dhe do të lejonte qeverinë të ndërhynte duke blerë aksione të tyre në se do të lindte nevoja. /VOA/