LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët e RTP kërkojnë kthimin e pronave

Punëtorët e RTP kërkojnë kthimin e pronave

Ish punëtorët e Radio Televizionit të Prishtinës, të premten kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës me qëllim rikthimin e tyre në pronat e këtij televizioni dhe vendet e tyre të punës. Kjo protestë e sotme do të pasohet me një protestë tjetër të shtunën në orën 15 e 15 minuta, orë kjo e cila përkujton pushtimin e RTP-së nga policia dhe ushtria serbe.

Kryetari i Bordit të drejtorëve të RTP-së, Qerim Ujkani tha se protesta e mbajtur sot njëherësh shënon edhe 18 vjetorin e mbylljes me dhunë të RTP-së nga Serbia.

"Derisa përvjetorët tjerë i kemi mbajtur kur Kosova ishte nën administrimin e administratës ndërkombëtare kjo njëheresh shënon edhe përvjetorin e parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.

Ai po ashtu tha se shpresojnë që Qeveria e Republikës do i trajtojë punëtoret e RTP-së ashtu sic meritojnë.


“I gjithë dokumentacioni dhe e tërë prona është e jona e po ashtu titullar i vetëm i gjithë asaj që ka qenë nën administrim të AKM-së jemi ne”.

Qerimi tha se sa i përket kontestit ligjor që kanë me RTK-në e cila pa asnjë bazë ligjore shfrytëzon objektet dhe pronat e RTP-së, shpresojnë së gjykata do vendos të drejtën.

“Njëherësh RTP-ja sot shënon edhe 63 vjetorin e themelimit dhe shpresojmë se cështjen ligjore që kemi ta zgjedhim sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Kryetari I Bordit të drejtorëve të RTP-së deklaroi se të shtunën në orën 15 e 15 minuta është koha kur forcat ushtarake policore serbe larguan me dhunë punëtorët nga objektet e RTP-së./Telegrafi/