LAJMI I FUNDIT:

Industria automobilistike gjermane investon në Kosovë

Industria automobilistike gjermane investon në Kosovë

Industria automobilistike gjermane do të fillojë investimet në Kosovë dhe ky premtim është bërë të mërkurën nga përfaqësuesit e kompanisë gjermane “Dräxlmaier”, gjatë një takimi që këta të fundit kanë pasur me kryeministrin Hashim Thaçi.

Ky projekt pritet të startoj në muajin gusht të këtij viti në Prishtinë dhe do të prodhojë sisteme elektrike për industrinë e automobilave. Investimi do të krijojë për fillim 100 vende pune.

“Në gusht të vitit 2008 “Dräxlmaier” do ta fillojë një prodhim pilot në Prishtinë, që ka të bëjë me prodhimin e sistemeve elektrike më moderne për industrinë e automobilave. Ky projekt do të testohet me ndihmën e një ekipi pilot prej 100 punëtorëve, nismë kjo që pritet të krijojë 500 vende të reja pune deri në fund të vitit 2009”, ka thënë Scheidhammer Georg, menaxheri i Kompanisë së njohur gjermane “Dräxlmaier”.

Kryeministri Thaçi nga ana tjetër tha se ka inkurajuar kompaninë ‘Dräxlmaier’ që të investojë në Kosovë.


“Pas shpalljes se pavarësisë, Kosovës po i hapen mundësi të shumta për zhvillim, punësim dhe prosperitet të gjithëmbarshëm. Qeveria e Kosovës, ka bërë progres të dukshëm në krijimin e një ambienti të favorshëm për biznes, ambient i përshtatshëm për investime, gjenerimin e vendeve të reja të punës, kooperimin rajonal si dhe rritjen e efikasitetit institucional në përgjithësi”, ka deklaruar kryeministri Thaçi. /Telegrafi/