LAJMI I FUNDIT:

Çeku kundër shtrenjtimit, KEK-u thotë se rritja është vetem 1.8 për qind

Çeku kundër shtrenjtimit, KEK-u thotë se rritja është vetem 1.8 për qind

Partia Social Demokrate në krye me Agim Çekun kanë shprehur pakënaqësi me vendimin e Bordit të ZRRE-së, për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike, sepse ky vendim do të ndikojë direkt në jetën e qytetarëve dhe gjendjen e tyre sociale.

Për këtë qëllim kjo parti i ka bërë thirje ZRRE-së që ta rishqyrtojë vendimin.

“PSD-ja mendon se ngritja e tarifave nuk është mënyra e duhur për zgjidhjen e problemeve në fushën e energjisë. Përkundrazi, me këtë vendim do të dëmtohet popullata si dhe ekonomia e Kosovës, e cila edhe ashtu ka pësuar dëme të mëdha financiare si pasojë e redukimeve të vazhdushme të energjisë elektrike”, thuhet një njoftimin e kësaj partie.

Nga ana tjetër KEK-u ka njoftuar se për konsumatorët e amvisërisë, gjatë sezonit të verës, tarifat rriten për 1.8 për qind për të gjithë ata të cilët shpenzojnë deri në 200 kilovat orë energji dhe 3,9 për qind për konsumatorët të cilët shpenzojnë deri më 600 kilovat në muaj.


“Vlen të theksohet se ZRRE nuk ka bërë ndryshim në Tarifën Fikse për konsumatorët e amvisërisë. Tarifa mbetet 2 euro në muaj”, thuhet në njoftimin e kësaj korporate.

Gjatë vitit 2006 dhe 2007 derisa ministër i Energjetikës ishtë Ethem Çeku, ZRRE pati planifikuar dhe pati marrë vendim për një rritje më shumë se 100 për qind për energjinë elektrike, por vendimi nuk qe zbatuar pas presioneve të shumta mediale, nga shoqëria civile dhe opozita e atëhershme në krye me Partinë Reformiste Ora. /Telegrafi/