LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshje bashkëpunimi mes OEK-ut dhe Odës së Bosnjës

Marrëveshje bashkëpunimi mes OEK-ut dhe Odës së Bosnjës

Me qëllim të përkrahjes së këmbimit tregtar dhe bashkëpunimit ekonomik, është nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi mes Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Bazuar në një njoftim zyrtar të OEK-së, marrëveshja e bashkëpunimit mes dy Odave është nënshkruar në Sarajevë nga Nënkryetarja e OEK-së, Zineta Daci dhe Kryetari i Odës së Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Avdo Rapo.

"Palët nënshkruese të Marrëveshjes në harmoni me ligjet në fuqi në Bosnje e Hercegovine dhe në Kosovë do të përkrahin dhe nxisin aktivitetet e orientuara në promovimin dhe zhvillimin e këmbimit të mallrave dhe bashkëpunimit ekonomik në mes të ndërmarrjeve të interesuara, duke pas parasysh marrëveshjen mbi tregtinë e lirë në mes të Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës", thuhet në marrëveshje.

Pas nënshkrimit të marrëveshje Nënkryetarja e OEK-së Zineta Daci ka deklaruar këtë marrëveshje e sheh si pikënisje të bashkëpunimit zyrtar në mes të dy shteteve dhe njohjes së Republikës së Kosovës nga Republika e Bosnjës dhe Hercegovinës.


"Odat Ekonomike nuk janë organizata politike por si avokate te komunitetit të biznesit janë nismëtare që dy Qeveritë të pranojnë njëra tjetrën".

Në anën tjetër Kryetari i Odës Ekonomike të Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, Avdo Rapa ka deklaruar marrëveshja është edhe një hap përpara në vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit tonë.

“Ndërmarrësit e Bosnjës dhe Hercegovinës janë prezent në Kosovë ne forma të ndryshme, përmes përfaqësive, panaireve dhe format tjera.

Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme është edhe një hap konkret në thellimin e bashkëpunimit ekonomik edhe në lëmit tjera, në të cilat deri me tani nuk kemi pas bashkëpunim, sepse ekzistojnë mundësi të mëdha të cilat janë në interes të dyanshëm”. /Telegrafi/