LAJMI I FUNDIT:

Kreditë e këqija shqetësojnë sistemin bankarë

Kreditë e këqija shqetësojnë sistemin bankarë

Rritja e fortë e kredisë në tre vitet e fundit tashmë është shndërruar në shqetësim edhe për ndërkombëtarët. Aktualisht kredia totale e dhënë nga bankat komerciale në Shqipëri për ekonominë, llogaritet në 3.2 miliardë euro. Banka Botërore ka parashikuar se në fund të vitit 2009 shifra do të arrijë në 6 miliardë euro.

Por pas një bumi të vërtetë në kreditin e ekonomisë, janë shfaqur edhe problemet e para serioze me kthimin e kredive. Vetëm gjatë 3 muajve të parë të vitit 2008, bankat kanë raportuar një rritje të kredisë me probleme me 100 milionë dollarë.

Por në këtë 100 milionë dollarësh të raportuar nga ana e bankave të nivelit të dytë përfshihen jo vetëm kreditë e humbura, por edhe ato të dyshimta dhe nënstandarde.

Pjesa më e madhe e kredive të dhëna, fillojnë që nga fundi i vitit 2005 e në vazhdim dhe kapaciteti pagues i klientëve të bankave mbetet ende i pavlerësuar. Nga kredia në ndjekje, ose me probleme, që në total shkon në 401 milionë dollarë, rreth 120 milionë dollarë janë kredi e keqe ose ajo që nuk mund të mblidhet më nga ana e bankave.


Sipas Bankës Botërore kjo shifër e kredive të këqija mund të bëhet një peshë e rëndë për sistemin bankar shqiptar,çka do të vinte në dyshim qëndrueshmërinë financiare të vendit.
Ndonëse nuk konsiderohet ende si një nivel alarmant, kreditë e këqija kanë filluar tashmë të shqetësojnë Bankën Qendrore.