LAJMI I FUNDIT:

Lukoil: Do të hyjmë në Shqipëri

Lukoil: Do të hyjmë në Shqipëri

Gjiganti rus i karburanteve deklaron se brenda këtij viti do të jetë prezent në Shqipëri. Beteja gjeostrategjike mes interesave amerikane dhe atyre ruse për tregun e naftës në Shqipëri duket se do të vazhdojë edhe pas privatizimit të ARMO-s. Amerikanët mposhtën konkurrencën edhe të kompanive të lidhura ngushtë me Rusinë kur u shpallën fitues për blerjen e ARMO-s me një çmim prej 125 milionë eurosh për 85 për qind të aksioneve. Por rusët duket se nuk kanë ndërmend të tërhiqen.

Gjiganti rus i karburanteve, "Lukoil", njoftoi të enjten se po planifikon të hyjë në tregun shqiptar të karburanteve. Lajmin e ka bërë të ditur shefi i "Lukoil"-it për Bullgarinë, Valentin Zlatev, i cili tha: "Është e vështirë të themi nëse do të kemi një projekt real brenda fundit të këtij viti për Shqipërinë. Megjithatë deri në fund të këtij viti, ne do të jemi prezent në Shqipëri të paktën me një zyrë dhe një strategji zhvillimi për këtë vend". Tregu shqiptar do të jetë nën juridiksionin e njësisë bullgare të "Lukoil"-it. "Ne planifikojmë të investojmë qindra milionë dollarë çdo vit në Ballkan," ka vijuar më tej Zlatev

Rajoni

Gjiganti rus ka një plan ekspansioni për rajonin e Ballkanit. Aktualisht "Lukoil" është i pranishëm pothuajse në shumë vende të rajonit si Bullgari, Rumani, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Bosnje. Gjatë këtij viti shoqëria ka investuar në shtetet e Ballkanit rreth 690 milionë dollarë, ose e konvertuar 445 milionë euro. "Lukoil" zotëron aktualisht një rafineri në Bullgari dhe një në Rumani. Në Kroaci, gjiganti rus, bleu këtë vit shitësin me pakicë të karburanteve "Europa-Mil" për një shumë ende të papublikuar. Gjiganti rus ka tregues të frikshëm. Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë, "Lukoil" zotëron rreth 1.3 për qind të rezervave botërore të naftës dhe prodhon aktualisht 2.3 për qind të naftës që tregtohet në mbarë botën. Në vitin 2007, vetëm në formën e taksave, "Lukoil", që është dhe kompania më e madhe e naftës në Rusi, ka paguar rreth 28 miliardë dollarë.


Tregu shqiptar
Tregu i brendshëm i karburanteve është ndoshta ndër tregjet që lëviz më shumë para në vendin tonë. Gjatë vitit të kaluar Shqipëria importoi rreth 251 milionë dollarë naftë të përpunuar, sipas ACIT. Kjo shifër rritet me ritme të larta nga viti në vit si pasojë e kërkesës më të madhe për karburante, por edhe si pasojë e çmimeve në rritje të fortë të naftës. Në sasi importet e karburanteve luhaten nga 400 deri në 500 mijë tonë në vit. Më shumë se 70 për qind e tregut zihet nga importi, ndërsa prodhimi vendas i ARMO-s ka mbajtur mesatarisht rreth 25 deri në 30 për qind të tregut në vit. Sipas të dhënave zyrtare Shqipëria konsumon mesatarisht 600 deri në 650 mijë tonë karburant në vit me një treg pakicë, që tashmë me çmimet e rritura disa fish të naftës arrin në rreth 600 milionë dollarë në vit. /SHQIP/