LAJMI I FUNDIT:

Qeveria shqiptare ulë me detyrim tarifat e telefonisë

Qeveria shqiptare ulë me detyrim tarifat e telefonisë

Qeveria shqiptare ka miratuar projektvendimin "Për miratimin e metodologjive të rregullimit të tarifave të organizmit me fuqi të ndjeshme në treg, Albtelekom, Vodafone Albania dhe AMC". Gjatë miratimit të metodologjisë, kreu i qeverisë, Sali Berisha, tha se ky vendim është kusht për respektimin e konkurrencës së lirë në treg dhe do të ndikojë në uljen e çmimit të impulseve.

“Pas një pune të madhe, Enti Kombëtar i Telekomunikacionit dhe Frekuencave ka sjellë për miratim metodologjinë e rregullimit të tarifave, të organizimit të operatorëve me fuqi të ndjeshëm në treg, ku përfshihen jo vetëm celularët, por edhe Albtelekom. Po bëhet një përpjekje e madhe që tregu të vijë në parametrat e tij. Ardhja në këto parametra do të thotë ulje e ndjeshme e çmimit të impulseve elektronike. Kjo nuk është ndërhyrje në treg, përkundrazi është një kusht që të respektohet konkurrenca e lirë dhe e ndershme dhe jo marrëveshja e sipërmarrjeve, sepse ato nuk i lejon tregu i lirë”, ka deklaruar kryeministri Berisha.

Metodologjitë e miratuara të mërkurën parashikojnë reduktimin e shpenzimeve të konsumatorëve, me 20 për qind brenda vitit 2008 dhe një reduktim mesatar të mëtejshëm me 20 përqind brenda vitit të ardhshëm. Kjo do të sjellë një ulje mesatare në total prej 36% në vitin 2009, në krahasim me shpenzimet aktuale.

Vendimet e mësipërme kanë për qëllim që tarifat e vendosura nga operatorët me fuqi të ndjeshme në treg (Albtelekom, Vodafone Albania, AMC) të jenë të orientuara drejt kostos, të jenë transparente, të mos jenë diskriminuese dhe të garantojnë trajtim të barabartë për operatorët dhe pajtimtarët.


Ndërkohë edhe vetë ministri i Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ka prezantuar para mediave projektligjin e ri “Për komunikimet elektronike”. Sipas tij, telefonia celulare në Shqipëri është më e shtrenjta në kontinent dhe është pa diskutim më e shtrenjta në vendet e rajonit dhe një gjë të tillë e ka cilësuar si të papranueshme.