LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e Kosovës: Do të rrisim eksportet dhe investimet

Qeveria e Kosovës: Do të rrisim eksportet dhe investimet

Qeveria e Kosovës ka paraparë që në një periudhë afatshkurtër të ketë një rritje të eksportit dhe investimeve. Kjo në saje të zvogëlimit të taksave dhe barazimit të tyre me shtetet e rajonit.

Kjo është deklaruar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave (MEF), e cila të martën ka prezantuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KESH) për periudhën 2009-2011, dokument ky i cili është aprovuar ditë më parë edhe nga Qeveria e Republikës.

Ky dokument i cili parasheh prioritete e Qeverisë për tri vitet e ardhshme sipas zyrtarëve të MEF-it, ka pësuar disa ndryshime krahasuar me vitet e mëparshme, dhe është vlerësuar dokument mjaft i rëndësishëm për konferencën e donatorëve.

“Dokumenti i cili përmban gjithsej katër pjesë është vlerësuar se i plotëson të gjitha standardet evropiane dhe njëherësh është një dokument mjaft i rëndësishëm për konferencën e donatorëve”, tha gjatë një konference të mbajtur për shtyp, Bedri Hamza, zv.ministër në MEF.


Sipas tij në pjesa e parë e KASH-it kryesisht ka të bëjë me politikat prioritare, rritjen ekonomike, statusin e vendit, qeverisjen, mirëqenien sociale dhe shëndetësinë, boshllëkun zhvillimor dhe bashkëpunimin me donatorët, me rritjen ekonomike.

“Prioritetet e kësaj Qeverie janë, rritja ekonomike, implementimi i suksesshëm i Marrëveshjes për Statusin, qeverisja e mirë dhe stabiliteti social, përfshirë këtu zbutjen e varfërisë”.

Hamza tha se pjesë e dytë e KASH-it ka të bëjë kryesisht me kornizën makro-fiskale. Aty parashihet që importi të ketë rënie ndërsa eksporti të ketë rritje. Ndërsa sa i përket inflacionit parashihet të ketë stabilitet, pastaj parashihet rritje e vazhdueshme e të hyrave.

Sa i përket rritjes së eksportit, Hamza tha se edhe vitet e kaluara ka pasur rritje graduale por një rritje më e madhe pritet pasi të hyjnë në fuqi politikat e reja fiskale. ”Politikat e reja fiskale pritet të hyjnë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm dhe kanë për qëllim që ti barazojnë taksat me vendet e rajonit”.

Zv.ministri i MEF-it tha se në pjesën e dytë të KASH-it parashihen edhe të hyrat buxhetore si dhe shpenzimet buxhetore qeveritare.

Ndërsa sa i përket pjesës së tretë Hamza tha se aty janë paraparë kryesisht marrëdhëniet fiskale ndërqeveritare.”Në këtë pjesë është paraparë financimi i komunave”. Ndërsa pjesa e fundit e KASH-it parasheh strategjitë e shpenzimeve sektoriale dhe ndërsektoriale. Sipas Hamzës Qeveria beson që energjia dhe minierat, infrastruktura, arsimi, sundimi i ligjit dhe rendit, sektori i bujqësisë dhe zhvillimit rural , stabiliteti social dhe shëndetësia, do të ndihmojnë në zbutjen e shtrëngesave në rritjen ekonomike. /Telegrafi/