LAJMI I FUNDIT:

Çmimi i naftës rritet, me gjithë rritjen e prodhimit

Çmimi i naftës rritet, me gjithë rritjen e prodhimit

Vendimi i Arabisë Saudite për të rritur me 200 mijë fuçi prodhimin ditor të naftës, për fat të keq nuk ka mundur të ndalë ritmin e frikshëm rritës të çmimit për arin e zi.

Dje, në bursat ndërkombëtare, çmimi i naftës shënoi rekordin historik të të gjitha kohërave, duke arritur në thuajse 140 dollarë për fuçi. Në Londër, një fuçi nafte u shit me 139.62 dollarë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara, çmimi kapi kuotën e 139.89 dollarëve për fuçi.

Rritja e çmimit ka ndodhur menjëherë sapo investitorët kanë mësuar se dollari ka humbur sërish pikë ndaj euros. Tashmë parashikimet e analistëve se çmimi i arit të zi do të kapë brenda vitit shifrën prej 200 dollarësh për fuçi po bëhen gjithmonë e më të besueshme.

"Asociates Press" dhe media të tjera prestigjioze shkruajnë se tregjet janë përfshirë nga paniku. Tregtarët e bursave janë shprehur shumë të bindur se çmimi i naftës do të vazhdojë të rritet me ritme të larta dhe në këtë pikë askush nuk mund të parashikojë se kur do të ndalet vrapi me hapa gjigantë i çmimit të naftës.


Nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë që çmimi i naftës në treg të rritej me 5 dollarë për fuçi, brenda një kohe shumë të shkurtër. Tregu i naftës është bërë tashmë shumë i paqëndrueshëm dhe çmimi i këtij produkti ndryshon me shifra të larta brenda një kohe shumë të shkurtër.

Ekspertët thonë se kjo situatë favorizon edhe më shumë spekulimet e tregtarëve. Shoqëritë gjigante të karburanteve kanë mundësi të blejnë sasi të mëdha nafte, njëherësh, për ta shitur atë më pas në treg, me çmime të rritura.

Në panik, nga situata që ka krijuar rritja e çmimit të naftës në ekonominë botërore, ministrat e financave të 8 vendeve më të fuqishme në botë, i kërkuan Fondit Monetar Ndërkombëtar që të analizojë se cili është efekti i spekulimeve të tregtarëve në çmimin aktual të naftës. Por, kjo masë presioni pozitiv mbi çmimin e naftës në treg, jo vetëm që nuk ka mundur të sjellë uljen e çmimit, por nuk po ngadalëson dot as rritjen e fortë të tij. /Telegrafi/