LAJMI I FUNDIT:

Në 2009, nëpër autostradë drejt plazheve të Durrësit

Në 2009, nëpër autostradë drejt plazheve të Durrësit

Qytetarët e Kosovës të cilët prej vitesh shkojnë për pushime në bregdetin shqiptar, Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin etj., në sezonin tjetër turistik të 2009, nuk do të torturohen në rrugët gjarpërore dhe plot me gropa për të mbërritur atje.

“Rruga e Kosovës” siç quhet autostrada shqiptare nga Durrësi deri në Morinë të Kukësit, duke përfshirë dhe tunelin me të gjatë në Ballkan prej 5.5 kilometrave, prite të kryhet brenda afateve të përcaktuar më parë, në qershor të vitit 2009.

Kjo është konfirmuar nga vet kryeministri shqiptar, Sali Berisha, gjatë një inspektimi që i ka bërë tunelit të Kalimashit, pjesa më e shtrenjtë e kësaj rruge, gjatë ditës së shtunë.

“Gjysma e tunelit në të dy anët dhe në të dyja tubat ka mbaruar. Edhe pjesa tjetër do të kryhet me kohë. Ju garantoj shqiptarëve nga të dy anët se në verën e vitit 2009 do të udhëtojnë në autostradën e re”, ka deklaruar kryeministri Berisha.


Tuneli i Kalimashit, do të kushtojë plot 400 milionë euro, ndërsa e gjithë autostrada mbi 700 milionë euro, shumica e të cilave janë siguruar nga buxheti i shtetit shqiptar.

Ky tunel, dhe një pjesë e autostradës prej 60 kilometrave, është duke u ndërtuar nga konzerciumi i dy kompanive të njohura botërore, asaj amerikane Bechtel dhe kompanisë turke Enka.

Pjesë të tjera të autostradës janë duke u ndërtuar nga kompani të tjera duke përfshirë edhe ato shqiptare.

Autostrada nga Durrësi deri në Morinë, në kufi me Kosovën, do të jetë e gjatë 170 kilometra dhe parashikohet të kalohet për dy orë.

Ndërsa në pjesën e Kosovës, sipas premtimeve të Qeverisë, autostrada do të fillojë së ndërtuari nga muaji i gusht dhe segmenti i parë ku makineritë do të shihen duke punuar do të jetë Vërmicë- Prizren. /Telegrafi/