LAJMI I FUNDIT:

Thaçi: Pavarësia shpallet në koordinim me Washingtonin dhe Brukselin

Thaçi: Pavarësia shpallet në koordinim me Washingtonin dhe Brukselin

Kosova do ta shpallë pavarësinë pas 10 dhjetorit, por në bashkëpunim me Washingtonin dhe Brukselin, ka thënë Hashim Thaçi, sot në Bruksel, para takimit të radhës me palën serbe.

“Do ta respektojmë agjendën e bashkësisë ndërkombëtare edhe pas dhjetorit, dhe me një koordinim të plotë me Washingtonin dhe Brukselin, Kosova do ta sjell vendimin për pavarësinë”, ka thënë Thaçi.

Thaçi, partia e të cilit doli fituese në zgjedhjet parlamentare të 17 Nëntorit, ka thënë se “Kosova nuk do të bëjë asgjë pa një koordinim me partnerët tanë në Washington dhe Bruksel…Kosova është e gatshme për pavarësi, por do të bashkëpunojmë ngushtë (me Washingtonin dhe Brukselin”.

Propozimin e njërit nga Treshja ndërmjetëse, Wolfgang Ischinger për “statusin neutral”, Thaçi e ka hedhur poshtë duke thënë se “nuk mund të kemi status neutral për Kosovën, ajo do të jetë e pavarur dhe fqinje e mirë e Serbisë”.


“Si kryeministër i ardhshëm i Kosovës, do të bashkëpunoj më të gjithë në rajon për paqe dhe stabilitet dhe për marrëdhënie më të mira me Serbinë”, citohet të ketë thënë Thaçi.