LAJMI I FUNDIT:

BE bën thirrje të mos nxitohet me shpalljen e pavarësisë

BE bën thirrje të mos nxitohet me shpalljen e pavarësisë

Vendet e Bashkimit Evropian kanë bërë sot apel që Kosova të mos nxitoj me shpalljen e pavarësisë, duke thënë se një veprim i tillë duhet të koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare, njofton Reuters.

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, që pritet të bëhet kryeministër i Kosovës, pas rezultateve të arritura në zgjedhjet e së shtunës, ka deklaruar se Parlamenti i Kosovës do ta shpallë pavarësinë pas 10 dhjetorit, që është datë përfundimtare e bisedimeve për statusin e Kosovës me ndërmjetësim ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin pavarësinë e Kosovës, por BE-ja është e ndarë rreth kësaj çështjeje. Disa shtete anëtare të BE-së nuk janë të gatshme të mbështesin një veprim të tillë, pa bekimin e OKB-së, ose së paku pa një përkrahje të gjerë ndërkombëtare.

"Kosova duhet ta ketë pavarësinë e saj, por kjo nuk duhet të jetë një shpallje e njëanshme pa kontroll. Duhet të jetë e koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë ministri britanik për Evropën, Jim Murphy, gjatë arritjes në takimin e ministrave të jashtme të BE-së në Bruksel.


Ministrja austriake e Punëve të Jashtme, Ursula Plassnik, ndërkaq ka thënë se, thirrja e Thaçit nuk është befasi, mirëpo u ka bërë thirrje shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë të mos i acarojnë edhe më shumë tensionet edhe ashtu të acaruara.

"BE-ja u ka kërkuar të gjitha palëve që në këtë kohë të sillen me kujdes. Kjo vlen si për Prishtinën ashtu edhe për Beogradin”, ka thënë ajo.

Ndërkaq shefi i diplomacisë suedeze, Carl Bildt, i bëri thirrje liderit të PDK-së, Hashim Thaçi të mos i ngritë tensionet në vend, dhe tha se çdo lëvizje e nxituar mund të çojë në izolim të Kosovës. "Z.Thaçi duhet të kuptojë se ka dallim ndërmjet të qënit politikan në opozitë dhe të qënit kryeministër me përgjegjësi", tha ai. "Nuk mendoj se kosovarët duan të jenë të pavarur nga bashkësia ndërkombëtare", tha Bildt.