LAJMI I FUNDIT:

Paradite, pjesëmarrje solide në votime

Paradite, pjesëmarrje solide në votime

Zyrtarët e KQZ-së dhe të OSBE-së njoftuan në një konferencë për gazetarë se në tri orët e para të votimeve për zgjedhjet e Kosovës kanë votuar 146 375 votues, ose rreth 10 për qind e trupit votues.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Mazllum Bajraliu, dha edhe përqindjen e qytetarëve që kishin votuar deri në atë kohë, nëpër qytetet e Kosovës: Deçan 6 %, Gjakovë 12 %, Gjilan 6 %, Sharr 5 %, Burim 10 %, Kaçanik 7 %, Klinë 7 %, Fushë-Kosovë 16 %, Kamenicë 10 %, Mitrovicë 10 %, Lipjan 10 %, Novobërdë 4 %, Kastriot 5 %, Pejë 10 %, Podujevë 11 %, Prishtinë 10 %, Prizren 15 %, Skenderaj 5 %, Shtimje 15%, Shtërpcë 2%, Suhareke 9 %, Ferizaj 7%, Viti 9 %, Vushtrri 15% dhe Malishevë 12 %.

Ndërsa në komunat me shumicë serbe në veri, Zubin Potok, Zveçan dhe Albanik përqindja është zero, dmth s’ka pasur asnjë qytetar të interesuar të votojë. Edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, organizatorët e zgjedhjeve thanë se drejtorët e shkollave nuk kanë lejuar që të hapen vendvotimet. OSBE-ja ka vendosur që të zbatojnë planin rezervë, hapjen e vendvotimeve të lëvizshme, nëpër kamionë.

Ndërkohë rreth 620 qendrat e tjera anekënd Kosovës janë hapur në orën 7 dhe rrjedha e votimeve po ecën pa ndonjë problem. Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) e pranuan se një numër qendrash të votimit ka pasur vonesa të vogla, për shkak të problemeve të vogla teknike.


“Për pjesëmarrje është e vështirë ende të paragjykohet, pasi është ende herët. Ndaj theksoj se është herët të themi që ka pjesëmarrje të lartë, ose jo. Nuk mund ta gjykojmë numrin e pjesëmarrjes”, tha shefi i OSBE-së, Tim Guldiman.

Për mbarëvajtjen e zgjedhjeve janë angazhuar mbi 7 000 pjesëtarë të SHPK-së, të cilët nga orët e mëngjesit janë duke ndihmuar KQZ-në në punën e tyre. “Qysh mbrëmë, Policia e Kosovës është kujdesur për fletëvotimet të cilat sot në mëngjes kanë filluar edhe të shpërndahen”, tha zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani.

I vetmi incident për të cilin është raportuar në konferencën e parë të përbashkët të përfaqësuesve të KQZ-së, OSBE-së dhe SHPK-së ka qenë djegia e 15 kutive të zbrazëta të votimit në qytezën e Hanit të Elezit, kur një zjarr përfshiu katin e dytë të shkollës ku gjendeshin ato. “Janë djegur vetëm kutitë, pasi fletët ruheshin në vend tjetër”, saktësoi Elshani.

Zjarrfikësit e kanë lokalizuar shpejt zjarrin dhe pas zëvendësimit të kutive, votimi ka filluar edhe në këtë qendër votimi.