LAJMI I FUNDIT:

Kosova voton sot

Kosova voton sot

Rreth një milion e 400 mijë votues pritet që sot të votojnë në zgjedhjet për Parlament të Kosovës, Asambletë komunale dhe kryetarë komunash. Për këtë qëllim në ora 7 të mëngjesit janë hapur 621 qendra votimi dhe rreth 2.300 vendvotime në mbarë Kosovën.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka angazhuar 25.000 mijë anëtarë të këshillave në vendvotime, ndërsa koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka angazhuar 630 monitorues.

Në këto zgjedhje garojnë 97 subjekte politike, ndër të cilat edhe disa parti të vogla serbe, por jo ato që përfaqësojnë shumicën e serbëve të Kosovës.

Derisa gjatë katër palë zgjedhjeve të mëparshme, misioni i OSBE-së në Kosovë ishte përgjegjës për organizimin dhe mbikëqyrjen e tyre, këtë herë për herë të parë ato drejtohen dhe administrohen nga vetë institucionet lokale të zgjedhjeve, respektivisht Komisioni Qendror Zgjedhor – KQZ.


Megjithatë, OSBE-ja do të ruajë rolin e këshilltarit, do të ndihmojë me përgatitjet teknike dhe do të vëzhgojë zhvillimin e zgjedhjeve.

Këshilli i Evropës po ashtu do të vëzhgojë nga afër zgjedhjet me një ekip prej 150 anëtarësh nga shtetet anëtare të KE-së në kuadër të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Kosovë.