LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Efektin e qeverisjes sime do ta shihni që në pranverë

Mustafa: Efektin e qeverisjes sime do ta shihni që në pranverë

"Prishtina, gjatë dy viteve të qeverisjes sime, do të pavarësohet nga buxheti qendror dhe të kemi të hyrat tona me të cilat do të mund t’i përballojmë shpenzimet e nevojshme duke nënkuptuar edhe atë se komuna do të ketë të drejtë edhe të hyjë borxh, qoftë brenda, qoftë në institucionet e jashtme financiare", thotë kandidati për kryetarë të Komunës së Prishtinës nga radhët e LDK-së, Isa Mustafa, në një intervistë për Telegrafin.

I vetëdijshëm me sfidat që do të përballet, nëse vije në postin e kreut të Prishtinës, Isa Mustafa, thotë se do të gjejë rrugë dhe mundësi që Prishtinës t’ia kthejë namin e kryeqytetit, qoftë në planin urbanistik, të infrastrukturës, atë të arsimit dhe fushave tjera.

Mustafa numëron sfidat më të cilat përballet Prishtina e mbipopulluar dhe thotë se për këtë, buxheti i komunës është i vogël porse, gjatë mandatit të tij, ai do të bëjë përpjekje që Prishtina të ketë mundësi që, në mënyrë të pavarur, të marrë kredi brenda dhe jashtë vendit me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët.

Kandidati i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se, edhe pse periudha e shkurtër e qeverisë se re komunale e cila do të jetë vetëm dyvjeçare, është tepër e shkurtër dhe keq e konceptuar, ai do të bëjë përpjekje që premtimet e dhëna t’i realizojë.


Një gjë për të cilin Mustafa vlerëson se është mjaft pozitive në këto zgjedhje lokale është rregullorja që i jep kompetenca ekzekutive kryetarit të komunës i cili do ta zgjedh vetë stafin e tij drejtues e me këtë, edhe definimin e qartë të përgjegjësive.

Telegrafi: Prishtina pothuajse është trefishuar pas lufte. Drejtimi i saj, përveç këtij fakti që nënkupton çështje të urbanizimit të saj, por edhe gjendjes së rënduar ekonomike, a paraqet për ju një sfidë me të cilën, që në fillim, e dini se nuk do ta keni të lehtë?

Mustafa: Është një sfidë mjaft e madhe meqenëse kemi një koncentrim shumë të madh të popullatës në Prishtinë, praktikisht, tani mund të jetë një e treta apo një e katërta e popullatës së përgjithshme të Kosovës. Ky përqendrim ka shkaktuar që të ketë mungesë të lokaleve shkollore dhe të shërbimeve tjera të nevojshme për qytetarët sidomos se, pas luftës ka ndodhur një migrim i madh në relacionin rural – urban, dhe sidomos ai migrim është vërejtur në qytetin e Prishtinës. Infrastruktura e qytetit, rrugët, nuk kanë qenë të dimensionuara që ta përballojnë këtë fluks kaq të madh i cili ka ndodhur, edhe nga periferia në qytet, edhe nga pjesët rurale të komunës, por edhe nga komunat tjera. Po ashtu edhe buxheti i Prishtinës nuk është i mjaftueshëm që për një periudhë mjaft të shkurtër t’i tejkalojë këto probleme, prandaj, duhet të jemi të përgatitur të ndërmarrim masa të cilat do të krijonin kushte normale për këtë popullatë që jeton në qytet tash, qoftë nga këto burime të cilat i kemi tani, qoftë nga identifikimi i burimeve tjera në mënyrë që të kemi një buxhet më të fortë i cili do të përballojë më shumë investime kapitale, sidomos tek zgjerimi i infrastrukturës, te krijimi i kushteve tjera të shërbimeve publike më të lehta, rregullimi i qytetit, rregullimi i gjelbërimit, sigurimi i ujit për qytetarët, rregullimi i kanalizimit atje ku nuk ka, edhe në qytet dhe në paralagjet e qytetit, pra në pjesët rurale ku mund të rrezikohet shëndeti i popullatës si dhe në sigurimin e lokaleve të mjaftueshme për arsim sepse, presioni për arsim është mjaft i madh, objektet shkollore janë mjaft të vogla, numri i nxënësve nëpër klasë është i madh, numri i arsimtarëve është më i ultë, proporcionalisht, sesa në komunat tjera. Pra ka mjaft fusha më të cilat do të ballafaqohem, por këto janë sfida për të cilat unë jam i bindur që do t’i tejkalojmë por se janë sfida reale me të cilat do të ballafaqohemi.

Telegrafi: Veç kësaj, mandati i qeverisë komunale është dyvjeçar, çfarë mund të bëhet në Prishtinë për dy vite kur dihet se ka shumë probleme infrastrukture, urbanistike, sociale etj?

Mustafa: Mendoj se mandati është i shkurtë, është mandat i paarsyeshëm, jo për shkak timin apo neve që konkurrojmë të bëhemi kryetarë komune, por vetë natyra e punës në komunë është e tillë e cila kërkon një afat më të gjatë, sidomos në pjesën e investimeve kapitale sepse, periudha, që nga identifikimi i projekteve, hartimi i projekteve, fillimi i projekteve ekzekutive, fillimi i procedurave të prokurimit dhe ekzekutimet kërkojnë një periudhë mjaft të gjatë. Në situatën tonë kjo nënkupton që ne kemi, objektivisht, një vit e gjysmë, për të punuar dhe ai gjysmë viti i mbetur do të jetë i fushatës për zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, unë do të bëjë përpjekje që ato detyra, për të cilat do të zotohem para qytetarëve, edhe t’i realizojë në këtë periudhë.

Telegrafi: Prishtina edhe më parë është drejtuar nga LDK-ja, çfarë do ta dallojë qeverinë tuaj nga ajo e mëparshmja e cila vinte nga po e njëjta parti?

Mustafa: Në planin dhe programin tim i kam përcaktuar prioritetet në të cilat unë do të angazhohem tash. Prioritetet i kam ndarë në dy pjesë, në ato afatshkurta që janë të lidhura me mandatin dhe prioritetet për të cilat unë do ta krijoja një bazament, në mënyrë që programi të funksionojë në mënyrë afatgjate. Detyrë themelore ia kam dhënë vetes që në fillim të kësaj periudhe, Prishtina ta marrë statusin e kryeqytetit. Me këtë status, nuk është fjala vetëm për anën formale, por për anën përmbajtjesore sepse, Prishtina do të fitonte në përgjegjësi dhe do të fitonte edhe në shtrirje më të gjerë sa i përket shërbimeve publike, sa i përket kontakteve dhe marrëdhënieve me jashtë dhe sa i përket një zhvillimi të integruar me komunat tjera. Pozita ime do të jetë më e mirë sesa e paraardhësve të mi sepse, rregullorja e re për pushtetin lokal, ua mundëson kryetarëve të komunave që ata të kenë rolin ekzekutiv, pra vetë ta emërojnë bordin dhe me këtë rritet përgjegjësia jonë që të jemi të kujdesshëm në zgjedhjen e ekipit me të cilin do të punojmë. Unë do ta zgjedh vetëm atë ekipi me të cilin do të jem i sigurt se do ta realizojë programin të cilin ua premtojë qytetarëve. Ndryshime do të bëjë sidomos në pjesën urbane ku do të jem shumë rigoroz sa i përket ndaljes së ndërtimeve pa leje dhe vazhdimit të ndërtimeve vetëm në bazë të planeve urbanistike, po ashtu do të mundohem të bëjë ndryshime zhvillimore dhe të forcimit të buxhetit sepse do të punojë që totalisht komuna, gjatë këtyre dy viteve, të pavarësohet nga buxheti qendror dhe të kemi të hyrat tona me të cilat do të mund t’i përballojmë shpenzimet e nevojshme duke nënkuptuar edhe atë se komuna do të ketë të drejtë edhe të hyjë borxh, qoftë brenda qoftë në institucionet e jashtme financiare, kusht që në të mund të investojmë më shumë dhe pastaj, përmes buxhetit të ardhshëm, të mund t’i kryejmë detyrimet ndaj kreditorëve.

Telegrafi: Sa kohë, javë apo muaj, do t’u duhet qytetarëve që ta vërejnë veprimin e Isa Mustafës në drejtimin e Prishtinës, nëse merrni këtë post?

Mustafa: Unë do t’ju sigurojë që në këta muajt e parë, muaj të ftohtë dimri gjatë të cilëve nuk mund të bëhen ndërtime, ne do t’i bëjmë projektet realizimi i të cilave do të nis me pranverë. Unë do ta tejkalojë praktikën që rrugët të fillojnë të bëhen në vjeshtë, do bëjë përpjekje që punët të nisin në pranverë në mënyrë që para vjeshtës ato të përfundohen, ose ato që janë të lidhura financiarisht, të përfundohen në fund të vitit financiar prandaj, mendoj se rezultatet konkrete mund të shihen qysh në pranverën e vitit të ardhshëm kur ne do të fillojmë me ekzekutimin e më shumë projekteve.

Telegrafi: Çfarë do t’u thoni qytetarëve, porosia juaj?

Mustafa: Ajo që kisha dëshiruar nga qytetarët është që ata të dalin në votime. Mendoj se dalja në votime e qytetarëve do të siguronte ata që do të jenë në gjendje të zgjedhin dhe ta bëjnë zgjidhjen më të mirë sepse, nëse ata nuk do të dalin në zgjedhje, atëherë do të jenë vrojtues pasivë të krejt asaj që ndodhë, do të jenë vrojtues pasivë edhe të fatit të Kosovës sepse, fati ynë është në demokraci, në krijimin e një konkurrence ndërmjet kandidatëve të partive. Është fat i mirë që për këto zgjedhje komunale kemi mjaft kandidatë, ka mjaft oferta ku qytetarët do të kenë më shumë alternativa të zgjedhin. Unë do të bëjë përpjekje që t’i bind qytetarët se projekti im është i mirë, por është e tyre që ata ta japin notën. Pra, për ne, notën do ta japin qytetarët dhe për ne do të jetë absolutisht e pranueshme.

Në trend Lajme

Më shumë
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, dyshohet për një të vrarë - pesë të plagosur dërgohen në QKUK

Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, dyshohet për një të vrarë - pesë të plagosur dërgohen në QKUK

Kronika e Zezë
Mysafirët nga Serbia e njoftojnë Kurtin: Beogradi po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës për në Sanxhak

Mysafirët nga Serbia e njoftojnë Kurtin: Beogradi po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës për në Sanxhak

Siguri
Vrapi me pengesa i turizmit në Shqipëri: Rritja e pajustifikuar e çmimeve la shezlongët bosh

Vrapi me pengesa i turizmit në Shqipëri: Rritja e pajustifikuar e çmimeve la shezlongët bosh

Lajme
Brenda dy javëve, mjekët duhet të vendosin nëse do punojnë në spitalet publike apo private

Brenda dy javëve, mjekët duhet të vendosin nëse do punojnë në spitalet publike apo private

Lajme
Trupat italiane të KFOR-it dislokohen në Kosovë, të gatshëm të reagojnë ndaj çdo zhvillimi të situatës së sigurisë

Trupat italiane të KFOR-it dislokohen në Kosovë, të gatshëm të reagojnë ndaj çdo zhvillimi të situatës së sigurisë

Lajme
“Nuk jam takuar me Putinin prej dy vitesh”, Musliu nxjerr

“Nuk jam takuar me Putinin prej dy vitesh”, Musliu nxjerr "bllof" Vuçiqin për deklaratat në Pragë

Siguri
Kalo në kategori