LAJMI I FUNDIT:

Vetëvendosje akuzon PZAP-në për mosrespektim të afateve dhe shpërfillje të kërkesës për anulim të votave me postë

Vetëvendosje akuzon PZAP-në për mosrespektim të afateve dhe shpërfillje të kërkesës për anulim të votave me postë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke e akuzuar për shmangie nga vendimi për rivotimin e votave me postë.

Sipas Vetëvendosjes, administrimi i votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka treguar për manipulime të organizuara nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Në këtë kontekst, partia ka dorëzuar një ankesë për anulimin e këtyre votave dhe kërkesën për rivotim përmes postës.


“Vëzhguesit tanë kanë mbledhur fakte dhe prova për shkelje të shumta, të cilat tregojnë ndërhyrje të organizuar në votimin përmes postës nga LDK. KQZ njoftoi se numërimi përfundoi më 5 mars 2025, në ora 21:00, dhe afati për ankesa ishte 48 orë nga ai moment. Ne e dorëzuam ankesën më 7 mars, në ora 20:20, brenda afatit ligjor”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

PZAP refuzon ankesat e LVV-së për anulimin dhe përsëritjen e votimit jashtë vendit
Lexo po ashtu PZAP refuzon ankesat e LVV-së për anulimin dhe përsëritjen e votimit jashtë vendit

Sipas kësaj partie, vendimi i PZAP-së për të shpallur ankesën e tyre të pasafatshme është i pashpjegueshëm dhe bie ndesh me ligjin.

“Justifikimi i PZAP-së është një përpjekje e qartë për t’i ikur përgjegjësisë institucionale dhe ligjore. Shkeljet dhe manipulimi flagrant i votimit përmes postës nuk mund të anashkalohen. Integriteti i zgjedhjeve duhet të garantohet me anulimin e votave dhe rivotimin përmes postës”, përfundon reagimi i Vetëvendosjes.

Partia ka njoftuar se do të ushtrojë një ankesë të re pas shpalljes së rezultateve përfundimtare./Telegrafi/