LAJMI I FUNDIT:

Kosova kërkon statusin e mysafirit special në Këshillin e Evropës

Kosova kërkon statusin e mysafirit special në Këshillin e Evropës

Kosovës i është zvarritur procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE). Edhe pse synimi ishte që gjatë vitit të kaluar të bëhet anëtare e 47-të e këtij këshilli, në çastet e fundit nuk ia doli të hyjë në agjendën e Komitetit të Ministrave.

Së fundmi, shteti më i ri në Evropë ka dërguar kërkesë që të ketë statusin e mysafirit special në KiE.

Ndonëse kanë kaluar dy muajt e parë të  vitit 2025, ende nuk ka ndonjë ndryshim në lidhje me çështjen e anëtarësimit në këtë mekanizëm evropian. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vazhdon të jetë pengesë. Kosovës nga disa shtete i është kërkuar dorëzimi i Projektstatutit për themelimin e Asociacionit për interpretim në Gjykatë Kushtetuese, si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së.


“Për sa i përket aplikimit për anëtarësim, nuk ka asgjë të re për të komunikuar në këtë moment”, thuhet në përgjigjet e Këshillit të Evropës për KALLXO.com.

Një zhvillim i ri që ndërlidhet me Kosovën dhe Këshillin e Evropës është që Kosova së fundmi ka dërguar kërkesë për statusin e mysafirit special.

Nga Këshilli i Evropës bënë të ditur që një kërkesë e tillë aktualisht është në draft agjendën e Komisionit të Asamblesë Parlamentare për Çështje Politike dhe Demokraci. Kjo mbledhje do të mbahet në Paris më 05.03.2025.

Portali ka kërkuar përgjigje rreth kësaj çështjeje nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar asnjë shpjegim.

Çka do të thotë të jesh mysafir special?

Mysafiri special ka kompetenca, por deri diku ato janë të kufizuara.

Sipas Rregullores të Asamblesë Parlamentare, Byroja mund t’u japë statusin e mysafirit special parlamenteve kombëtare të shteteve evropiane jo anëtare që kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Çdo kërkesë zyrtare për statusin e të ftuarit special, sipas Rregullores, i drejtohet Kryetarit të Asamblesë Parlamentare nga Kryetari i parlamentit përkatës.

Nëse Byroja, pasi të jetë konsultuar me Komisionin për Çështjet Politike dhe Demokracinë, miraton një kërkesë të tillë, Kryetari i Asamblesë Parlamentare e fton parlamentin përkatës të marrë statusin e mysafirit special.

Numri i anëtarëve të një delegacioni të ftuar special, i cili nuk duhet të kalojë tetëmbëdhjetë, do të jetë i njëjtë (pa zëvendësues). Ky numër caktohet nga Byroja, me propozim të Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci.

Anëtarët e delegacioneve të ftuar special mund të ulen në Asamble, por pa të drejtë vote. Ata kanë të drejtë të flasin me autorizimin e Kryetarit të Kuvendit.

Në mbledhjet e Komitetit, ata mund t’i paraqesin kryetarit të Komitetit propozime në lidhje me projekt-rendin e ditës të mbledhjeve të komisionit dhe propozime për amendamente në draft tekstet e shqyrtuara në këto mbledhje. Kryetari i komisionit vendos për çdo veprim të mëtejshëm. Ata mund të nënshkruajnë mocione për rezoluta dhe rekomandime dhe deklarata me shkrim. Megjithatë, ato nuk do të merren parasysh për numrin e nënshkrimeve të kërkuara.

Anëtarët e delegacioneve të ftuar të posaçëm mund të marrin pjesë në punën e grupeve politike sipas kushteve të vendosura nga grupet.

Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci ose së paku njëzet anëtarë mund t’i kërkojnë Presidentit pezullimin ose tërheqjen e statusit të mysafirit special. Presidenti do të informojë menjëherë Byronë për çdo kërkesë të tillë. Nëse kërkesa nuk është bërë nga Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci, Presidenti kërkon menjëherë mendimin e atij komisioni, i cili ia përcjell më pas Byrosë.

Anëtarët e Byrosë do të informohen për shqyrtimin e një çështjeje të tillë të paktën dy javë përpara mbledhjes së Byrosë. Vendimi i Byrosë merret me shumicë prej dy të tretave.

Kur statusi i mysafirit special është tërhequr, parlamenti në fjalë do të bëjë një kërkesë tjetër zyrtare nëse dëshiron ta marrë sërish këtë status. Pezullimi i statusit të të ftuarit special mund të hiqet nga Byroja duke vendosur me dy të tretat e shumicës nëse konsideron se kushtet që kanë çuar në pezullimin nuk ekzistojnë më.

Rruga e Kosovës drejt Këshillit të Evropës

Qeveria e Kosovës në shkurt të vitit të kaluar kishte marrë vendim që të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit – që ishte kusht për anëtarësim.

Pas këtij vendimi, vendi mori dy drita të gjelbra, e në të tretën u kurthua. Ishte kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ajo që e la Kosovën jashtë agjendës. Disa shtete anëtare kërkuan dorëzimin e projektstatutit për themelimin e Asociacionit, si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim.

Mos dërgimi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të hartuar nga Bashkimi Evropian, ishte arsyeja që la Kosovën jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17.05.2024.

Zyrtarët e lartë shtetërorë të Kosovës vazhdojnë të deklarojnë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla- Schwarz, në fund të tetorit të vitit të kaluar ishte takuar në Këshillin e Evropës në Strasburg me Sekretarin e Përgjithshëm, Alain Berset.

“Republika e Kosovës ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe presim me padurim të ecim përpara drejt anëtarësimit të plotë dhe qytetarët tanë të përfitojnë nga mekanizmat mbrojtës të Këshillit të Evropës”, ka thënë Gërvalla gjatë takimit me Berset.

Më 16.05, 2024, ministrja Gërvalla kishte dërguar një letër në adresë të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti për “krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim”. Ky veprim ngriti pikëpyetje nëse ka qenë i duhur apo i gabuar.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës. Kjo kërkesë, sipas tij, “nuk është parimore e as vlerore”, por është absurde.

Sipas Kurtit, draft-statuti nuk është dokument zyrtar, sepse është refuzuar nga Serbia më 26.10.2023 dhe si të tillë nuk mund ta dërgojë në Kushtetuese.

Presidentja, Vjosa Osmani, është shprehur e bindur se Kosova do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Kjo, sipas saj, është thjesht çështje kohe.

“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, kishte thënë ajo.

Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar më 16.04.2024, në Asamblenë Parlamentare.

Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KiE.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.

Kosova ka aplikuar më 12.05.2022, për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
KQZ publikon rezultatet e para të votave të diasporës të ardhura me postë

KQZ publikon rezultatet e para të votave të diasporës të ardhura me postë

Politikë
​KosovaPress: Kjo është e dyshuara e arrestuar për spiunazh, që e zbuloi AKI

​KosovaPress: Kjo është e dyshuara e arrestuar për spiunazh, që e zbuloi AKI

Siguri
Shpresim Uka refuzon përballjen me Faton Ramadanin në debat, rasti “Kiqina” rikthehet në vëmendje

Shpresim Uka refuzon përballjen me Faton Ramadanin në debat, rasti “Kiqina” rikthehet në vëmendje

Lajme
Avokati Rrecaj: Kërkesa e Kurtit për intervistim në zyre, juridikisht e paqëndrueshme

Avokati Rrecaj: Kërkesa e Kurtit për intervistim në zyre, juridikisht e paqëndrueshme

Drejtësi
Armët dhe uniformat e konfiskuara në veri, Sveçla: Strukturat paralele ende funksionale në Kosovë

Armët dhe uniformat e konfiskuara në veri, Sveçla: Strukturat paralele ende funksionale në Kosovë

Lajme
Vaktia e Ramazanit 2025

Vaktia e Ramazanit 2025

Lajme
Kalo në kategori