LAJMI I FUNDIT:

Origjina e njohjeve përmes kompjuterit

Origjina e njohjeve përmes kompjuterit

Nga: Aine Quinn / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Sipas historianes Francesca Beaumanit, në vitin 1788, një burrë me emrin “AB” vendosi njoftimin e parë personal të njohur në Nju-Jork, në gazetën Impartial Gazetteer. Ai kërkonte një grua “nën moshën 40-vjeçare, jo të deformuar dhe me të paktën një mijë paundë”. Duke e përshkruar veten si “një zotëri i ri me familje dhe pasuri, i sapoardhur në qytet”, njoftimi i tij mund të konsiderohet si biografia e Tinder-it e asaj kohe. Nuk dihet nëse AB mori ndonjë përgjigje, por pothuajse 200 vjet më vonë, Nju-Jorku u bë vendlindja e një qasjeje tjetër novatore ndaj takimeve – kombinimi i çifteve përmes kompjuterit.

Krijuar nga Bob Ross (programues kompjuterik në IBM, jo piktori) dhe kontabilisti Lewis Altfest, Tact – ose Technical Automated Compatibility Testing [Testimi i Automatizuar Teknik i Përputhshmërisë] – u lansua në Nju Jork 60 vjet më parë, në vitin 1965. Fillimisht i kufizuar në Anën e Sipërme Lindore [Upper East Side], shpejt u zgjerua në të gjithë qytetin dhe mijëra njerëz u regjistruan që kompjuteri të gjente se me kë përputhen. Sipas Rossit, çdo person i interesuar duhej të paguante pesë dollarë dhe të plotësonte një pyetësor i cili më pas përdorej për të krijuar përputhje “në tri nivele”: faktorë socio-kulturorë, mendime dhe vlera, si dhe faktorë psikologjikë. Përgjigjet përpunoheshin nga kompjuteri, i cili nxirrte përputhjen e supozuar me gjininë e kundërt. Takimet mes personave të së njëjtës gjini nuk ishin në opsion. “Tact nuk është një klub për zemra të vetmuara”, ka thënë tha Ross për emisionin Tomorrow’s World të BBC-së. “Nuk është një agjenci martesash. Është një mënyrë e re dhe argëtuese për të njohur njerëz të rinj”. Ai theksoi se shërbimi ishte i hapur për “të gjithë njerëzit që duan të argëtohen, nga 18 deri në 45 vjeç”, dhe shtoi: “Njerëzit hyjnë në Tact për arsye të ndryshme. Disa thjesht duan të njohin njerëz të rinj dhe të dalin në takime … disa të tjerë kërkojnë diçka më serioze, duan të krijojnë një marrëdhënie të qëndrueshme, dhe pastaj ka ata që duan të martohen”.


Pyetjet e pyetësorit të Tact u miratuan nga psikologu Dr. Salvatore V. Didato, i cili besonte se ekzistonte “një nevojë e madhe sociale” për shërbimet si kjo. Ai kritikoi shërbimet e tjera të njohjeve duke thënë: “Pretendojnë se përputhin njerëzit bazuar në shumë variabla, por në fund rezulton se i përputhin vetëm sipas moshës, gjinisë, fesë dhe gjatësisë, apo diçkaje të ngjashme”. Pyetësori i Tact-it shkonte më tej, duke përfshirë një seri pohimesh, me të cilat pjesëmarrësit duhej të pajtoheshin ose të mos pajtoheshin. Në një raport të BBC-së, një klient tipik dha këto përgjigje: “Më shqetësojnë marrëdhëniet e mia me njerëzit – po. Më pëlqejnë njerëzit që shprehin haptazi dashurinë – po. Shumicën e kohës veproj si një person i pavarur – jo. Më pëlqen të shkoj në festa – po”.

Megjithëse Tact ishte pjesë e një vale të re teknologjike, nuk ishte shërbimi i parë i takimeve me ndihmën e kompjuterit. Dy krijuesit e tij ishin frymëzuar nga Operation Match, një shërbim i nisur më herët atë vit nga studentë të Harvardit – dekada përpara se studentët e tjerë të të njëjtit universitet të krijonin një mënyrë tjetër të fuqizuar nga kompjuteri për t’i lidhur njerëzit: Facebook-un.

Në vitin 1965, kompjuterët ishin ende një risi. Operation Match duhej të merrte me qira një nga kompjuterët e universitetit për 100 dollarë në orë. Shërbimi u bë shpejt popullor, me mijëra studentë që dërgonin pyetësorët e tyre. “Ti mendoje se kompjuteri ishte Zoti, dhe se kompjuteri dinte gjithçka”, tha bashkëkrijuesi Jeff Tarr për Witness History të BBC-së në vitin 2014. Për habi, vajza e Tarrit më vonë u martua me një nga krijuesit e Match.com, një nga faqet e para të njohjeve në internet. Kompjuteri ofroi një ndjenjë sigurie: në vend që të mbështeteshe te fati për të gjetur partnerin/partneren e duhur, tani mund të përputheshe në mënyrë algoritmike me shpirtin tënd binjak.

Vitet ‘60 të shekullit XX ishin kohë revolucioni. Në Shtetet e Bashkuara, lëvizja për të drejtat civile dhe feminizmi i valës së dytë ishin në kulm. Normat shoqërore po ndryshonin, dhe teknologjia po zhvillohej me shpejtësi: ardhja e kompjuterit përkoi me një shoqëri gjithnjë e më të hapur. Deri në vitin 1969, takimet me ndihmën e kompjuterit – ose të paktën ideja për këtë – ishin bërë aq të zakonshme saqë u shfaqën si pjesë e një episodi të serialit të famshëm Bewitched. Serena, kushërira e Samantës (të dyja të luajtura nga Elizabeth Montgomery), regjistrohet në një shërbim takimesh për të gjetur një bashkëshort të vdekshëm, por përfundon duke u përputhur me një magjistar! Vetë Bob Rossi e gjeti dashurinë përmes Tact-it – edhe pse jo falë kompjuterit. Sipas një artikulli të The New Yorker-it të vitit 2011, ai më vonë u martua me një gazetare që e intervistoi atë për projektin.

Mijëra klientët e gatshëm të Tact-it sinjalizuan një largim nga kultura më formale e takimeve të gjysmës së parë të shekullit dhe një kalim drejt qëndrimeve më moderne. Megjithatë, nuk zgjatën shumë këto shërbime të hershme të përputhjes me kompjuter. Ndërsa disa njerëz gjetën partnerin e tyre ideal, shërbimet kishin disa mangësi fatale. Për shkak se shërbimet kishin për qëllim kryesisht studentët dhe të diplomuarit e klasës së mesme, ekzistonte një grup i kufizuar i përputhjeve të mundshme. Gjithashtu, sistemi ishte i ngadaltë dhe joefikas – mund të duheshin javë të tëra nga momenti kur dërgoje pyetësorin deri kur merrje përputhjet, të cilët pastaj duhej t’i kontaktoje me telefon ose postë. Festat e organizuara nga Tact-i ishin një përpjekje për të afruar ata që përputheshin, pavarësisht distancave që mund të përfshiheshin. Por, edhe kjo mund të ishte e sikletshme. Raporti i BBC-së vërejti se “asnjë ekspert i pranishëm, i marrëdhënieve me publikun, nuk arriti ta gjallëronte festën para se të bëhej terr”, pavarësisht një çmimi për çiftin më të përputhur për “një natë e madhe jashtë në qytet”. Ndoshta pankarta e thjeshtë e varur mes dy koshave të mbeturinave nuk i dha shumë besueshmëri këtij shërbimi!

Edhe pyetjet e pyetësorit lanë shumë për të dëshiruar. Përveç pyetjeve të zakonshme mbi demografinë dhe pëlqimet, seksioni i “mospëlqimeve” përfshinte opsione si “homoseksualët” dhe “çiftet ndër-racore”. Pyetësori luajti gjithashtu me stereotipat: sipas New Yorker-it, burrave iu kërkua të renditnin modelet e flokëve të grave, ndërsa gratë mund të specifikonin se ku mund të gjenin burrin e tyre ideal: duke prerë dru, duke pikturuar në studio ose në një garazh.

Megjithëse krijuesit e Tact-it ishin krenarë për sistemin e tyre me “tri nivele” të përputhshmërisë, shigjetat e tyre të Kupidonit nuk ishin gjithmonë në shënjestër. “Përputhëm një vëlla të madh me motrën e tij më të vogël”, pranoi Ross. “Kjo nuk shkoi edhe aq mirë”. Ai gjithashtu tha se kishin “disa njerëz që nuk ishin shumë të kënaqur pasi dolën në takime”. Në Tomorrow’s World, një kliente e mundshme pyeti Dr. Didato mbi saktësinë e sistemit, pas një eksperience të keqe me një shërbim tjetër: “Ajo specifikoi një kufi moshe dhe mori një burrë 20 vjet më të madh”!

Pavarësisht mangësive të Tact-it, Operation Match-it dhe shërbimeve të ngjashme, njerëzit vazhdojnë ta përdorin teknologjinë për të ndihmuar në gjetjen e dashurisë – nga njoftimet personale në gazeta e deri te shërbimet e takimeve me video, nga faqet e njohjeve në internet te aplikacionet e ndihmuara nga inteligjenca artificiale. Sipas një studimi nga Pew Research, një në 10 persona që kishin një partner në ShBA në vitin 2023, e kishte takuar atë përmes njohjeve në internet. Kur bëhet fjalë për çështjet e zemrës, duket se nuk mund t’i rezistojmë inovacionit të radhës. /Telegrafi/