Dokumente të Departamentit amerikan të Shtetit, publikuar më 2023 (përmbledhur dhe redaktuar nga Melissa Jane Taylor). Dokumentet e tjera që përkojnë me Shqipërinë në përmbledhjen Foreign Relations of the United States, 1981–1988, Volume X, Eastern Europe, mund të gjenden në këtë vegëz: Dokumentet 424-429. Ndërkaq, dokumentet për Jugosllavinë, disa nga të cilat ndërlidhen edhe me situatën në Kosovë, janë në këtë vegëz: Dokumentet 186-256. Memorandumet e përkthyera më poshtë kanë të bëjnë me takimet e Leka Zogut me disa këshilltarë të Sigurisë Kombëtare të presidentit amerikan Ronald Reagan.
Përzgjodhi: Bejtullah Destani
Përktheu: Enik Pogaçe
* * *
MARRËDHËNIET E JASHTME TË SHTETEVE TË BASHKUARA, 1981–1988, VËLLIMI X, EVROPA LINDORE[1]
424. Memorandum i Bashkëbisedimit
Uashington, 20 mars 1981, 5:15–5:45 pasdite
SUBJEKTI
Përmbledhje e takimit të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare me Leka I (Konfidenciale)
PJESËMARRËSIT
Richard V. Allen, Asistent i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare
James W. Nance, Zëvendës Asistent i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare
Janet Colson, Asistente Ekzekutive e Asistentit të Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare
Paula Dobriansky, Anëtare e Stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare
Leka I i Shqipërisë
Abedin Mulosmanaj, Ministër i Oborrit
Admirali Nance çeli takimin duke e pyetur Lekën I për të dhënë një pasqyrë të situatës së tij aktuale dhe pikëpamjet e tij për regjimin aktual shqiptar. (Konfidenciale)
Leka I theksoi se, pas vdekjes së babait të tij në vitin 1961, ai u bë lider i rrjetit shqiptar të mërgatës të udhëhequr nga babai i tij. Kështu, në mesin e viteve 1960, ai filloi të koordinonte përpjekjet e çlirimit brenda dhe jashtë vendit. Ai udhëtoi gjerësisht dhe më në fund u vendos në Afrikën e Jugut. Një nga arritjet e tij kryesore, tha ai, ishte formimi i Këshillit Ushtarak për Integrimin e Shqiptarëve. Leka I vijoi duke e përshkruar regjimin aktual të Shqipërisë nën Enver Hoxhën si të paqëndrueshëm, duke përmendur vështirësitë e mëdha ekonomike të vendit. Për më tepër, ai shtoi se situata e brendshme e Shqipërisë ishte përkeqësuar nga shëndeti i dobët i Hoxhës, i cili kishte precipituar një luftë për pasardhësi. (Konfidenciale)
Në dritën e situatës së brendshme aktuale të Shqipërisë, Leka I pretendoi se ai mund ta rrëzojë regjimin aktual me një periudhë të shkurtër kohe dhe me pasoja minimale ndërkombëtare. Megjithatë, për ta bërë këtë, ai deklaroi se duhet të sigurojë mbështetje morale dhe psikologjike nga ShBA-ja. Ai përmendi se administrata e mëparshme kishte kërkuar nga Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit të mos e mbështesnin operacionin e Lekës, dhe si rezultat, ndihma e tyre ishte ndaluar. Prandaj, Leka I kërkoi që Shtetet e Bashkuara ta ndryshojnë këtë politikë. Ai deklaroi se organizata e tij ka fuqinë njerëzore, aftësitë për depërtim dhe madje një bazë ushtarake, kështu që ata nuk kërkojnë mbështetje materiale nga ShBA, vetëm mbështetje morale dhe një sinjal të qartë për Arabinë Saudite dhe Shtetet e Gjirit për të mbështetur financiarisht operacionin e tij. (Konfidenciale)
Admirali Nance e pyeti se cilat do të ishin pasojat dhe reagimet e pritura nga Evropa Lindore nëse Shqipëria do të çlirohej. (Konfidenciale)
Leka I u përgjigj se nuk parashikon pasoja negative, pasi Shqipëria është e izoluar gjeografikisht dhe ideologjikisht, dhe Bashkimi Sovjetik është aktualisht i zënë me krizën polake. Ai shtoi se ndërhyrja e mundshme e Jugosllavisë është e pamundur për shkak të problemeve të brendshme të saj. Për më tepër, ai deklaroi se, edhe pse shqiptarët në Kosovë dëshirojnë çlirim dhe shpresojnë të ribashkohen me atdheun e tyre, ata nuk do të revoltohen njëkohësisht. Ai tha se donte veçanërisht të largonte frikën tonë për destabilizim të menjëhershëm në Jugosllavi për shkak të çlirimit të Shqipërisë. Leka I gjithashtu përmendi se një ndryshim qeverisjeje do të ishte i favorshëm për ShBA-në, pasi Shqipëria do të lejonte përdorimin e katër porteve të saj.
Në këtë moment mbërriti Richard Allen dhe, pas përshëndetjeve, i kërkoi Lekës I një pasqyrë të pozicionimit të Shqipërisë, komunikimeve dhe tregtisë.
Leka I e karakterizoi Shqipërinë si një “jetim i botës komuniste”, pasi ajo ka ndërprerë lidhjet politike me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Në lidhje me komunikimet e Shqipërisë, Leka deklaroi se ka fluturime ajrore nga Beogradi dhe Athina për në Tiranë. Ai gjithashtu përmendi se partneri kryesor tregtar i Shqipërisë është Jugosllavia.
Allen më pas e pyeti Leka I për strategjinë e tij të çlirimit, kornizën kohore, shumën e mbështetjes financiare që i nevojitet, nëse Afrika e Jugut kishte ofruar ndonjë ndihmë, sa kohë ka vazhduar kjo përpjekje dhe çfarë lloj qeverisjeje parashikonte për Shqipërinë.
Leka I u përgjigj se rrjeti i tij ka qenë operativ që nga vitet 1965-‘66. Ata kanë hartuar tetë plane të ndryshme për të nxitur një revolucion të brendshëm në Shqipëri brenda 2–3 muajve ose gjatë 1-2 viteve të ardhshme. Megjithatë, ekziston nevoja për një katalizator brenda Shqipërisë. Ai përmendi se së shpejti do të zhvendoset në Egjipt, gjë që do ta vendosë më pranë Shqipërisë dhe do ta ndihmojë të vlerësojë më mirë opsionet e tyre të ndryshme dhe të përcaktojë një katalizator të mundshëm. Për më tepër, ai tha se kjo do ta bënte më të lehtë kontaktin me bazën e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, ku po trajnojnë ekipe speciale për të pushtuar Shqipërinë. Nga pikëpamja financiare, Leka I deklaroi se nuk kishte marrë ndihmë nga Afrika e Jugut, por për shkak të përbërjes 75 për qind myslimane të Shqipërisë, ndihma financiare ishte dhënë nga Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit. Ai vlerësoi se i duheshin 20 milionë dollarë, me një rezervë prej pesë milionë dollarësh për të zbatuar me sukses operacionin e tyre. Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk përbënte buxhetin e tyre aktual operativ. Së fundmi, Leka deklaroi se qeverisja e ardhshme e Shqipërisë do të përcaktohej nga një referendum. Pra, nëse Shqipëria do të bëhej republikë apo monarki, kjo do të varej nga populli shqiptar.
Richard Allen e pyeti më tej Leka I sa i njohur ishte ai, cili ishte numri i saktë i mbështetësve të tij dhe cili do të ishte ndikimi i këtij lëvizjeje çlirimtare në Jugosllavi. (Konfidenciale)
Leka I i kërkoi Ministrit të Oborrit që t’i përgjigjej pyetjes së parë. (Konfidenciale)
Mulosmanaj deklaroi se Leka është mjaft i njohur dhe i respektuar mes shqiptarëve. (Konfidenciale)
Leka I më pas refuzoi të zbulojë numrin e saktë të mbështetësve të tij për arsye sigurie. Megjithatë, ai vijoi duke pohuar se pretendimi se një çlirim i Shqipërisë do të shkaktonte një shpërthim të situatës në Jugosllavi dhe do të sillte rusët është i gabuar. Përkundrazi, ai deklaroi se shqiptarët në Jugosllavi do të mbeten të qetë dhe nuk do të revoltohen. [Më pak se dy rreshta të paklasifikuara]. Megjithatë, ai përsëri kërkoi një përgjigje nga z. Allen në lidhje me mbështetjen tonë të mundshme. (Konfidenciale)[2]
Richard Allen u përgjigj se Leka I do të marrë një përgjigje. (Konfidenciale)
* * *
MARRËDHËNIET E JASHTME TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, 1981–1988, VOLUMI X, EVROPA LINDORE
425. Memorandum nga William Stearman i Stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare drejtuar Asistentit të Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare (Allen)[3]
Uashington, 10 prill 1981
SUBJEKTI
Ndihma e kërkuar nga Mbreti Leka I i Shqipërisë
Mbreti Leka dëshiron që ne t’i kërkojmë sauditëve t’i sigurojnë 20 milionë dollarë për ta ndihmuar në financimin e çlirimit të Shqipërisë. Unë rekomandoj që t’i themi se nuk e konsiderojmë të jetë në interesin kombëtar të ShBA-së për ta bërë këtë.[4]
Pata një bisedë të gjatë me Lekën, u konsultova me një ekspert të CIA-s për Shqipërinë dhe shqyrtova me kujdes situatën përpara se të arrija në këtë përfundim. Leka është një avokat simpatik dhe bindës për kauzën e tij, e cila, në izolim, është padyshim e drejtë. (Gjithashtu, më kujtohet se Richard Bissell[5] u raportua si një avokat shumë bindës për pushtimin e Gjirit të Derrave.)
Pa dyshim, asnjë vend evropian nuk është shtypur më shumë nga komunizmi dhe nuk e meriton më shumë çlirimin sesa Shqipëria, bastioni i fundit i stalinizmit. Nga një pikëpamje e të drejtave të njeriut, ne duhet të bëjmë gjithçka për të ringjallur lirinë në atë vend tragjik. Fatkeqësisht, ka faktorë të tjerë mbizotërues që më çuan në përfundimin negativ:
– Shqipëria është vendi më kundër-sovjetik në Evropë. Interesi ynë strategjik në atë vend lidhet me pozicionin e tij kyç në hyrjen e Adriatikut. Ndërsa udhëheqja e Tiranës është gjithashtu kundër ShBA-së (dhe anti-kapitaliste në përgjithësi), më duket e vështirë të besoj se shqiptarët do të përpiqeshin të mohonin forcave të NATO-s hyrjen në Adriatik në rast të një konflikti aktual ose të kërcënuar. Për një gjë, ata vështirë se kanë aftësitë për ta bërë këtë. Ata ende kanë dy nëndetëse sovjetike që mbajtën kur përzunë sovjetikët në fillim të viteve 1960, por asgjë tjetër.
– Leka përgjigjet ndaj kësaj duke këmbëngulur se një Shqipëri e çliruar (e mbështetur nga NATO) mund të kundërshtonte më me efektivitet një pushtim sovjetik. Ndoshta, por gjithashtu ndoshta jo. Nëse përpjekjet e Lekës dështojnë – siç besoj se do të ndodhë – mundësitë për ta afruar Shqipërinë me Perëndimin do të bëhen edhe më të vogla. Askush nuk do të përfitonte nga kjo.
– Nuk mund të besoj se një përpjekje serioze për të çliruar Shqipërinë nuk do të kishte ndikim në shqiptarët rebelë nën sundimin e Beogradit. Pavarësisht pretendimeve të Lekës, nuk mund të ndahet asnjë operacion në Shqipëri nga pasojat e mundshme në Jugosllavi dhe madje në Bullgari. Siç e dini, Beogradi ka pasur probleme serioze me provincën shqiptare të Kosovës. Nëse Jugosllavia do të ishte e vendosur në Gadishullin Iberik, do të promovoja me entuziazëm trazira dhe paqëndrueshmëri të mëtejshme në atë vend; megjithatë, duke pasur parasysh vendndodhjen gjeografike të pasigurt të Jugosllavisë, ne kemi një interes të padëshirueshëm në stabilitetin e saj. Nëse fragmentohet, mund ta merrni me mend kush do të përpiqet të mbledhë copat?
– Pavarësisht mungesës së mbështetjes ose financimit të drejtpërdrejtë nga ShBA-ja për projektin e Lekës, kam pak besim se roli ynë indirekt do të mbetet sekret. Për shembull, si mund të jemi të sigurt se këndvështrimi ynë pozitiv mbi një përpjekje çlirimi nuk do të përdoret për të frymëzuar ata që ftohen të rrezikojnë jetën në këtë përpjekje? (“Allahu dhe Reagan janë në anën tuaj!!”) Lajmi për përfshirjen e ShBA-së në Shqipëri është diçka që nuk na duhet tani. Shikoni protestën dhe zhurmën rreth El Salvadorit.
– Si do të ndikojë kjo në marrëdhëniet tona me sauditët? Nëse i kërkojmë atyre të mbështesin Lekën, ne do t’u detyrohemi politikisht. Do të preferoja të merrnim fondet e tyre për UNITA-n ose për ndonjë kauzë tjetër – nëse do të donim të ndiqnim këtë rrugë indirekte.
– E fundit, dhe ndoshta më pak e rëndësishme, nuk mendoj se plani i Lekës ka ndonjë shans për sukses. Pavarësisht terrenit malor që favorizon aktivitetet guerile, ata do të duhet të përballen me sigurinë më të rreptë në Evropë, nëse jo në botë. Lëvizjet guerile, sipas mendimit tim, nuk mund të kenë sukses të plotë kundër një ushtrie të integruar mirë dhe të vendosur. (Deri më tani, ato kanë pasur sukses vetëm kundër forcave të rregullta të demoralizuara dhe të shpërbëra.) Leka mendon se mund të bindë një pjesë të ushtrisë të dezertojë. Mendoj se po ëndërron. Edhe nëse Leka do të kishte sukses, nuk besoj se ja vlen barra qiranë për të gjitha arsyet e përmendura më lart.
REKOMANDIMI
Që të kontaktoj Mbretin Leka I dhe t’i them se ne nuk jemi të gatshëm të kontaktojmë me sauditët në emër të tij.[6]
* * *
MARRËDHËNIET E JASHTME TË SHTETEVE TË BASHKUARA, 1981–1988, VËLLIMI X, EVROPA LINDORE
426. Memorandum nga William Stearman i Stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare drejtuar Asistentit të Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare (Allen)[7]
Uashington, 15 prill 1981
SUBJEKTI
Mbreti Leka
Mbreti Leka telefonoi sot dhe unë me kujdes i thashë se kishim studiuar me vëmendje kërkesën e tij dhe kishim vendosur kundër qasjes që ai rekomandoi – dmth, t’u kërkonim sauditëve të ndihmonin financiarisht projektin e tij për çlirimin e Shqipërisë. Ai më pas më pyeti nëse kjo nënkuptonte që ne do t’i dekurajonim “ata” (sauditët) nëse do të na afroheshin. Unë iu përgjigja se kjo nuk ishte vendimi që ai kishte kërkuar (ai nuk e kundërshtoi këtë pikë) dhe se do të duhej të merrja një lexim tjetër mbi këtë skenar të fundit; megjithatë, unë i thashë se kishim probleme themelore me gjithë projektin. Unë vazhdova të shpjegoja se, ndërsa ne e vlerësojmë përkushtimin e tij personal ndaj qëllimit të tij, ai duhet të kuptojë se kemi një numër faktorësh të tjerë për t’i marrë parasysh në marrjen e vendimit tonë. (Nuk i thashë kush mori vendimin përfundimtar.)
Mbreti Leka dukej i dorëzuar ndaj përgjigjes sime, të cilën ndoshta e priste, dhe pyeti nëse do të ishte mirë që ai të kontaktonte mua ose Bud Nance në të ardhmen. I thashë se do të ishte, sigurisht, në rregull, por që mund të ishte më mirë nëse ai thjesht do të më kontaktonte mua. (U përpoqa të shpëtoja Bud nga telefonatat e shumta që po merrja nga Lartmadhëria e tij.)[8]
Kam një shqetësim të vazhdueshëm në lidhje me shkëmbimet telefonike që kam pasur me Mbretin: probabiliteti i lartë që thirrjet tona janë monitoruar nga sovjetikët këtu. U përpoqa të qëndroja larg specifikave, por sovjetikët mund të mbledhin dy e dy bashkë, veçanërisht pasi kisha kontroll vetëm mbi njërën anë të bisedës. I thashë Lekës se thirrjet tona ndoshta po monitoroheshin, gjë që e bëri atë mjaft të kujdesshëm.
/Telegrafi/
_____________
[1] Burimi: Biblioteka Reagan, Dosjet e Paula J. Dobriansky, Dosjet e Vendeve, Shqipëria 1981–1982. Konfidenciale. Hartuar më 26 mars. Takimi u zhvillua në dhomën 375 të Ndërtesës së Vjetër Ekzekutive.
[2] Fjalia e fundit ishte shkruar në mënyrë të çrregullt nga një dorë e panjohur.
[3] Burimi: Biblioteka Reagan, Dosjet e Paula J. Dobriansky, Dosjet e Vendeve, Shqipëria 1981–1982. Sekrete. Dërguar për veprim. Në cepin e sipërm të djathtë të memorandumit është stampuar “RVA e ka parë”.
[4] Në pjesën ngjitur me këtë paragraf, Colson shkroi: “Paksa ndryshe nga ajo që na tha. JC.”
[5] Zëvendësdrejtor për Planet në Agjencinë Qendrore të Inteligjencës gjatë administratës Kennedy.
[6] Nance i shkroi një shënim Stearman nën rekomandimin, “Bill-Kërkoni të më telefononi. Bud.” Allen kontrolloi opsionin “Aprovo” dhe shkroi: “Prisni derisa të telefonojë. Pastaj refuzojeni atë me butësi. RVA 4/14.”
[7] Burimi: Biblioteka Reagan, Sekretariati Ekzekutiv, Dosja e Vendeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Evropa dhe Bashkimi Sovjetik, Shqipëria (20/03/1981–27/12/1982). Sekrete. Dërguar për informacion. Në cepin e sipërm të djathtë të memorandumit është stampuar “RVA e ka parë”.
[8] Nance shkroi në kufirin ngjitur me këtë fjali, “Shkëlqyeshëm!”
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëRefuzimi amerikan ndaj kërkesës së Leka Zogut për ta përmbysur Enver Hoxhën me ndihmën e sauditëve
Thënie të thella që nuk pendoheni nëse i lexoni!
Mendja naziste
Fotografi që Marilynit ia hapi dyert e famës
Thënie shkodrane: Zoti të dhashtë bereqet n’tru!
Beethoveni dhe paraja
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Nuk ndalen ofendimet brenda BBVA: 'Komplet familjen atij' – Jozi shan rëndë Gjestin
Kualifikohen 18 skuadra, Man City rrezikon seriozisht eliminimin - situata para ndeshjeve të fundit
Bolton: Me Trumpin mund të ndodh shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë
Maqedonci reagon pas publikimit të letrës së KFOR-it për dërgimin e ushtrisë në veri: S'ka rizotim, por sqarim
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump zbulon se është mbështetës i gjigantit të Ligës Premier
Rikthehet gjakmarrja në Dragoç, familja e autorit të vrasjes ka mbetur e ngujuar