Nga: Gëzim Tushi
Nuk kanë qenë filozofikisht të papritura dhe sociologjikisht të paparashikuara ndryshimet thelbësore që kanë ndodhur në tipologjinë e shoqërisë shqiptare dhe natyrën e njeriut të kohës moderne. Tri dekada më parë ndodhi një revolucion politik dhe social, që solli përmbysje të mëdha të realiteteve, koncepteve sociale, shoqëruar në mënyrë deterministe me shfaqjen e natyrës së njeriut adekuat, kompatibil me këto ndryshime. Kur ndryshon shoqëria dhe parametrat e saj ekzistencialë, do të ndryshojë edhe njeriu si qenie sociale dhe individualitet.
Për pasojë, “njeriu masë”, konformist dhe i “squllët”, i rritur në “kafazin e totalitarizmit” dhe shoqërisht pa individualitet e me sjellje të “totalizuar”, i lidhur forcërisht pas ideologjisë, shtetit etatist, i diktuar nga kornizat e ngurta johumane të moralit kolektivist, i mësuar për t’u përshtatur me “kënetën e turmës”, i detyruar të jetonte sipas parimeve dogmatike e “ketmanët” e një shoqërie artificiale e të kundërnatyrshme, duke kaluar më në fund në një shoqëri të lirë. Në këto kushte, filozofia liberale antikolektiviste dhe njeriu individualist, i shkëputur nga turma e me synime ngushtësisht të personalizuara, u bënë kredot e reja sociale dhe realitetet e një “shoqërie të vërtetë” humane.
Padyshim, nuk mund të bëhemi nihilistë dhe të mohojmë të vërtetën për hopin cilësor që ka ndodhur në jetën e shoqërisë, e cila ka sjellë raporte të reja të vlerësimit dhe respektimit prioritar të synimeve individuale si kuintesencë e shoqërisë së lirë e demokratike në Shqipëri. Kushtet e reja politike, sociale, ekonomike e psikologjike përbëjnë bazamentin material dhe konceptual që mundëson shfaqjen e individit modern, që me gjithë defektet dhe anomalitë politike e sociale të shoqërisë sonë, përgjithësisht është i lirë në jetën personale, i pushtetshëm dhe autonom. Por, nga ana tjetër, nëse bëjmë diagnostikimin e vërtetë të shoqërisë, nuk është vështirë të dallosh se ajo po përballet ashpër me shfaqjen e deformimeve ontologjike të natyrës së njeriut, që ka filluar të operojë me shfaqjet brutale të formave cinike të egoizmit individual, që për hir të sinqeritetit, duhet pohuar se janë të panjohura më parë dhe të kthyera në tipare evidente të individit dhe shoqërisë shqiptare liberale postmoderne.
Kjo është një dilemë e madhe që po përjeton shoqëria shqiptare sot, e cila është e tronditur nga prishja e njëanshme e ekuacionit midis individit dhe shoqërisë, duke e bërë të vështirë përballimin e valës së egocentrizmit të shfaqur në kaosin dhe anarkinë, që e bën të pamundur realizimin e një koncepti social për dimensionin, dëshirat dhe kënaqësitë e njeriut postmodern. Nuk është fjala që të bëjmë “hapa prapa” dhe të kthehemi nga jemi nisur, sepse shoqëria jonë e së kaluarës nuk vlerësonte njeriun si individ dhe personalitet, por nga ana tjetër po bëhet dominante filozofia egoiste e individit që mbivlerëson vetëm. Problemi është që duke qenë akoma në situatë të kakofonisë filozofike, morale e konceptuale dhe për shkak të terreneve të “rrëshqitshme” të jetës moderne, është duke u zgjeruar prirja egoiste materialiste e konsumistike, të cilat janë bërë tipare esenciale morale e të sjelljes sociale të “njeriut egocentrik”, që synon ta vendosë veten në “qendër” të gjithçkaje, pa marrë parasysh nevojën e vlerësimit të “hapësirës sociale”, e cila objektivisht është përtej “ekzistencës individuale”.
Ideja e hipertrofizuar e individualizmit si esencë e lirisë, duke qenë ndjenjë e hipertrofizuar në mënyrë të njëanshme, duke marrë dimension ekscentrik në shoqërinë aktuale, jo vetëm është bërë dukuri toksike, “tumor social” në zhvillim të shpejtë, por akoma më keq, egoizmi dhe egocentrizmi johuman është kthyer në një “kurth” të rrezikshëm të “shkarjeve të subjektivitetit” të njeriut, që gjithnjë e më shumë shfaqet me tipare të theksuara egoistike. Kudo përballemi me njerëz që mendojnë, se ajo që ekziston është “vetja e tyre” dhe nuk duan t’ia dinë se përtej tyre ekziston një realitet, që objektivisht është më i madh se vetja e tyre. Problemi i shfaqjeve të egoizmit dhe egocentrizmit në shoqërinë tonë nuk është i thjeshtë apo vetëm me dimension empirik. Koha ka treguar se në përgjithësi ata njerëz që tërë kuptimin e jetës personale e kanë reduktuar në kufijtë e mbyllur të egoizmit dhe egocentrizmit, të kënaqësive vetjake jashtë kontekstit shoqëror kanë pësuar dështime të thella ekzistenciale. Pikërisht ngaqë mbeten “brenda vetes”, të paorientuar për të gjetur kuptimin e vërtetë të jetës, i cili është jashtë kufijve të mbyllur të egoizmit apo egocentrizmit vetjak.
Unë besoj se disa pasoja që ndeshim në shoqërinë tonë janë të pranishme nga keqkuptimi i thelbit empirik të filozofisë liberale egoiste dhe deformimi paradoksal i tipologjisë individualiste e egocentrike në jetën e sotme shoqërore. Kohët e fundit janë shtuar njerëzit që mendojnë se jeta moderne është tërësisht egocentrike, se ajo është komode dhe mund të bëhet e lirë dhe moderne duke mohuar, neglizhuar, mos pranuar nevojën që ka shoqëria për njerëz, që kanë në themel të personalitetit të tyre, jo vetëm “veten” e tyre, por edhe ndjenja të natyrshme morale dhe sens social. Padyshim, është normale që në shoqërinë tonë të pësojnë ridimensionime të thella konceptet për mënyrën, stilin e të jetuarit. Njerëzit ndihen të çorientuar dhe kanë dyshime ekzistenciale për mundësitë e kufizuara për të jetuar si dikur në megabashkësi supersociale, apo në grupimet me strukturë tradicionale. Por, ndërtimi i jetës moderne, bazuar në parimet liberale dhe individualiste, nuk do të thotë aspak mohim i vlerës së raporteve dhe marrëdhënieve sociale që janë në themel të jetës së njeriut.
Problemi nga mënyra si shfaqet nuk është thjesht empirik apo qoftë edhe sociologjik. Për mendimin tim, ai është thelbësisht filozofik dhe ka nevojë për trajtim me një hermeneutikë të qartë, të saktë në mënyrë që të kemi konvertime të qarta normative dhe subjektive për raportet e ndryshuara midis sociales dhe personales tek njeriu i sotëm. E vërteta është se ka shumë konfuzion dhe interpretime të njëanshme, të sforcuara të këtij raporti të njeriut me egon e tij. A ka ide, mënyra për ta zgjidhur si duhet këtë kolizion, që është sa teorik dhe social, aq edhe empirik, i lidhur me jetën dhe botën reale të njeriut.
Nuk është e lehtë sot të japësh “formula” e të gjesh zgjidhje adekuate për raportet e ndryshuara të njeriut me dimension egoist dhe lidhjeve të tij biunivoke: me “veten” dhe shoqërinë. Është vështirë që në kushtet e një shoqërie të bazuar në ekonominë e tregut, garën individuale, nevojën për sukses e afirmim personal, të kërkosh nga njerëzit që të shmangin tërësisht egoizmin personal apo të kërkosh prej tyre të kenë ideal personal humanizmin social si “përsosmërinë shpirtërore”, si qëllim të parë të jetës së tyre. Janë kushte të reja social-ekonomike e psiko-morale, të cilat diktojnë orientimin e thellë individualist, shoqëruar në shumë raste edhe me një egoizëm konsistent. Madje, në shumë raste edhe të “shfrenuar”. Për fat të keq, egoizmi jo vetëm është bërë “limfë sociale” tejet e përhapur, që rrjedh më shpejtësi në shoqërinë tonë, por ajo që është akoma më e keqe është fakti se këtë ndjenjë e kemi kthyer në kuintesencë, që kultivohet kudo edhe në strukturat sociale, si në familje, shkollë e shoqëri, duke e kthyer atë në mjetin bazë të edukimit personal kryekëput egoist. Duket sikur ka një konsensus social, që ndikon në krijimin e klimës së përbashkët, që i bën të padallueshme dëmet e edukimit egoist. Sociologët modernë mendojnë se, “Egoizmi nuk konsiston në të jetuarit siç dëshiron të jetosh, por në pritshmërinë që të tjetër të jetojnë siç dëshiron ti të jetosh”. Raymond Williams, “Kultura dhe shoqëria” f. 262
Personalisht mendoj se ky lloj edukimi nuk ndihmon për të garantuar nevojën e krijimit, krahas prirjes së natyrshme individualiste dhe të “rregullatorit social”, që do të ndihmonte për “neutralizimin” e agresivitetit të egoizmit patologjik. Nuk mund të mos shqetësohesh si intelektual e sociolog, kur shikon prirjen retrograde të shfaqjeve evidente, zgjerimit të formave banale të egoizmit të pamëshirshëm, që tek shumë njerëz është bërë thelb i personalitetit të tyre. Më saktë, egoizmi është kthyer në një lloj ndjenje personale me intensitet të lartë, duke u bërë tipar i paadministrueshëm, duke u kthyer në një mekanizëm që tenton të bëhet mbizotërues i sjelljes sociale dhe natyrës njerëzore. Është e natyrshme dhe ka shkaqet e veta kjo epidemi e zgjeruar e shfaqjeve të bujshme të egoizmit dhe egocentrizmit tek njerëzit tanë.
Nëse këtë krahasim, do e bëjmë me shoqërinë tonë të së kaluarës, me natyrë të “qetë”, të “fjetur”, të mbuluar nga indiferentizmi e rutina, me shoqërinë e sotme dinamike, individualiste e turbokapitaliste, me synime individuale e qëllime të personalizuara për t’i realizuar me çdo kusht, për të shmangur dështimin dhe mungesën e suksesit të kuptuar në mënyrë materialiste, sempliste e pragmatiste, sigurisht që jo vetëm do gabonim, por edhe do ishim në kundërsens me kohën. Situata që jetojmë sjell shumë përshtypje për sjelljen njerëzore, sepse jemi në një shoqëri liberale, individualiste, likuide, agresive, e shoqëruar vazhdimisht nga frikërat e pasiguritë e dështimit, bashkë me rreziqet dhe anomalitë e natyrshme të jetës së njerëzve tanë. Edhe pse i largët në kohë, por krejt i vërtetë, koherent me kohën konkluzioni i Emanuel Kantit, i cili pranonte se natyra njerëzore është “pjesërisht egoiste” dhe pjesërisht “qenie racionale”, që respekton të tjerët, ligjin dhe shoqërinë.
Është koha për një vështrim të ri të raporteve midis individualizmit, egocentrizmit personal dhe nevojës për një arsye të përbashkët për ndërtimin e marrëdhënieve sociale. Ky është imperativ që kërkon të përpunojmë ato mekanizma, që ndikojnë në përmirësimin e ndërveprimit reciprok midis njeriut dhe shoqërisë, i kombinimit të individuales me socialen, duke respektuar një nivel të caktuar të egocentrizmit, si dëshirë për afirmim personaliteti edhe nevojës për humanizëm dhe respektim të normave të përbashkëta të shoqërisë. Por që në kohën e sotme është kthyer në shqetësim universal ekzistencial, se si mund të ndërtohen raporte ekuivalente, funksionuese midis egocentrizmit, si dëshirë për sukses, afirmim, famë dominante personale mbi të “tjerët” nga njëra anë dhe “shtrëngesës sociale” në kuptimin e një sistemi të përbashkët të vlerave, kuptimeve, marrëveshjeve dhe “shtrëngesave” morale.
Absolutisht i vërtetë konstatimi i filozofit bashkëkohor, Jurgen Habermas, i cili duke bërë diagnostikime të gjëra të patologjive sociale që vijnë nga mbizotërimi i egocentrizmit, ai akuzon si faktor social furnizues të kësaj ndjenje dhe këtyre qëndrimeve morboze disa “zakone instrumentale” egocentrike, si mënyrë e trajtimit të të tjerëve “si mjete për arritjen e qëllimeve personale”. Kjo e shoqëruar me një ndjenjë që ushqen sistematikisht, indiferencën për “fatin e të tjerëve”. Është e natyrshme dhe duhet të pranojmë se shoqëria jonë nuk është duke funksionuar mirë në pikëpamje sociale, morale, shpirtërore e kulturore. “Bota e jetës” sonë është e inonduar nga ekseset e njeriut individualist dhe egoist, të cilët janë kthyer në faktorë negativë, me ndikim keqfunksionues për shoqërinë. Pikërisht nga këto defekte sociale dhe mangësi evidente të funksionimit të mekanizmave, instrumenteve dhe institucioneve bazë të jetës sociale, po shtohen njerëzit egocentrikë, të cilët gradualisht po kthehen në individë me të meta morale.
Egoizmi nuk është liri individuale. Për fat të keq është duke u përhapur gjerësisht, me agresivitet të shfaqur një “matricë konceptuale” individuale dhe sociale, e cila ka sjellë idenë e njeriut të vetëmjaftueshëm dhe egocentrik, të cilët kanë bërë “modus viventi” idenë absurde superindividualiste dhe superegocentrike, sipas të cilës, njerëzit në mënyrë të gabuar mendojnë se asnjë realitet social nuk mund të jetë “përtej meje”. Për pasojë janë shtuar njerëzit që mendojnë se “kufijtë e lirisë” dhe unit i vendos vetë njeriu individualisht. Ky është një nga iluzionet më të dëmshme, që e mban njeriun të mbyllur brenda “kafazit të egos” personale. Besoj se, edhe pse duket ndërmarrje e vështirë psikologjike e sociale për të demotivuar egocentrizmin e njeriut individualist, nuk është e pamundur as “punë sizifiane” ta zbusim këtë “përbindësh social”, nëse punojmë me njerëzit, sidomos fëmijët, të rinjtë për të krijuar koncepte të reja për t’i çliruar nga “kallëpet e ngushta të unit”. Besoj se tani duhet kuptuar qartë ideja, se egoizmi apo shqetësimi për mirëqenien personale nuk mund të jetë antipod me të mirën e përbashkët. /Panorama/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëMemli heq fotot e Nënës Terezës dhe Ibrahim Rugovës
Dita kur Dostojevski ma shprehu dashurinë
Historia e panjohur e shqiptarëve të padëshiruar në Turqi
“Nëse do të shkruash, shkruaj!”
SHTËPIA BUZË DETIT
Po ndodh eksodi nga “X”-i drejt “Bluesky”-t: Ka përfunduar epoka e platformave masive të mediave sociale!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët