LAJMI I FUNDIT:

Incidentet në Policinë e Kosovës, ekspertët kërkojnë më shumë trajnime praktike për rekrutët policorë

Incidentet në Policinë e Kosovës, ekspertët kërkojnë më shumë trajnime praktike për rekrutët policorë

Në ambientet e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, sot është plagosur aksidentalisht një police nga një koleg i saj, nga shkrepja e armës së zjarrit.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) raportoi se incidenti ndodhi në orët e mëngjesit dhe sipas hetimeve paraprake, zyrtarja policore u plagos në këmbë nga një copë gëzhoje e plumbit që u shkrep aksidentalisht.

Kjo ngjarje ka ngritur pyetje serioze rreth sigurisë dhe profesionalizmit në përdorimin e armëve nga zyrtarët policorë.


Refki Morina, kolonel i pensionuar i Policisë së Kosovës, në Tv Dukagjini shprehu shqetësim për këtë incident, duke e quajtur një shenjë të mungesës së trajnimit të duhur të policëve për përdorimin e armëve të zjarrit.

Morina theksoi se ky nuk është një rast i izoluar dhe se incidente të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë.

Ai kritikoi qasjen aktuale të trajnimeve dhe sugjeroi një qasje më të rreptë dhe të vazhdueshme në Akademinë Policore.

“Unë mendoj se instruktorët në Akademinë Policore duhet t’u kushtojnë më shumë orë policëve të rinj. Mësimit me armë, manipulimit me armë, mënyra e përdorimit të armës, mënyra e shpejtësisë së armës kur nxirret nga kthehet. E gjitha kjo do të thotë duhet të shtohet numri i orëve”.

Sipas tij, policët e rinj që hyjnë në shërbim, shpesh janë të papërgatitur për të përdorur armën në mënyrë të sigurt, duke qenë se për shumë prej tyre është hera e parë që kanë kontakt me armët e zjarrit.

Në veçanti, Morina vuri në dukje nevojën për mësim të përhershëm mbi mënyrat e manipulimit të armës, nga montimi dhe çmontimi deri te nxjerrja dhe përdorimi i saj në situata të ndryshme.

Ai sugjeroi që të organizohen ushtrime dhe mësime praktike të rregullta, duke përfshirë një herë në javë ose dy herë në muaj, në mënyrë që të rinjtë të përvetësojnë çdo aspekt të përdorimit të armëve.

Në një deklaratë tjetër, Fitim Shishani, ish-kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, shprehu shqetësim të thellë për fenomenin e shkrepjeve aksidentale të armëve në polici.

Ai theksoi se këto incidente janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me seriozitet të madh.

“Po mendoj që çdo dukuri e tillë është shqetësuese edhe për ta, po edhe për ne, për qytetarët e gjithë, sepse kjo nuk guxon të bëhet si dukuri”, deklaroi ai.

Shishani sugjeroi se përveç trajnimeve teknike, është thelbësore që policët të marrin mbështetje psikologjike të vazhdueshme, duke qenë se puna e tyre përfshin situata stresuese që mund të ndikojnë në aftësinë e tyre për të përdorur armët në mënyrë të sigurt.

“Konsideroj se është e vërtetë se duhet se plan programet mësimore në Akademinë për Sigurinë Publike të zgjerohen në aspektin e trajtimit më të gjatë të trajnimit me armë. Por edhe aspekti psikologjik të policia, sidomos edhe të secilit individ që bart një armë është shumë i rëndësishëm të krijohet mundësia e trajnimeve psikologjike për ata që bartin armë”.

Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së psikologëve në trajnimet policore, duke sugjeruar që çdo stacion policor të ketë monitorim të gjendjes psikologjike të zyrtarëve policorë.

Shishani e quajti këtë një hap të rëndësishëm për parandalimin e incidenteve aksidentale si ky, duke sugjeruar që duhet të krijohet një komision i posaçëm për të mbikëqyrur proceset e trajnimeve, si në aspektin teorik ashtu edhe praktik.

Ky incident ka nxitur një diskutim më të gjerë në lidhje me standardet e trajnimit në Policinë e Kosovës dhe nevojën për përmirësime të mëtejshme në menaxhimin e armëve të zjarrit. Ndërsa armët janë një pjesë thelbësore e punës së policisë, incidentet e tilla tregojnë rrezikun që paraqet përdorimi i papërgatitur ose neglizhimi i procedurave të sigurisë.

Rishikimi i plotë i mënyrës së trajnimit dhe monitorimit të policëve duket të jetë një hap i domosdoshëm për të siguruar që siguria e zyrtarëve dhe qytetarëve të jetë në nivelet më të larta./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori