LAJMI I FUNDIT:

Ukraina njofton lirimin e 49 personave në shkëmbimin e fundit të të burgosurve me Rusinë

Ukraina njofton lirimin e 49 personave në shkëmbimin e fundit të të burgosurve me Rusinë

Në atë që përfaqëson një dritë të rrallë në sfondin e një lufte rraskapitëse dyvjeçare e gjysmë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se Ukraina ka siguruar lirimin e 49 personave të mbajtur rob nga ushtria ruse, në shkëmbimin e fundit të të burgosurve me Moskën.

Marrëveshja u ndërmjetësua nga Emiratet e Bashkuara Arabe, tha një zëdhënës i agjencisë së inteligjencës ushtarake të Ukrainës.

“Një tjetër kthim i popullit tonë – diçka që ne gjithmonë presim dhe punojmë pa u lodhur për ta arritur. Ne duhet të sjellim në shtëpi secilin nga njerëzit tanë, si ushtarakë ashtu edhe civilë”, tha Zelensky duke njoftuar shkëmbimin e 56-të me Rusinë, shkruan skynews.


Siç raporton shefi i tij i shtabit, Andriy Yermak, ukrainasit e liruar përfshinin shtatë civilë së bashku me personelin e forcave të armatosura, gardës kombëtare, policisë dhe shërbimit të rojes kufitare.

Ukraina nuk tha se sa rusë ishin liruar. Ndërsa Moska ende nuk ka komentuar mbi shkëmbimin.

Pamjet e shpërndara nga Ukraina nga një vend i panjohur tregojnë persona duke u përshëndetur me lule e përqafime. /Telegrafi/