LAJMI I FUNDIT:

Ndërvarësia në rrugëtimin Evropian të Ballkanit Perëndimor

Ndërvarësia në rrugëtimin Evropian të Ballkanit Perëndimor
Ilustrim

Dael Dervishi

A është Perëndimi duke i dhënë përparësi stabilitetit afatshkurtër në Ballkanin Perëndimor, në dëm të reformave demokratike afatgjata? Si ndikon politika e jashtme e Serbisë dhe lidhjet me Rusinë në strategjinë afatgjatë të saj drejt integrimit në BE? Sa ndikojnë politikat e Serbisë në integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian?

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, politika e zbutjes (appeasement) është një koncept që ka nxitur debate të gjata dhe komplekse. Ajo nënkupton përpjekjet për të qetësuar ose ulur tensionet me një shtet potencialisht “problematik”, shpesh për të ruajtur stabilitetin rajonal ose global. Por, historia ofron shembuj të shumtë se si përpjekjet për zbutje shpesh dështojnë në parandalimin e përshkallëzimit të konflikteve dhe në vendosjen e paqes afatgjatë.


Një prej rasteve më të njohura është politika e zbutjes ndaj Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, veçanërisht gjatë Détente-s në vitet 1970. ShBA-ja dhe aleatët perëndimorë tentuan të reduktonin tensionet përmes marrëveshjeve diplomatike si Marrëveshjet e Helsinkit dhe traktatet SALT I dhe II, për të shmangur një konflikt bërthamor. Por, kritikët argumentuan se kjo politikë i lejoi Moskës të përhapte ndikimin e saj në Evropën Lindore dhe të mbështeste lëvizjet marksiste në Afrikë dhe Amerikën Latine. Ndërkohë që vetëm reformat e Gorbachevit në vitet 1980 sollën ndryshime reale dhe ulën tensionet.

Një tjetër shembull i politikës së zbutjes është marrëdhënia e fuqive perëndimore me regjimin e Saddam Hussein në vitet 1980. Për të kufizuar ndikimin e Iranit pas Revolucionit Islamik, shumë vende mbështetën Sadamin gjatë luftës Iran-Irak, pavarësisht përdorimit të armëve kimike prej tij. Megjithëse kjo pati disa përfitime strategjike, nuk arriti të ruajë stabilitetin afatgjatë. Në fakt, pushtimi i Kuvajtit nga Iraku në 1990 përshkallëzoi një konflikt të ri, duke dëshmuar se politikat e zbutjes shpesh nuk zgjidhin problemet e regjimeve autoritare.

Shembuj të këtillë janë të shumtë. Edhe në Ballkanin Perëndimor, një rast i ngjashëm ka ndodhur me politikën e zbutjes ndaj Slobodan Milosheviqit. Fillimisht, Perëndimi ndoqi një politikë të tillë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë për të ruajtur stabilitetin, kujtojmë këtu Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995. Megjithatë, Milosheviqi vazhdoi agresionin e tij, veçanërisht në Kosovë, gjë që çoi në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999.

Politikat e zbutjes ndaj Serbisë, një perspektivë e re

Në vitet e fundit, termi “zbutje” ka marrë një jehonë të re në kontekstin e Ballkanit Perëndimor, teksa Serbia është bërë objekt i kritikave për mënyrën se si Perëndimi, veçanërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kanë zgjedhur të qasen ndaj qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiq. Këto politika kanë sjellë dilema të thella në Perëndim midis ruajtjes së stabilitetit në rajon dhe promovimit të demokracisë.

Kritikët e politikës perëndimore ndaj Serbisë argumentojnë se zbutja e Vuçiqit rrezikon të zhbëjë standardet demokratike dhe stabilitetin afatgjatë. Përmes këtyre politikave, Serbia ka arritur të përfitojë nga marrëdhëniet e mira me Perëndimin, pa bërë reforma të mëdha politike dhe pa zgjidhur çështje të ndjeshme si ajo e Kosovës apo lidhjet e ngushta me Rusinë.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme të kujtojmë se Serbia historikisht ka ndjekur një politikë të ekuilibruar midis Lindjes dhe Perëndimit, një qasje që ka pasur rrënjët e saj që nga periudha e Jugosllavisë së Josip Broz Titos. Edhe sot, Serbia ruan marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Moskës, ndonëse vazhdon të kërkojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Reagimet ndërkombëtare

Politika e zbutjes ndaj Serbisë ka qenë një objekt debati jo vetëm në Bashkimin Evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara. Në maj të vitit 2023, kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit Amerikan, senatori Bob Menendez, kritikoi ashpër administratën e presidentit Joe Biden për qasjen ndaj Vuçiqit, duke e quajtur atë një formë të zbutjes. Sipas Menendezit, presioni i njëanshëm mbi Kosovën dhe tolerimi i lidhjeve të Vuçiqit me krimin e organizuar ishin dëshmi të një politike të zbutjes që favorizon stabilitetin afatshkurtër mbi demokracinë dhe drejtësinë.

Në të njëjtën kohë, në Parlamentin Evropian, deputeti Bueti kritikoi politikën e zbutjes së Komisionit Evropian ndaj Serbisë, duke akuzuar Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, për mbështetje të politikave autoritare. Këto akuza pasqyrojnë pakënaqësinë në rritje brenda institucioneve evropiane për mënyrën se si Serbia përfiton nga statusi i saj si kandidat për në BE, pa përparuar në zbatimin e reformave demokratike.

Çështja e Kosovës dhe tensionet e vazhdueshme

Një nga çështjet më të ndjeshme në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Perëndimit është ajo e Kosovës. Ndërkohë që shumica e vendeve perëndimore e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, Serbia vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e saj. BE-ja ka tentuar të ndërmjetësojë një dialog midis dy vendeve, por përparimet kanë qenë të kufizuara. Shumë analistë besojnë se BE-ja ka bërë lëshime të mëdha ndaj Serbisë për të ruajtur paqen, gjë që ka krijuar perceptimin se Beogradi po shpërblehet për moszgjidhjen e çështjeve të ndjeshme. Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, tensionet midis Serbisë dhe Kosovës mbeten të larta, duke përforcuar idenë se politikat e zbutjes nuk kanë arritur të adresojnë rrënjët e vërteta të konfliktit.

Vuçiqi dhe rritja e autoritarizmit

Aleksandar Vuçiq, presidenti aktual i Serbisë, ka dominuar skenën politike serbe për më shumë se një dekadë. Edhe pse Vuçiq përpiqet të paraqitet si një modernizues dhe një lider i ekuilibruar, kritikat për autoritarizëm dhe kontrollin e medias janë shtuar. Ka opinione të shumta se Serbia po shkon drejt një “demokracie të kontrolluar”, ku institucionet e pavarura janë dobësuar dhe opozita ka pak hapësirë.

Pavarësisht kritikave, Serbia vazhdon të përfitojë nga procesi i integrimit në BE, duke marrë fonde dhe përfitime ekonomike pa përmbushur standardet evropiane për demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe politika e neutralitetit

Një nga çështjet më komplekse në marrëdhëniet e Serbisë me Perëndimin është qëndrimi i saj ndaj Rusisë. Serbia ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me Moskën, veçanërisht në fushën e energjisë dhe mbështetjes diplomatike, të forcuara nga lidhjet historike dhe fetare. Serbia ka shpallur neutralitetin ushtarak, duke refuzuar anëtarësimin në NATO, ndonëse bashkëpunon me të përmes Partneritetit për Paqe. Ky qëndrim forcon imazhin e saj si një lojtar i pavarur, por ngre pyetje për rrugën e saj drejt BE-së. Ndikimi i Rusisë, sidomos në çështjen e Kosovës dhe fushën energjetike, vështirëson presionin e Perëndimit mbi Serbinë.

Ja disa aspekte kyçe për të kuptuar intensitetin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Serbisë:

– Ndikimi politik

Ndikimi politik i Rusisë në Serbi është mirë i dokumentuar. Ai shpesh manifestohet përmes mbështetjes së partive nacionaliste dhe politikanëve që favorizojnë lidhje të ngushta me Moskën. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ndonëse përpiqet të balancojë marrëdhëniet me Rusinë dhe Perëndimin, mban lidhje të ngushta me Kremlinin, pjesërisht për shkak të ndjenjave të forta pro-ruse në mesin e një pjese të popullit serb. Nga ana tjetër, Rusia mbështet Vuçiqin në çështje kyçe si Kosova, duke forcuar legjitimitetin e tij të brendshëm.

Ndikimi politik i Rusisë shpesh ndodh përmes fuqisë së butë, ku ajo prezantohet si mbrojtëse e vlerave sllave dhe ortodokse, duke u identifikuar me identitetin kombëtar serb. Kjo lidhje kulturore bën që Rusia të jetë një aleat tërheqës për fraksionet nacionaliste të Serbisë.

– Mediat dhe lufta e informacionit

Rusia ushtron një ndikim të madh mbi opinionin publik serb përmes mediave të sponsorizuara nga shteti, si Sputnik Serbia dhe RT (Russia Today). Këto media përhapin narrativa pro-ruse, shpesh kritike ndaj Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Perëndimit në përgjithësi, ndërsa promovojnë idenë e një vëllazërie të fortë sllave. Këto platforma përforcojnë ndjenjat anti-perëndimore dhe retorikën nacionaliste, duke përhapur narrativa që përputhen me interesat e politikës së jashtme ruse, si kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës dhe kritikat ndaj përfshirjes së NATO-s në rajon. Përmes këtyre mediave, Rusia shpesh angazhohet në fushata dezinformimi, duke shpërndarë teori konspirative dhe informacion të rremë për të krijuar ndarje dhe konfuzion brenda publikut serb, sidomos rreth çështjeve të integrimit të Serbisë në BE dhe marrëdhënieve me Perëndimin.

– Ndikimi ekonomik

Rusia ushtron ndikim të konsiderueshëm ekonomik në Serbi, kryesisht përmes kontrollit të burimeve energjetike. Serbia është shumë e varur nga gazi natyror rus, dhe gjiganti shtetëror rus Gazprom zotëron një pjesë të madhe të kompanisë serbe të gazit Naftna Industrija Srbije (NIS). Kjo i jep Rusisë fuqi të madhe mbi sigurinë energjetike të Serbisë, veçanërisht në kohë tensionesh gjeopolitike. Investimet ruse në infrastrukturën serbe dhe sektorë të tjerë gjithashtu e forcojnë këtë ndikim, duke bërë që marrëdhëniet ekonomike të përdoren si një mjet për të mbajtur Serbinë të lidhur me Moskën si dhe duke e bërë më të vështirë për Serbinë të bashkohet plotësisht me BE-në.

– Bashkëpunimi Ushtarak

Rusia ka qenë një partner i rëndësishëm ushtarak për Serbinë, duke ofruar armë, trajnim ushtarak dhe bashkëpunim strategjik. Serbia ka marrë nga Rusia pajisje ushtarake si avionët MiG-29, tanket T-72 dhe sistemet e mbrojtjes ajrore Pantsir-S1. Stërvitjet ushtarake të përbashkëta, si “Vëllazëria Sllave”, forcojnë më tej marrëdhëniet ushtarake mes dy vendeve.

– Çështja e Kosovës dhe mbështetja diplomatike ruse

Një nga fushat më të dukshme të ndërhyrjes ruse në Serbi është mbështetja e saj për Serbinë në çështjen e pavarësisë së Kosovës. Rusia ka mbështetur vazhdimisht Serbinë në arenën ndërkombëtare, duke kundërshtuar njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Me fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia ka bllokuar përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe ka ndihmuar në mbështetjen e pozicionit serb në forumet ndërkombëtare.

– Ndikimi kulturor dhe fetar

Rusia përdor trashëgiminë e përbashkët të Ortodoksisë së Krishterë për të forcuar fuqinë e saj të butë në Serbi. Kisha Ortodokse Serbe mban lidhje të ngushta me Kishën Ortodokse Ruse, dhe Moska përdor diplomacinë fetare dhe kulturore për të ndërtuar një ndjenjë të përbashkët identiteti midis dy kombeve.

Kjo lidhje është veçanërisht e dukshme në projekte si financimi i Katedrales së Shën Savës në Beograd, e cila shërben si një simbol i lidhjeve të thella fetare dhe kulturore midis Rusisë dhe Serbisë. Këto lidhje fetare dhe kulturore ndihmojnë në përforcimin e imazhit të Rusisë si një aleat natyror dhe mbrojtëse e Serbisë përballë Perëndimit.

– Lufta Hibride dhe aktivitetet e inteligjencës

Ka pasur raste kur Rusia është përfshirë në operacione sekrete për destabilizimin e Ballkanit, përfshirë edhe Serbinë. Në vitin 2016, për shembull, agjentë rusë u përfshinë në një përpjekje për grusht shteti në Mali i Zi, duke synuar të parandalonin anëtarësimin e tij në NATO. Edhe pse kjo nuk ndodhi në Serbi por në një vend fqinj si Mali i Zi, ajo tregoi gatishmërinë e Rusisë për të ndikuar në politikën Ballkanike.

Gjithashtu, në Serbi, agjencitë e inteligjencës ruse janë të dyshuara për lidhje me grupe nacionaliste dhe elementë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë, të cilët mund të përdoren për të ushtruar ndikim në situata të ndjeshme politike apo sociale.

Ndërhyrja e Rusisë në punët e brendshme të Serbisë është një strategji e mirëmenduar për të ruajtur ndikimin e saj në Ballkan, një rajon që ka qenë gjithmonë një arenë gjeopolitike midis Lindjes dhe Perëndimit. Përmes mjeteve politike, ekonomike, ushtarake dhe kulturore, Rusia punon për të siguruar që Serbia të mbetet e lidhur me interesat e saj, veçanërisht në lidhje me Kosovën dhe axhendën e saj më të gjerë gjeopolitike në Evropë.

Zbutje apo diplomaci?

Këto zhvillime ngrenë një pyetje thelbësore: A është politika e zbutjes ndaj Serbisë një strategji për të ruajtur stabilitetin në një rajon të ndërlikuar siç është Ballkani, apo një dështim për të përmbushur standardet demokratike dhe sundimin e ligjit? Për shumë kritikë në BE dhe SHBA, tolerimi i veprimeve të Serbisë dhe mungesa e presionit të mjaftueshëm për reformat e nevojshme janë shembuj të politikave të zbutjes që përfundojnë duke favorizuar stabilitetin afatshkurtër mbi demokracinë afatgjatë.

Por, nga ana tjetër, një shtim i presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë mund të vijonte të forconte ndjenjat anti-perëndimore në mesin e popullit serb dhe të çonte në rritjen e mbështetjes për Vuçiqin dhe politikat e tij autoritare. Për më tepër, ky presion mund edhe të afronte më tej Serbinë me Rusinë dhe Kinën, duke krijuar një hendek edhe më të madh midis saj dhe Perëndimit.

Pra, politikat e zbutjes ndaj Serbisë krijojnë një ndasi midis atyre që mbështesin një qasje të butë për të ruajtur stabilitetin dhe atyre që kërkojnë presion më të madh për reformat demokratike. Për shkak të pozitës së saj gjeopolitike dhe rolit si aktor kryesor në rajon, Serbia ndikon jo vetëm në stabilitetin e brendshëm të Ballkanit, por edhe në perceptimin që BE ka për të gjithë rajonin. Perëndimi e sheh Ballkanin Perëndimor të ndarë midis dy faktorëve kryesorë, faktorit shqiptar dhe atij serb.

Kur vjen fjala për integrimin, duket e vështirë që njëri prej dy vendeve, Shqipëria apo Serbia, të anëtarësohet në BE përpara tjetrit. Cilido prej të dyve që do të bëhej anëtar i BE-së më parë, me shumë gjasa do të kushtëzonte ushtrimin e të drejtës së vetos për anëtarësimin e tjetrit për shkak të çështjeve të hapura, siç është ajo e Kosovës. Njëkohësisht, mbetet e vështirë të imagjinohet që Ballkani Perëndimor mund të integrohet plotësisht në BE pa përfshirjen e Serbisë. Në rast se Serbia mbetet jashtë këtij procesi, kjo do të krijonte një “geto” në mes të Evropës, duke penguar jo vetëm përparimin e Serbisë, por duke ndikuar negativisht edhe në stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit. Vetëm përmes reformave të thella demokratike dhe zgjidhjes së konflikteve të hapura, Serbia dhe vendet e tjera të Ballkanit mund të afrohen drejt një të ardhmeje evropiane të përbashkët dhe të qëndrueshme.

Në trend

Më shumë
Aktakuza për të dyshuarit për sulmin në Banjskë, Stano: Presim përfundimin e procesit gjyqësor për të ndërmarr veprime

Aktakuza për të dyshuarit për sulmin në Banjskë, Stano: Presim përfundimin e procesit gjyqësor për të ndërmarr veprime

Lajme
Çfarë janë raketat Storm Shadow dhe pse janë vendimtare për Ukrainën?

Çfarë janë raketat Storm Shadow dhe pse janë vendimtare për Ukrainën?

Evropa

"Ma bëri dhuratë Golf 2-shin", Faruk Statovci tregon se si u befasua nga presidenti i ndjerë i Dritës, Selami Osmani

Superliga

"Nuk mund ta ndalonte askush", Zidane tregon bashkëlojtarin më të mirë me të cilin ka luajtur

La Liga

"I kam lënë 15 milionë euro në konto", "Keqpërdorime të detyrës" - "Trepça" përplas deputetin Shala me ministren Rizvanolli

Ekonomi
Degradohet ambienti në Jezercë të Ferizajt, institucionet kërkojnë bashkëpunim të qytetarëve për identifikim të kompanive

Degradohet ambienti në Jezercë të Ferizajt, institucionet kërkojnë bashkëpunim të qytetarëve për identifikim të kompanive

Agim Ademi
Kalo në kategori