LAJMI I FUNDIT:

“Më është mpirë krahërori, u mbush dora gjak”, rrëfimi i Emin Kelmendit për dhunën nga UDB-ashët

“Më është mpirë krahërori, u mbush dora gjak”, rrëfimi i Emin Kelmendit për dhunën nga UDB-ashët

Në një rrëfim emocionues, Emin Kelmendi, ish i burgosuri politik, ka ndarë përvojën e tij të tmerrshme nga demonstratat e vitit 1981.

Ai ka kujtuar se si, në moshën 15 vjeçare, për herë të parë e kuptoi padrejtësinë dhe diskriminimin e sistemit të atëhershëm jugosllav.

Kelmendi, i cili ishte i angazhuar në demonstratat e 81-ës, përshkruan momentin kur gjatë protestave iu bashkua grupit të studentëve dhe u përball me dhunën e policisë.


Ai rrëfen se pas një sulmi me lotsjellës, kur kishte ndjerë një dhimbje të papritur në kraharor, kishte menduar se ishte nga gazrat tymues, vetëm për të zbuluar më vonë se ishte plagosur rëndë.

“Policia kordon rrugës dhe dikush ka aktivizuar një kamion e ka lëshu pa njeri dhe është përmbys më pas kanë filluar të shtënat me armë zjarri. Erdhën lajmet që dikush u plagos atje. Erdhi lajmi që më thanë se është vra Salih Abazi, koleg i punës. Pastaj unë mendova të shpërndahemi dhe të takohemi të nesërmen përsëri në të njëjtin vend te puna. Atëherë e kam ndier që më është mpirë krahërori. Mirëpo unë mendova që është bombol gazi që i hidhinin ata si tymues unë as nuk u rrëzova asnjë gjë vetëm e mbaja krahërorin se kisha një shtrëngim ata që kisha afër thoshin se o u plagos edhe kur i dëgjova e shikova dorën më ishte mbushur gjak. Filloi të më lëshonte fuqia dhe ata më kapën, doli një burrë i gjatë me plis me xhamadan edhe iu tha sille te na. Më dërguan në shtëpi të tyre edhe po i thonë thirre doktorin por u operova në spital”, ka rrëfyer ai në Debat Plus në RTV Dukagjini.

Pas kësaj, ai u transportua në një spital, ku mori ndihmë mjekësore. /Dukagjini/