LAJMI I FUNDIT:

‘Prindit, ia kanë kallë zemrën…’ – ndërpritet seanca lidhur me vrasjen në Mitrovicë

‘Prindit, ia kanë kallë zemrën…’ – ndërpritet seanca lidhur me vrasjen në Mitrovicë

Shefki Asllani, i akuzuari për vrasjen e 27 vjeçarit pas një mosmarrëveshje që lindi pas një bisede rreth rritjes ose jo të fikut në Kosovë, sot më datë 22.08.2024 u ulë në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit.

Kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, konstatoi mospraninë e ekspertit Arsim Gashi pas një njoftimi të datës 06.08.2024 të cilin doktori Gashi ia kishte përcjellur gjyqtares për mungesën e tij në këtë seancë.

Gjyqtarja Elezi pyeti prokurorin e rastit Genc Nixha nëse mbetej prapa propozimit për të vazhduar seancën në mungesën e doktor Gashit, e që prokurori u pajtua që të vazhdohej tutje me gjykimin.


Në anën tjetër, avokati Abit Asllani, si përfaqësues i palës së dëmtuar kërkoi që seanca të mos vazhdojë.

“Fatkeqësisht anëtari kryesor sipas nesh, i cili është dashtë të jetë prezent mungon dhe ne kemi pas nevojë që të parashtrojmë pyetje pikërisht ekspertit të psikiatrisë të forenzikës doktor Arsim Gashi, pa e nënçmuar në asnjë pikë rolin e të dy anëtarëve të tjerë të komisionit’’ – tha avokati Asllani.

Ndërsa, prokurori Nixha tha se nuk do të ishte pajtuar që të vazhdohej me gjykimin nëse do të ishte i njohur me këto rrethana.

Lidhur me këtë edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokat Shpëtim Mehmeti u shpreh se sot në seancë u informuan për mungesën e ekspertit Arsim Gashi. Ai shtoi se ‘’konsideroj në këtë rast duhet të jemi bashkëpunues të gjitha palët duke mos i mohuar as mbrojtësit e familjes së dëmtuar’’.

Ndërsa, përfaqësuesi i të akuzuarit Shefki Asllani, avokat Mahmut Halimi, ndër të tjerash tha se: “Në praktikën shumë të vjetër gjyqësore në Republikën e Kosovës edhe para luftës dhe pas luftës gjithmonë te ekspertizat është thirrë vetëm kryetari i komisionit duke pas parasysh që gjatë kryerjes së një ekspertize të caktuar përkatësisht ekzaminimi institucional brenda entit ose organit ku është kryer në këtë rast instituti i forenzikës të gjithë ata ekspertë janë të emëruar nga drejtori i institutit dhe po ashtu caktohet edhe detyra e kryetarit të komisionit, i cili e udhëheq në mënyrë të përbashkët dhe pa u ndarë asnjëherë’’.

‘’Kështu që me përfundimin e observimit të një personi të caktuar nga tre anëtarë të komisionit përpilohet raporti me shkrim, vërtetësinë e të cilit e nënshkruajnë të tre anëtarët e komisionit dhe çka është këtu, a është në pyetje mosbesimi ndaj organit le të deklarohen secili veç e veç, kërkoj prokurorit, kërkoj palës, kërkoj përfaqësuesit të palës së dëmtuar’’ – tha avokati Halimi.

‘’Nëse keni informacione se është korruptuar dikush këtu, ju lutem le të caktohet në Zvicër, Angli, Gjermani, ku të doni caktoni’’ – shtoi avokati Halimi.

Ndërsa pas kësaj pala e dëmtuar reagoi, ndër të tjera drejtuar trupit gjykues i thanë ‘’prindit ja kanë kallë zemrën – ja ka vra djalin’’.

Gjyqtarja Elezi bëri të ditur se nuk do të vazhdohet me seancë për shkak se është prishur rendi në sallën e gjykimit.

Ngjarja tragjike sipas aktakuzës ka ndodhur në tregun e Mitrovicës më 17 prill 2021.

Në këtë rast, Shefki Asllani nga Prokuroria po akuzohet për veprën penale – vrasje e rëndë.

Prokuroria e Mitrovicës më 28 tetor 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit për veprën penale – vrasje e rëndë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17 prill 2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta V. F.

Në aktakuzë thuhet se pas një fjalosjeje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut, vjen deri te konflikti fizik, ku së pari V. F. e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç‘rast i pandehuri nxjerr revolen nga brezi dhe e qëllon viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit, si pasojë e të cilave vdes.

Si pasojë e të shtënave nga i pandehuri, janë plagosur edhe L. F. si dhe kalimtari i rastit, A. A.

Ndryshe çështja është transferuar në Gjykatën e Prizrenit nga Gjykata e Mitrovicës pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në nëntor të vitit 2022, raporton Kallxo.

Në trend Lajme

Më shumë
Doli në transmetim direkt me bluzën e Serbisë, gazetari: Kërkoj ndjesë, kam lënduar nëna fëmijësh të vrarë

Doli në transmetim direkt me bluzën e Serbisë, gazetari: Kërkoj ndjesë, kam lënduar nëna fëmijësh të vrarë

Prokuroria jep detaje për vrasjen në Prishtinë, dyshohet se motivi ishin problemet familjare

Prokuroria jep detaje për vrasjen në Prishtinë, dyshohet se motivi ishin problemet familjare

Vrasja e rëndë në Prishtinë, Policia: Janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha

Vrasja e rëndë në Prishtinë, Policia: Janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha

Kosova përfiton grantin nga USAID-i në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh, Osmani: SHBA-të mbeten një partner i palëkundur i popullit të Kosovës

Kosova përfiton grantin nga USAID-i në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh, Osmani: SHBA-të mbeten një partner i palëkundur i popullit të Kosovës

Vrau kunatin me armë zjarri në Prishtinë - vetëdorëzohet dorasja

Vrau kunatin me armë zjarri në Prishtinë - vetëdorëzohet dorasja

Peci: Sistemi i drejtësisë ia bllokon shtetit kthimin e pronës publike në Ulpianë

Peci: Sistemi i drejtësisë ia bllokon shtetit kthimin e pronës publike në Ulpianë

Kalo në kategori