LAJMI I FUNDIT:

Sindroma e Stokholmit dhe arti i negociatave

Sindroma e Stokholmit dhe arti i negociatave
Forcat policore jashtë bankës “Sveriges Kreditbanken” në Stokholm, më 23 gusht 1973

Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

“Por, Sven, është thjesht në këmbë”.

Këto ishin fjalët e 23-vjeçares Kristin Enmark, e cila ishte një nga katër personat që nën kërcënimin e armëve u mbajtën peng në një bankë suedeze. Ishte dita e dytë e rrethimit dhe grabitësi Jan-Erik Olsson donte t’i tregonte policisë se sa serioz ishte – duke e qëlluar me plumb kolegun e saj të tmerruar të bankës, Sven Säfström.


Pamje nga plaçkitja e bankës në Stokholm, në gusht të vitit 1973 (AFP via Getty Images)

Enmark i tha [programit] Witness HistoryBBC-së, në vitin 2016: “Jani i tha atij: ‘Nuk do ta lëndoj asnjë kockë të këmbës tënde; thjesht, do të të qëlloj në pjesën që nuk shkakton lëndime të mëdha”.

Kur kthehet në të kaluarën, mundohet të kuptojë reagimin e saj të pashpirt. Ajo tha: “Në atë situatë, mendova se ai ishte paksa frikacak, meqë nuk lejonte të qëllohej në këmbë. Mendoj se është e tmerrshme për mua kur këtë e mendoj dhe them, por gjithashtu mendoj se tregon se çfarë mund të ndodhë me njerëzit kur ata gjenden në një situatë kaq absurde. Është situata ajo që e bën këtë ndryshim moral. Vërtet ndihem e turpëruar për këtë”.

Megjithëse Olssoni nuk e zbatoi planin e vet, Säfströmi më vonë pranoi se ndihej gjithashtu mirënjohës ndaj robëruesve të vet dhe se duhej ta shtynte veten të mendonte se ata ishin kriminelë të dhunshëm dhe jo miqtë e tij.

Termi Sindroma e Stokholmit u krijua – pas pengmarrjes – nga kriminologu dhe psikiatri suedez Nils Bejerot, për të shpjeguar dashurinë në dukje të paarsyeshme që disa të burgosur ndiejnë për pengmarrësit e vet. Teoria arrin në audiencë më të gjerë një vit më vonë, kur trashëgimtarja e botuesit kalifornian, Patty Hearst, u rrëmbye nga disa militantë revolucionarë. Dukej se 19-vjeçarja kishte simpati për rrëmbyesit e vet dhe u bashkua me ta në një grabitje. Më në fund u arrestua dhe u dënua me burg. Sipas avokatit të saj mbrojtës, asaj i ishte shpërlarë truri dhe vuante nga Sindroma e Stokholmit.

Arti i negociatave të policisë, për pengjet, u krijua në vitet 1970 nga policët e Nju-Jorkut, Frank Bolz dhe Harvey Schlossberg. Ideja doli të jetë dështim në rastin e shpëtimit në Lojërat Olimpike të Munihut të vitit 1972, kur 11 atletë izraelitë u vranë pasi u kapën nga anëtarët e një grupi militant palestinez. Në vitin 1980, Bolz dhe Schlossberg u shfaqën në dokumentarin e BBC-së, Inside Story: Hostage Cops, dhe shpjeguan se ekipi i NYPD-së [Departamenti i Policisë së Nju-Jurkut] i negociatave për pengjet, u krijua për shkak të frikës se diçka e ngjashme mund të ndodhte në qytet. Synimi i tyre ishte të zbutnin në mënyrë të sigurt situatat, në vend që të mësynin në stilin e Holivudit me të gjitha armët e shkrepura. Taktikat e vonuara u dhanë pengmarrësve më shumë kohë për të bërë gabime dhe e hapën hapësirën ​​për të krijuar raporte me robërit e tyre, duke e bërë kështu më pak të mundshëm ndonjë përfundim të dhunshëm.

Gazetarët dhe forcat e policisë jashtë bankës Kreditbanken (AFP via Getty Images)

Kah fundi i viteve 1970, rreth një mijë e pesëqind forca policie kishin dërguar anëtarët e vet në Nju-Jork, për të mësuar nga përvoja praktike e Bolzit në më shumë se 200 incidente me pengjet. Këto mësime udhëtuan edhe më tej kur një ekip i dokumentarëve të BBC-së qëndroi në një seminar të mbajtur nga Bolzi dhe Schlossbergu – ky i fundit ish-polic trafiku me doktoratë në psikologji. Për Schlossbergun, Sindroma e Stokholmit – ose Sindroma e Identifikimit të Mbijetesës – nuk ishte koncept i komplikuar.

“Thjesht nënkuptojmë se kur dy ose më shumë njerëz bashkohen, ata e krijojnë një marrëdhënie – kjo është e tëra”, tha ai. “Sigurisht, sa më shumë stres ka në një situatë, aq më e shpejtë dhe aq më intensive do të jetë ajo marrëdhënie. Kur njerëzit janë në krizë dhe nuk janë të sigurt se çfarë do të ndodhë, e vetmja gjë nga e cila që të gjithë kemi frikë është çmendja. Dua të them se përherë jemi të shqetësuar nëse jemi duke e humbur mendjen? A po më ndodhë vërtet kjo? Çfarë jam duke bërë në një rast të tillë? A po e përjetoj këtë? Dhe, ajo që bëjmë është se duam të testojmë ndjenjat tona kundrejt personit tjetër, sepse nëse ai person e ndan me ty këtë përvojë dhe e sheh të njëjtën gjë, dhe nëse ai nuk nervozohet dhe nëse kjo me të vërtetë po ndodhë, atëherë ndoshta është në rregull”.

Schlossbergu tha se derisa kriminelët shpeshherë i lejojnë pengjet në telefon, për të folur me negociatorët, nuk ka kuptim përpjekja për të marrë informacione sekrete prej tyre: “Pengu do t’i tregojë kriminelit gjithçka që ti i thua. Ata janë dëshmitarë të tmerrshëm dhe, kur lirohen, informacionet që japin duhet të merren me rezervë”.

Jan-Erik Olsson pas arrestimit (AFP via Getty Images)

Bolz tha se kur pengmarrësit bëjnë kërkesa, është e rëndësishme që ato të mos refuzohen plotësisht. Ai tha: “Kurrë nuk i thoni atij jo, por nuk i thoni domosdo po. Gjithmonë është: ‘Më lejo të shoh se çfarë mund të bëj – më lejo të përpiqem për ty’”.

Schlossbergu tha se ishte jetike që policia të mbante situatën nën kontroll, duke këmbëngulur që pengmarrësi “do të flasë me negociatorin tonë ose përndryshe nuk do të flasë me askënd”. “Nuk duam avokatë, nëna, priftërinj – nuk duam që ata të flasin”, tha ai. “Fantazia është se nuk do të flasësh me askënd nëse nuk e gjen personin me të cilin dëshiron të flasësh. Realiteti është se sa kohë mund të rrish ulur në një dhomë dhe të mos krijosh kontakte me botën e jashtme”?

Në kohën e plaçkitjes në Stokholm, asnjë nga këto mësime nuk ishte në dispozicion të policisë së Stokholmit, e cila bëri një sërë të gabimeve fillestare të cilat sot nuk do të ndodhnin. Kur Olssoni u fut në Sveriges Kreditbanken, ai i kërkoi tre milionë korona suedeze, një veturë për ikje dhe një kriminel tjetër që t’i dorëzohej nga burgu. Meqenëse nuk i mori paratë apo makinën, psikiatri Nils Bejerot e këshilloi policinë që të pajtohej me kërkesën e tij që Clark Olofsson, një nga kriminelët më famëkeq të Suedisë, të sillej në bankë në Sheshin Normalmstorg të Stokholmit. Olofssoni e kishte detyrën të punonte si njeri i brendshëm, në këmbim të një dënimi më të lehtë.

Bejeroti është njeriu që shpiku termin Sindroma Normalmstorg, që më vonë do të njihet si Sindroma e Stokholmit. Për disa, ky teorizim ishte përpjekje për të larguar vëmendjen nga gabimet e bëra nga ai dhe nga kolegët e policisë gjatë plaçkitjes, duke ua lënë kështu fajin viktimave.

Gjatë rrjedhës së plaçkitjes, katër pengjet dhe dy kriminelët nisën krijimin e një lidhjeje të pamundur brenda kasafortës së bankës, me aktet e dukshme të mirësisë nga ana e rrëmbyesve. Për dallim, të burgosurit shprehën më shumë armiqësi ndaj policisë, nga frika se çdo përpjekje për t’ia dhënë fundin përplasjes mund të përfundonte me vrasjen e tyre.

Kristin Enmark, e cila mbahej peng, u bind nga karizmatiku Olofsson të bënte një bisedë telefonike me Olof Palmen, me kryeministrin e atëhershëm suedez. Ajo iu lut që ta lejonin të largohej nga banka me një makinë për arratisje, bashke me rrëmbyesit, duke i thënë: “Mendoj se ti je ulur atje duke luajtur letra me jetën tonë. I besoj plotësisht Clarkut dhe grabitësit. Nuk jam e dëshpëruar. Ata nuk na ka kanë bërë asgjë. Përkundrazi, kanë qenë shumë të mirë. Por, e di ti Olof, ajo për çfarë kam frikë është se policia do të sulmojë dhe do të shkaktojë vdekjen tonë”.

Në vitin 2016, Enmark i tha BBC-së: “Do të doja që ajo telefonatë të mos kishte ndodhur kurrë, sepse ishte telefonatë e pakuptimtë. Rrija ulur atje, duke i lutur për jetën time. Ai ishte kryeministër. Çfarë mund të thoshte”?

Kristin Enmark pas lirimit (Alamy Stock Photo)

Për disa ditë, pengjet u mbajtën brenda kasafortës bankare, ndërsa ishin të rrethuar nga policia e armatosur. Oficerët përfundimisht vendosën të çajnë tavanin dhe të përdorin gazin lotsjellës për të çarmatosur rrëmbyesit. Policia bëri thirrje që pengjet të dilnin të parët, por ata nuk pranuan, duke besuar se rrëmbyesit do të pushkatohen. Në vend të kësaj, teksa kriminelët dolën jashtë, ata ndaluan te dera për të përqafuar dy gra të marra peng. Pengu Säfström, i cili më parë për pak sa nuk u qëllua në këmbë, pranon një shtrëngim burrëror të duarve.

Kjo sjellje habiti shumëkënd nga publiku suedez i cili prej ditësh ishte në stres nga ngjarjet dramatike në bankë. Teksa Bejeroti e diagnostikoi Sindromën e Stokholmit pa folur as me Enmarkun, teoria kishte shpjegim të besueshëm dhe tërhoqi imagjinatën e mediave ndërkombëtare.

Negociatorët e pengjeve në Nju-Jork, Frank Bolz dhe Harvey Schlossberg, në vitin 1980 thanë se koncepti mund të shihet si ndihmë e dobishme mësimore, për të përshkruar dinamikat ndërpersonale në një situatë traumatike. Megjithatë, etiketa është keqinterpretim i plotë i përvojës së Kristinës, thotë Dr. Allan Wade, një psikiatër kanadez që ka folur gjatë me të. Në vitin 2023, ai tha për BBC Reel: “Termi Sindromi i Stokholmit ka rrënjë të thella në mendimin psikanalitik në Evropë. Por, në atë moment u përdor për të heshtur dhe diskredituar një grua të re të zemëruar që kishte rezistuar ndaj dhunës, duke mbrojtur veten dhe njerëzit e tjerë për gjashtë ditë e gjysmë. U përdor për të mbrojtur reagimin e policisë”.

Në vitin 2015, Kristin tha se e ruajti shoqërinë me Oloffsonin, me njeriun që u lirua nga burgu për të përmbushur kërkesat e grabitësit Olsson. Dr. Wade tha se gjatë rrëmbimit, i burgosuri “në fakt punonte në mënyrën për t’i bërë disa nga njerëzit që të ndiheshin më të sigurt, dhe nëse e trajtoni Clark Olofssonin si njërin nga grabitësit e tjerë, do ta kishit shumë të vështirë për të kuptuar se pse Kristina ose të tjerët mund të kenë njëfarë ndjesie të kujtimit pozitiv për të”.

Duke folur në podkastin Sideways të BBC-së, në vitin 2021, Kristen pati vlerësim kritik për Sindromën e Stokholmit.

“Është mutsihane, nëse mund ta thuash këtë në BBC. Është një mënyrë për të fajësuar viktimën. Bëra gjithçka që kam mundur – për të mbijetuar”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Thënie të thella që nuk pendoheni nëse i lexoni!

Thënie të thella që nuk pendoheni nëse i lexoni!

Kulture
Sëmundja e ksenomanisë në gazetarinë televizive

Sëmundja e ksenomanisë në gazetarinë televizive

Kulture
RRUGA E MOÇME

RRUGA E MOÇME

Poezi
PORDHAMACIONI

PORDHAMACIONI

Poezi
BABA

BABA

TRUNGU ILIR

TRUNGU ILIR

Poezi
Kalo në kategori