LAJMI I FUNDIT:

TRUNGU ILIR

TRUNGU ILIR

Nga: Muhamet Hamiti

Kur u botua më 1979, libri poetik i Sabri Hamitit “Trungu ilir” u njoh si ngjarje letrare e kulturore e vitit dhe krijoi bujë të madhe. Iu dhanë dy shpërblimet kryesore atë vit, i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i “Rilindjes”.


Libri ka njohur pesë botime në këto 40 vjet, me tirazhe mijëra kopjesh seicili. Pjesë prej këtij libri janë botuar në antologji të poezisë shqipe e në libra me poezi të zgjedhura të shkrimtarit.

“Trungu ilir”, libër poetik vëllimor (171 faqe) në dy libra (pjesë), “Trungu” dhe “Koha”, të mëvetësishëm e të ndërlidhur njëherësh, është bërë libër kult i autorit dhe i poezisë shqipe në Kosovë: i dashur e i lexuar. Ka pasur sukses edhe në një dramatizim në Teatrin e Kosovës, në regjinë e Agim Sopit. U shpërblye në një festival teatrosh në Sarajevë më 1981 sa nuk e kishte përlarë censura që e ndaloi shfaqjen në Prishtinë për shpejt, mbas Ngjarjeve të marsit të atij viti në Kosovë. Shfaqja dhe libri u sulmuan nga rrjeti i policisë letrare-politike të kohës në ish-Jugosllavi.

Lexuesi kanonik i poezisë së Sabri Hamitit ka qenë prej fillimi Ibrahim Rugova, dijetar i letërsisë. “Trungut ilir” i ka bërë një studim të thellë në tekstin e vet “Sistemi poetik i Sabri Hamitit”, botuar si parathënie e përmbledhjes së zgjedhur të poezive të Hamitit, që rimerrte titullin “Trungu ilir”, te kolana “Albatros” e botuesit “Rilindja” më 1983. Sipas tij, poezia e Hamitit “shenjëzon esencat historike, që bëhen esenca poetike”. Pjesa e parë e librit (Trungu) “përshkohet nga hidhësia epike e ekzistimit”, kurse pjesa e dytë (“Koha”) nga “një hidhësi konkrete”, shprehej Rugova.

Njëzet vjet më vonë, në parathënien e kompletit të librave të Sabri Hamitit në dhjetë vëllime (2002), Ibrahim Rugova shkruante:

“Në këtë kohë [në vitet ’70, të brezit të shkrimtarëve e intelektualëve që mund të quhet “Qarku i Prishtinës”], Sabri Hamiti botoi kryeveprën e tij dhe njërën nga kryeveprat e letërsisë shqiptare ‘Trungu ilir’, apo de facto Trungu shqiptar. Këtu ai shprehu doktrinën e tij të vazhdimësisë së gjallë të traditës dhe zhvillimin modern të popullit të vet. Me këtë ai deshi ta shkatërrojë “Thikën e harrimit”, që është titulli i një libri të tij.”

Kur bëri këtë shkrim, i mbrami i tij për letërsi, Ibrahim Rugova ishte President i Kosovës së lirë, në udhë për t’u bërë e pavarur. Hamiti u bë firmëtar i deklaratës së pavarësisë së Kosovës, shpallur më 17 shkurt 2008.

I njohur si shkrimtar e studiues letërsie, Sabri Hamiti ka botuar dhjetë libra poetikë. I pari “Njeriu vdes i ri” (1972), më i riu “Kukuta e Sokratit” (2018). Para “Trungut ilir”, Hamiti botoi edhe librat poetikë “Faqe e fund” (1973) dhe “Thikë harrimi” (1975), ndërsa pas “Trungut” librat poetikë “Leja e njohtimit” (1985), “Kaosmos” (1990), “ABC: Albetare për fëmijë të rritur” (1994), “Melankolia” (1999) dhe “Sympathia” (2004).

Libri poetik i Hamitit “Kukuta e Sokratit”, që u botua vjet në Tiranë, është vlerësuar lart nga kritika letrare, nga lexues të rinj e të moçëm të poezisë.

***

TRUNGU ILIR

Nga: Sabri Hamiti

Rri i verbuar nën Dhé në Mes-Dheun plak
Pi ujin e zi të rrjedhës në qivur
Kur shtrydh dorë e huaj a del gjak
Nga zemra e fundosur gurëzuar në gur
Detet e llahtarshëm a i bashkon urë
Apo fjalët e dashjes shprishen në jehonë
Rri strukur rri dru nuk flet rri gur
Në vitet e reja ndër shekujt e vonë
Rrënjët nën dhé rjepin lëkurën një këmbonë
Prish gjumin e rëndë në tokë e qiell
Degët lidhin kurorë si thikë si këmbonë
Se pijnë ujin tjetër i nxen tjetër diell
Nis këngën e vajin e klith mallshëm me fyell
O valë e tmerrshme o ujë turbull o det
E shpie zërin e tretur rrugës nëpër pyll
Në udhën e bashkimit nisu o vij vetë
Ky shurdhim i moçëm veshët po m’i vret
Nisur në dhenë e njohjes ndër fusha e male
Zgjimi symbyllë solli gjumin mbet shkret
I shtrirë në zhurmë u zhduk dalëngadale
Në zjarrin e dashurisë së një fjale
U skuq u poq molla portokalli e fiku
Lëngun e jetës vala i dha një vale
Frika e heshtja nën dry mbet o iku
Kur ja nëpër terr qeshja e një miku
E rëndë sa kujtesa do shqiptim në lojë
Në sofrën e drurit rrethuar lajmi piku
Fusha mori veshët e mali mori gojë
E rrjetohet biseda thua thue thoj
Vëllai i madh ta mban dhembjen në kokë
Pa shih o zot si qajmë qeshim flasim njësoj
Dhembjen klithjen vdekjen i mbjellim në tokë
Kur dielli shkrumohet në det e në bokë
E i skuq gjurmët në udhëtimin pluhurak
Erren mendimet plas klithja në kokë
Gjaku yt të ndjek në botë e në prak
Rri i verbuar nën Dhé në Mes-Dheun plak
Pi ujin e zi të rrjedhës në qivur
Kur shtrydh dorë e huaj a del gjak
Nga zemra e fundosur gurëzuar në gur