“Pa fjalime, pa lule, pa ritual fetar…” – nipi publikon amanetin e fundit të Rexhep Qosjes

Valjet Rexhepi, nipi i shkrimtarit tashmë të ndjerë Rexhep Qosja, ka publikuar një letër që paraqitet si amaneti i fundit i akademikut, e shkruar më 30 prill 2016 në Prishtinë.
Dokumenti, i titulluar “Nipit tim Valjetit”, përmban udhëzime të qarta të Qosjes për jetën dhe varrosjen e tij, si dhe reflektime personale mbi veprën, bindjet dhe raportin e tij me Kosovën.
Në letër, Rexhep Qosja shpreh dëshirën që të varroset pa ritual fetar dhe pa praninë e autoriteteve zyrtare.
“Dua të jam i varrosur pa ritual fetar”, shkruan ai, duke e lidhur këtë me besimin e tij në mendimin shkencor, ngritjen shpirtërore dhe përparimin shoqëror.
Po ashtu, ai kërkon që varrimi të bëhet vetëm nga familjarët dhe në mënyrë të thjeshtë, pa fjalime, pa media e pa lule, pranë varrit të bashkëshortes së tij, Shpresës.
“Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi… pa fjalime, pa media, pa lule”, thuhet në amanet.
Në dokument, Qosja e paraqet jetën e tij si të kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të shqiptarëve, duke shkruar se nuk i ka mbetur borxh as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës.
“Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm”, shkruan ai.
Në pjesën përmbyllëse të letrës, Qosja bën edhe një reflektim vetëkritik, duke pranuar se mund të ketë pasur gjykime të ashpra në jetën e tij publike, por shprehet i bindur se ka jetuar, krijuar dhe vepruar duke bërë mirë.
“Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat… Megjithatë varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë”, thuhet në tekst.
Letra mban datën 30 prill 2016 dhe në fund është nënshkruar nga Rexhep Qosja, i cili shkruan se këto mendime i ka hedhur në letër “duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë”.
LETRA E PLOTË
NIPIT TIM VALJETIT
I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT
KËRKOJ TË KUJDESET DHE PËR VARROSJEN TIME
Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jam i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve pushteteve të tyre, dua të jam i varrosur pa kurrfarë prania zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.
Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jam edhe i varrosur: pa fjalime, pa media, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë.
Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.
Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se s’do të duhej. Megjithatë varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Prishtinë, 30.4.2016
Këto mendime
i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë
Gjyshi yt, Valjet
Rexhep QOSJA



















































