Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka reaguar pas deklaratave të xhaxhait të tij, Gani Geci, i cili ka pretenduar se një deputet i LVV-së qëndron prapa fjalimit të mbajtur nga ai në Kuvend.

Gani Geci ka thënë se “dikush nga LVV ia ka dhënë fjalimin”, duke pretenduar se një deputet i afërt me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca i ka përgatitur tekstin e lexuar nga Fatos Geci.


“Dua të inkuadrohem për ata që u distancuan nga fjalimi i Fatos Gecit. E kam fjalën për LVV-në, se prapa atij fjalimi qëndron një prej deputetëve të LVV-së, njeri i afërt i Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës… ia ka thënë letrën një deputet i LVV-së”, ka deklaruar Gani Geci.

Ndaj këtyre pretendimeve ka reaguar vetë deputeti Fatos Geci, duke i mohuar kategorikisht, ndërsa ka thënë se fjalimin e ka përgatitur vetë dhe në mënyrë spontane.

“Mjaft më spekulime. Unë i kam shkruar vetë ato fjali në mënyrë spontane, në momentin kur deputeti i PDK-së tha se po frikësohemi nga Thaçi. Jepini fund këtyre lojërave”, ka shkruar ai.