Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, kanë zhvilluar sot në Prishtinë një takim të përbashkët me përfaqësues të sektorit të qumështit dhe institucioneve relevante, për të adresuar zhvillimet dhe sfidat aktuale në treg.

Sipas komunikatës për media të Ministrisë së Bujqësisë, në takim u diskutua gjendja e sektorit, ku u theksua vështirësia në rritje për plasimin e qumështit vendor, si pasojë e ndryshimeve në strukturën e tregut dhe presionit nga importet dhe inputet zëvendësuese.


Ministri Muja ritheksoi nevojën që industria përpunuese të rrisë nivelin e grumbullimit dhe të marrë qumështin e fermerëve vendorë, duke e cilësuar këtë si element kyç për stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e prodhimit vendas.

Në komunikatë thuhet se gjatë diskutimeve u evidentua se fermerët kanë fuqi më të ulët negociuese në raport me përpunuesit dhe tregun, çka ndikon në çmimet dhe sigurinë e të ardhurave të tyre. Në këtë kontekst, u theksua se masa të ndryshme mbështetëse dhe rregullatore janë prezantuar dhe do të analizohen më tej, me qëllim që të shqyrtohen në një fazë të ardhshme në përputhje me nevojat e sektorit dhe kornizën ligjore.

Po ashtu, u nënvizua domosdoshmëria për rritjen e investimeve në standardet sanitare, ruajtjen dhe grumbullimin e qumështit, si dhe në përmirësimin e kushteve në nivel ferme, në funksion të rritjes së cilësisë dhe konkurrueshmërisë së prodhimit vendor.

Institucionet dhe përfaqësuesit e sektorit, sipas ministrisë, u dakorduan për forcimin e bashkëpunimit dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për një treg më të balancuar dhe të qëndrueshëm të qumështit në Kosovë.