Një Parti Demokrate e rigjallëruar u mblodh mbrëmjen e së hënës për të dëgjuar fjalën përshëndetëse të presidentit Joe Biden, vendimi i të cilit për t’i dhënë fund rikandidimit, çliroi energji të reja me ngjitjen në krye të garës të nënpresidentes Kamala Harris.
Kuvendi Kombëtar Demokrat që filloi punimet të hënën në Çikago ka peshë të veçantë për këtë parti, vetëm një muaj pas ndërrimit të kandidatëve në mes të garës elektorale.
Kjo mbrëmje e parë ishte konceptuar si një kalim i stafetës tek kandidatja e përzgjedhur nga vetë presidenti Biden, megjithëse fillimisht si vetëm zëvendëse e tij.
Dukshëm i prekur pas fjalimeve të bashkëshortes së tij, Zonjës së Parë Jill Biden dhe vajzës së tij Ashley Biden, presidenti foli përpara delegatëve, që e pritën me ovacione të zgjatura, duke bërë thirrje për të votuar për kandidaten demokrate për presidente, Kamala Harris.
Ai rikujtoi momentet e vështira kur pati bërë betimin për të marrë detyrën e presidentit, mes periudhës së vështirë të pandemisë dhe atyre që i quajti kërcënime ndaj demokracisë amerikane.
“Besoja atëherë dhe besoj tani, se progresi ishte dhe është i mundur, ashtu siç është i arritshëm dhe se ditët tona më të mira janë ende përpara”, tha Presidenti Biden. “Dimrin e kemi lënë pas. Qëndroj përpara jush me zemër mirënjohëse për të raportuar se demokracia ka mbizotëruar. Demokracia”.
Presidenti Biden përsëriti thënien e tij se “jemi në një betejë për vetë shpirtin e kombit amerikan”.
“Kandidova në vitin 2020 për shkak të atyre çfarë pashë në Charlottesville në gusht 2017, kur ekstremistët u shfaqën me pishtarë në duar, me simbole naziste dhe me slogane anti-semite të dëgjuara në Gjermaninë e viteve 1930, supremacistë të bardhë, të inkurajuar nga presidenti në Shtëpinë e Bardhë që e shikonin si aleatin e tyre”, tha Presidenti Biden.
Ai tha se kandidoi për një Amerikë me shanse të barabarta për të gjithë, të vendosur për të lëvizur përpara dhe për të mos u rikthyer tek urrejtja dhe dhuna e çfarëdolloj forme.
Pasi radhiti arritjet për programet sociale, përfaqësimin e pakicave në gjyqësor, rikonsolidimin e ekonomisë të goditur nga pandemia, Presidenti Biden u zotua se ashtu si ai vetë, edhe zonja Harris do t’u kundërvihet në skenën ndërkombëtare regjimeve totalitare.
“Asnjë komandant i përgjithshëm nuk duhet të përkulet përpara një diktatori siç vepron Trump-i me Putinin. Unë nuk e kam bërë kurrë këtë dhe ju premtoj se Kamala Harris nuk do ta bëjë këtë kurrë”, tha Presidenti Biden.
Ai e kritikoi ashpër kandidatin republikan për president, Donald Trump, se e la Evropën dhe NATO-n në gjendje të dobësuar dhe se u desh shumë punë për ta forcuar Evropën sërish dhe madje për ta zgjeruar NATO-n me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.
Presidenti Biden tha se Presidenti Putin mendonte se do ta merrte kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, brenda tre ditëve.
“Tre vite më vonë, Ukraina është ende e lirë”, tha Presidenti Biden.
Presidenti përmendi se kur mori detyrën, pritshmëria e përgjithshme ishte se Kina do t’ia kalonte në mënyrë të pashmangshme Shteteve të Bashkuara, por se kjo pritshmëri nuk dëgjohet më e tillë.
Ai vuri në dukje punën e bërë për t’i dhënë fund luftës në Gazë nëpërmjet një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve dhe armëpushimin.
Duke denoncuar dhunën ndaj Kapitolit më 6 janar 2021, Presidenti Biden tha se ish-Presidenti Trump nuk do e pranojë rezultatin e zgjedhjeve nëse nuk i fiton ato.
Duke bërë thirrje që të votohet për kandidaten demokrate për presidente dhe kandidatët demokratë për në Kongres, ai vlerësoi karakterin e zonjës Harris, duke thënë se ajo do të jetë një presidente historike për të cilën do të jemi të gjithë krenarë.
Pak më herët, zonja Harris i bëri një surprizë delegatëve duke u shfaqur vetë në skenë mbrëmjen e së hënës, duke i paraprirë kështu mesazhit të Presidentit Biden.
“Joe, faleminderit për udhëheqjen tënde historike, për një jetë të tërë në shërbim të vendit tonë, dhe për gjithçka tjetër që do të vazhdosh të bësh”, tha ajo. “Të jemi mirënjohës përgjithmonë”.
Një mesazh mbështetjeje u dha më herët edhe nga ish-Sekretarja e Shtetit dhe ish-kandidatja e Partisë Demokrate për presidente, Hillary Clinton.
Ajo përshëndeti Presidentin Biden për vendimin e tij, duke thënë se “tashmë po shkruajmë një kapitull të ri në historinë e Amerikës”.
Zonja Clinton, e cila ishte bërë gruaja e parë kandidate për presidente e një partie kryesore në Shtetet e Bashkuara, bëri thirrje për zgjedhjen e zonjës Harris si presidentja e 47-të e Shteteve të Bashkuara.
Duke iu referuar betejës për përfaqësimin e grave në politikë, ajo tha se “kur një barrierë rrëzohet për një prej nesh, e hap rrugën për të gjithë ne të tjerët”.
Demokratët shpresojnë që kuvendi gati njëjavor do të forcojë pozitat e zonjës Harris në përballjen me kandidatin republikan Donald Trump, rikthimi i të cilit në garë shihet nga demokratët si një rrezik ekzistencial.
Duke u bërë kandidate për presidente vetëm rreth një muaj më parë, zonjës Harris i duhet tashmë të fitojë mbështetjen e një vendi të ndarë, që e sheh atë më pozitivisht, por që ende nuk ka marrë një vendim për zgjedhjet e ardhshme. /VOA/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëSulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus
Ukraina tani kërkon një “armë specifike” nga aleatët
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Ukrainasit shkatërrojnë sistemin raketor rus S-400
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj
Putinit i mungojnë ushtarët në vijën e frontit, tenton të joshë rekrutët e rinj – u premton faljen e borxheve në vlerë prej 95 mijë dollarësh
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj