LAJMI I FUNDIT:

Me marrëveshje, Ura e Ibrit ishte planifikuar të hapej për trafik në 2017-ën

Me marrëveshje, Ura e Ibrit ishte planifikuar të hapej për trafik në 2017-ën

Autoritetet e Kosovës kanë nisur procedura për testimin e fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve.

Ky insistim është përballur me kundërshtim të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kanë kërkuar edhe një hap shtesë, një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi. Ndërkohë, kjo çështje nxiti serbët e Kosovës që të protestojnë duke kundërshtuar hapjen e urës.

“Ura e Mitrovicës duhet të hapet pa vonesa dhe pengesa të mëtutjeshme”.


Kjo fjali është përsëritur disa herë në disa raporte të Bashkimit Evropian ku përshkruhet progresi në zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Kjo urë që e ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe, ishte bllokuar për herë të parë pas luftës në vitin 1999.

Ndonëse ndër vite u arritën marrëveshje e dakordime, u investua në infrastrukturën e saj si dhe u hap për qarkullim të këmbësorëve, ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar për automjete.

Vetëm në raportin e BE-së të vitit 2023, për çështjen e urës u shtua fjalia: ”Për çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të ketë pajtim dhe koordinim në dialog”.

Pikërisht në fillim të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut kishte marrë një vendim për hapjen e urës.

Ata kishin thënë se vendimin e bazojnë në Marrëveshjen e Brukselit që kishte paraparë hapjen e urës në vitet 2015-2016.

Iniciativa për hapjen e urës për automjete u intensifikua javët e fundit nga Qeveria e Kosovës.

Më 24 korrik të vitit 2024, Ministria e Infrastrukturës e Kosovës hapi një tender për testimin e “kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese”.

Më 1 gusht, sipas dokumenteve të publikuara në ueb-faqen online për prokurim publik, Ministria e shpërbleu me kontratë kompaninë IPE-PROING SHPK, me seli në Prishtinë. Çmimi i kontratës parashihet të jetë 9.640 euro dhe nënshkrimi i saj ishte paraparë të bëhet më 6 gusht.

Megjithatë, kontrata e nënshkruar nuk është publike.

Ministria e Infrastrukturës dhe as kompania fituese nuk i janë përgjigjur pyetjes se kur është paraparë të fillojë dhe të mbarojë testimi.

Sipas raportimit të mediave vendore, punëtorë të kësaj kompanie tashmë janë parë duke kryer inspektime teknike të urës.

Një inspektim teknik për fuqinë mbajtëse të urës ishte paraparë edhe me marrëveshjen e arritur Kosovë- Serbi, si hap që duhet kryer para hapjes së saj për qarkullimin e automjeteve.

Për këtë iniciativë, pati protesta nga serbët e Kosovës në veri të vendit, të cilët po e kundërshtojnë hapjen e urës.

“Ne jemi të sulmuar si popull, ne jemi nën agresion që të largohemi nga Kosova”, tha gjatë protestës Nikolla Kabashiq, ish-gjyqtar serb nga Kosova.

Po këtë ditë, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës tha se hapja e urës është çështje kohe dhe “nuk është fare çështje e dialogut.

“Çështja është e mbyllur, qysh më 2016. Është çështje e së drejtës për t’u hapur dhe e një vendimi që është tashmë publik”, tha ai.

Pa dhënë shumë detaje mbi çështjen e inspektimit teknik, ai tha se është në proces dhe po kryhet në dy faza.

Ndonëse nuk duan dialog në Bruksel për urën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se planifikojnë diskutim publik nga Komuna e Mitrovicës së Veriut me qytetarët për “përfitimet nga hapja e urës”.

“Për shumë kohë ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, shkroi Kurti në Facebook, më 7 korrik.

Çfarë thuhej në marrëveshjen për hapjen e urës?

Kur ura e Ibrit ishte bllokuar në vitin 1999, Mitrovica ishte ende një qytet i pandarë.

Ndarja në dy komuna u zyrtarizua në vitin 2013, kur u krijua Mitrovica e Veriut si komunë e re.

Ndërkohë, në urën e Ibrit filluan të vendosen barrikada në vitin 2011. Kështu, rihapja e urës u bë çështje diskutimi në dialogun Kosovë- Serbi që prodhoi rezultatet e para tre vjet më vonë.

22 korrik 2014 – Arrihen konkluzionet e kryesuesit të BE-së për heqjen e barrikadave dhe revitalizimin e urës në Mitrovicë.

Plani i publikuar, sipas BE-së, përfshinte: kryerjen e një vlerësimi teknik të stabilitetit të urës, draftimin e një projekti për revitalizimin e urës, heqjen e barrikadave…

Në këtë plan, BE-ja ishte zotuar që të përfshihet drejtpërdrejt edhe me financim.

Para arritjes së këtij konkluzioni, më 2014, barrikadat në urë ishin zëvendësuar me copa betoni dhe me pemë, të cilën udhëheqësia e atëhershme e Mitrovicës së Veriut e quajti “Parku i Paqes”.

5 gusht 2016 – Dakordohet plani i zbatimit të marrëveshjes

Pas një rundi bisedimesh, Kosova dhe Serbia ishin dakorduar se revitalizimi i urës dhe pjesëve që e rrethojnë, do të niste më 14 gusht 2016.

“Ura do të hapet për trafik më 20 janar të vitit 2017”, thuhej në këtë plan veprimi.

Palët, madje, ishin dakorduar edhe për dizajnin se si do të dukej ura.

25 gusht 2015- Arrihet edhe një dakordim për zbatimin e marrëveshjes për hapjen e urës.

Në këtë dokument sërish përmendet plani i revitalizimit dhe hapjes së urës sipas dakordimeve të mëparshme.

Aty kërkohet edhe arritja e një dakordimi mbi kufijtë komunalë të Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut, deri në tetor të vitit 2015.

Në dhjetor të vitit 2016, mbi këtë urë ishte ndërtuar një mur, të cilin autoritetet e Kosovës si dhe BE-ja e quajtën ilegal. Muri ishte larguar disa javë më vonë.

Më 2018, punimet e parapara nga BE-ja në urën e Ibrit kishin përfunduar dhe kostoja e projektit llogaritej të jetë rreth 1.5 milion euro.

“Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”, thuhej në raportin e BE-së në vitin 2019.

Ura, megjithatë, nuk u hap asnjëherë për qarkullim.

Forcat e KFOR-it, përkatësisht karabinierët italianë qëndrojnë në vazhdimësi mbi urë, raporton REL.

Në trend Lajme

Më shumë
Sazani do të kushtojë rreth një miliard dollarë - dhëndri i Donald Trump do të shndërrojë reliktet e luftës në hotele luksoze

Sazani do të kushtojë rreth një miliard dollarë - dhëndri i Donald Trump do të shndërrojë reliktet e luftës në hotele luksoze

Lajme
Kërkesa e Belerit për ngritjen e shkollës së mesme në gjuhën greke në Himarë, ja si përgjigjet kryetari i ri, Vangjel Tavo

Kërkesa e Belerit për ngritjen e shkollës së mesme në gjuhën greke në Himarë, ja si përgjigjet kryetari i ri, Vangjel Tavo

Lajme
Komandanti i KFOR-it takohet me shefin e ushtrisë së Serbisë

Komandanti i KFOR-it takohet me shefin e ushtrisë së Serbisë

Lajme
Detaje për vrasjen në Zllakuqan të Lipjanit - arrestohen babë e bir

Detaje për vrasjen në Zllakuqan të Lipjanit - arrestohen babë e bir

Kronika e Zezë
Rasti i parë i virusit të Nilit në Kosovë - IKSHPK del me rekomandime

Rasti i parë i virusit të Nilit në Kosovë - IKSHPK del me rekomandime

Lajme
Çitaku: Urat që i duhen Kosovës janë urat me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n

Çitaku: Urat që i duhen Kosovës janë urat me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n

Lajme
Kalo në kategori