LAJMI I FUNDIT:
Prizreni 29° clearsky_day

Aktivistja Tringa Kasemi: Vajzat dhe gratë ballafaqohen në përditshmëri me pabarazi dhe padrejtësi

Aktivistja Tringa Kasemi: Vajzat dhe gratë ballafaqohen në përditshmëri me pabarazi dhe padrejtësi

Qendra për Barazi dhe Drejtësi është organizatë me seli në Prizren, e cila ka për qëllim mbështetjen, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me fokus të veçantë tek vajzat dhe gratë. Udhëheqësja e kësaj qendre është aktivistja e shoqërisë civile, Tringa Kasemi, e cila insiston se si shoqëri, për jetë të dinjitetshme, ekziston nevoja për barazi dhe drejtësi.

Sipas saj ndonëse të drejtat e njeriut janë të garantuara me legjislacionin në fuqi, megjithatë ato shkelen në baza ditore, dhe nga kjo preken në masë të madhe vajzat dhe gratë, si më të margjinalizuarat në çdo fushë të jetës.

Në një intervistë për Telegrafin, Tringa Kasemi ka vlerësuar se sfidë kryesore padyshim është ballafaqimi i një numri të madh të vajzave dhe grave në vend me dhunë të përditshme në baza gjinore dhe dhunë në familje, duke përfshirë këtu dhunën sistematike ekonomike, ngacmimet seksuale dhe mizogjininë. Ajo pohon se nevojitet angazhim i përditshëm nga çdo pjesëtar i komunitetit për ta ndryshuar këtë gjendje dhe për të arritur barazinë dhe drejtësinë.


Telegrafi: Pse keni vendosur të angazhoheni për mbështetjen, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me fokus të veçantë tek vajzat dhe gratë?

Tringa Kasemi: Të drejtat e njeriut në Kosovë, janë të garantuara me kushtetutë dhe infrastrukturë ligjore të avancuar, të cilat garantojnë liritë themelore të njeriut për jetë pa asnjë formë të dhunës, por ato nuk mbrohen dhe promovohen si dhe nuk prioritizohen nga institucionet dhe shoqëria. Nga kjo padyshim preken më së shumti vajzat dhe gratë, si më të margjinalizuarat në çdo fushë të jetës, shtëpi, punë e jetesë pa siguri elementare, e që ato janë qenie politike e publike dhe si të tilla në shoqëri duhet të gëzojnë atë që u takon. Në kushte kur vajzat dhe gratë e Kosovës ballafaqohen me dhunë në baza gjinore, dhunë në familje dhe ngacmime seksuale, angazhimi i përditshëm për mbështetje, promovim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut bëhet i detyrueshëm dhe obligim.

Telegrafi: Si e vlerësoni gjendjen aktuale të barazisë gjinore dhe drejtësisë gjinore në Komunën e Prizrenit?

Tringa Kasemi: Gjendja aktuale në arritjen e barazisë gjinore në nivel vendi, por edhe në Komunën e Prizrenit lë për të dëshiruar, duke ditur gjithmonë agjendat politike e shoqërore të përditshme shumë të largëta në prioritizim të barazisë dhe drejtësisë gjinore dhe avancim të agjendave të barazisë, duke përfshirë këtu edhe mungesën e politikave të mirëfillta gjinore në komunë. Një vullnet pak më i shtuar shihet në kohë të fushatave zgjedhore, por ajo menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve del të jetë në fund të agjendave të tyre, pasi që vendin e zënë politikat tjera ditore dhe barazia e drejtësia gjinore mbetet nën hije. Një aspekt tjetër i rëndësishëm në këtë drejtim është po ashtu vullneti i vendimmarrësve në parandalim të dhunës me bazë gjinore në përditshmëri, i cili pothuajse mungon çdo herë, duke ditur se si nivel komunal janë një sërë angazhimesh që mund të bëhen në këtë drejtim, duke u nisur nga angazhimi për parandalimit të ngacmimeve seksuale në vendin e punës, avancimi i grave në pozita vendimmarrëse dhe politika lokale të cilat do ti fuqizonin gratë ekonomikisht.

Telegrafi: Cilat janë sfidat kryesore në këtë aspekt?

Tringa Kasemi: Sfidat janë të shumta, po padyshim duhet nisemi nga thelbi, pra nga mendësia patriarkale, që vajzat dhe gratë ballafaqohen çdo ditë në jetën e tyre, ku kjo mendësi i sheh ato shpesh në rend të dytë në çdo fushë. Kjo ndikon drejtpërdrejtë në shumë aspekte të përditshmërisë së tyre dhe i detyron ato të angazhohen dyfish më shumë për të gëzuar atë që e kanë të drejtë. Krahas mendësisë patriarkale, por e pandarë nga ajo, është se nga udhëheqësit çështjet gjinore shihen si dytësore dhe jo politike, pastaj si rrjedhë e kësaj nuk trajtohen si primare. Pra të drejtat e njeriut duhet diskutohen në nivel politik. Sfidë kryesore padyshim është ballafaqimi i një numri të madh të vajzave dhe grave në vend me dhunë të përditshme në baza gjinore dhe dhunë në familje, duke përfshirë këtu dhunën sistematike ekonomike, ngacmimet seksuale dhe mizogjininë. Ligjet janë plotësuar dhe avancuar, por ne ende ballafaqohemi me mos zbatim të tyre në tërësi dhe me mungesë të monitorimit të zbatimit të tyre.

Telegrafi: Pabarazitë dhe diskriminimi ndërmjet gjinive a vijojnë të mbështeten në një sërë nocionesh shoqërore të ndërtuara mbi bazën e stereotipave të shumta të pranishme në familje, arsim, punë, shoqëri, por edhe në institucione?

Tringa Kasemi: Pabarazitë gjinore në shoqëri janë rezultat i ndërtimit të stereotipave gjinore, të cilat fatkeqësisht gjenden në mesin tonë dukshëm. Stereotipat gjinore në familje, në shkolla, në institucione dhe në përgjithësi në shoqëri, janë fenomenet e para që shpijnë në një shoqëri të pa barabartë dhe që I sheh vajzat dhe gratë kryesisht jo të avancuara dhe në role dytësore dhe tradicionale gjinore.

Si rrjedhojë e kësaj vajzat dhe gratë ballafaqohen në përditshmëri me pabarazi dhe padrejtësi, ku shpesh kjo u ndikon edhe në sigurinë e tyre jetësore në të ardhmen. Këtu rolin kryesor duhet ta merr sistemi arsimor, duke u nisur nga ndryshimi i teksteve shkollore ku si fillesë aty shihet shtypja e stereotipave gjinore, por pastaj edhe me ndryshim kurrikulash, ku do të kishim mundësi që nga fëmijëria të kuptojmë thelbësisht barazinë gjinore dhe të parandalojmë zhvillimin e stereotipave dhe diskriminimit, të cilat pasojat i kanë pastaj afatgjate në shoqëri. Çështje e rëndësishme në këtë aspekt është edukimi seksual në shkolla, ku kishte sfiduar bazat e shtypjes, normat dhe rolet gjinore të cilat ndërtohen mbi biologjinë e njeriut.

Telegrafi: Pse organet komunale duhet të marrin parasysh integrimin gjinor në politikat dhe praktikat e tyre të punës?

Tringa Kasemi: Integrimi gjinor në politika dhe praktika lokale nënkupton trajtim të barabartë njerëzor duke mos injoruar asnjërën gjini e cila jeton, kontribuon dhe merr shërbime në komunën e tij/saj. Politikat e mirëfillta gjinore në komunë do të kishin parë vajzat dhe gratë si pjesë të komunës duke mos i përjashtuar ato nga asnjë politikë lokale dhe nga asnjë projekt I cili planifikohet. Praktikat tona kanë treguar se projektet komunale nuk kanë ndjeshmëri gjinore, pra ato nuk u përgjigjen nevojave dhe kërkesave të grave dhe burrave njëlloj. Komunat kanë shumë mundësi për të avancuar agjendat e tyre në aspekt të integrimit gjinor. Një buxhet i planifikuar me ndjeshmëri gjinore, projekte të ndryshme të cilat u përgjigjen të gjithëve pa dallim, parandalim të ngacmimeve seksuale në vend të punës e në shkolla, kishin me qenë disa nga hapat urgjente që do të duhej komuna ti ketë në agjendat e tyre të përditshme.

Telegrafi: Pse sipas jush kemi nevojë për Barazi dhe Drejtësi për jetë të dinjitetshme?

Tringa Kasemi: Nuk mund të thuhet se jetojmë dinjitetshëm nëse nuk kemi Barazi e Drejtësi dhe nëse nuk trajtohemi të barabartë në shoqëri, pavarësisht identitetit gjinor dhe orientimit seksual, etnisë, besimit, etj. Për Barazi e Drejtësi kemi nevojë padyshim fillimisht për tu parë e dëgju, për trajtim njerëzor dhe jetë pa asnjë lloj të dhunës, e kjo na detyron të angazhohemi e aktivizohemi në përditshmëri, pa u kursyer, si shoqëri e si institucione bashkërisht dhe pa ndalur, sepse arritja e barazisë dhe drejtësisë nuk është çështje e njëhershme, por e përditshme dhe në çdo vend ku ndodhemi. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Trump po ‘harron’ që Harris është e martuar me një hebrenj - mundohet ta paraqes demokraten si antisemite

Trump po ‘harron’ që Harris është e martuar me një hebrenj - mundohet ta paraqes demokraten si antisemite

Amerika
Vesa Luma kritikon estradën për performancat në Sunny Hill: Nuk e kuptoj se si kolegët këndojnë 'playback' në skena të mëdha të festivaleve

Vesa Luma kritikon estradën për performancat në Sunny Hill: Nuk e kuptoj se si kolegët këndojnë 'playback' në skena të mëdha të festivaleve

Magazina
Policia e Shtetit publikon pamje se si 32-vjeçari në Durrës ua mori dy shtetasve varëset nga qafa, vihet në pranga

Policia e Shtetit publikon pamje se si 32-vjeçari në Durrës ua mori dy shtetasve varëset nga qafa, vihet në pranga

Lajme

"Heroi rus i luftës në Ukrainë" rrahet për vdekje në stacionin policor në Rusi

Evropa
E gjuajtën edhe në Kosovë, Bebe Rexha i drejtohet sigurimit në shqip që të mos e largojë fansin: Lëre lëre, është vetëm një bluzë

E gjuajtën edhe në Kosovë, Bebe Rexha i drejtohet sigurimit në shqip që të mos e largojë fansin: Lëre lëre, është vetëm një bluzë

Magazina
Barcelona do të detyrohet të paguajë më shumë se sa klauzola e lirimit për transferimin e Williams

Barcelona do të detyrohet të paguajë më shumë se sa klauzola e lirimit për transferimin e Williams

La Liga
Kalo në kategori