LAJMI I FUNDIT:

Shtyhet sërish seanca për masën e Berishës, Gjokutaj: Duan t’i djegin mandatin

Shtyhet sërish seanca për masën e Berishës, Gjokutaj: Duan t’i djegin mandatin

Seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha është shtyrë sërish në Gjykatën e Posaçme GJKKO.

Në përfundim të seancës, avokatët e ish-kryeministrit akuzuan gjykatën se po shtyn qëllimisht seanca për të djegur mandatin e Sali Berishës si deputet.


Avokati Genc Gjokutaj tha se seanca u shty pa asnjë shkak, duke bërë që të mos merrej parasysh autorizimi që Berisha të përfaqësohej në mungesë nga avokatët, si në të gjitha rastet e tjera.

“Ne sot kishim senacën e shtyrë nga seanca e kaluar me objekt revokimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” për zotin Berisha. Gjykata relatoi në seancë se zoti Berisha ka marrë dijeni, i është vënë në dijeni fletëthirrja. Dijenia e tij është shoqëruar me prokurorën me datën e sotme ku autorizon ne ta poërfaqësojmë në mungesë. Gjykata nuk e pranoi këtë arsyetim, ne e prisnim, pasi ky gjyq po zhvillohet jashtë asaj gjykate. Gjykata i ka vënë vetes qëllim të djegë mandatin e zotit Berisha dhe e shtyn sërish pa asnjë shkak ligjor duke patur të dokumentuar dhe dijeninë e zotit Berisha dhe autorizimin për t’u përfaqësuar në mungesë siç është përfaqësuar në të gjitha seancat e mëparshme”- tha Gjokutaj.

Ndërkohë që gjykata në arsyetimin e dhënë për shtyrjen e masës së sigurisë tha se Berisha kishte refuzuar të firmoste fletëthirrjen në gjykatë.

Seanca e radhës për ish-kryeministrin u caktua më datë 10 mars.

“Gjykata pasi kreu verifikimin e paraqitjes së palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht, kërkuesi/i hetuari Sali Berisha. Referuar akteve respektive të njoftimit të depozituara nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore, Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë, rezultoi se shtetasi nën hetim Sali Berisha, i cili ndodhet me masë sigurimi personal “arrest në shtëpi” kishte refuzuar të firmosë fletëthirrjen, dokumentuar nëpërmjet kopjes së saj, të kthyer në gjykatë, të nënshkruar nga specialistët e zonës. Gjykata ndonëse konstatoi refuzimin për të nënshkruar, e konsideroi njoftimin si të kryer. Pavarësisht dijenisë personalisht për datën dhe orën e zhvillimit të seancës së sotme gjyqësore, në kushtet që kërkuesi/i hetuari Sali Berisha ndodhet me masë sigurimi personal shtrëngues “arrest në shtëpi”, nuk rezulton vullneti i tij lidhur me të drejtën për të marrë pjesë në këtë gjykim ose jo, për sa kohë nuk mund të paraqitet si shtetas i lirë në gjykatë. Në këto kushte, Gjykata vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor dhe të shtyjë seancën për në datën: 08.03.2024, ditë e premte ora 09.00”, thuhet në njoftimin e GJKKO.