LAJMI I FUNDIT:

LVV-ja inicion shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal në Prishtinë

LVV-ja inicion shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal në Prishtinë
Foto: Arkiv

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në Prishtinë ka njoftuar se ka iniciuar mbajtjen e një mbledhje të jashtëzakonshme të planifikuar për datën 27 Shkurt 2024, me qëllim të procedimit të shkarkimit të kryesuesit aktual të Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajqinovci.

Siç bëhet e ditur në njoftimin zyrtar, LVV ka mbështetje për këtë lëvizje nga këshilltarë të Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës (AAK), një këshilltar nga Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe një këshilltar i pavarur.

Pëllumb Bajqinovci u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal në korrik të vitit të kaluar, pas shkarkimit të pararendësit të tij, të cilin opozita e ka etiketuar si të paligjshëm.


Ata argumentojnë se në atë proces nuk janë respektuar opinionet ligjore të Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) deklaroi tërheqjen nga koalicioni qeverisës me LDK-në në fillim të shkurtit, duke i lënë hapësirë formimit të një shumice të re në kuvendin komunal.

PDK akuzoi për moskoordinim dhe mostrajtim si partnerë në hartimin e agjendës dhe në vendimmarrjen e pikave për Kuvend Komunal, veçanërisht në mosmarrëveshjet rreth këmbimit të pronës private në zonën e mbrojtur në Badovc me pronën publike në lagjen “Prishtina e Re”.

Lëvizja e sotme nga LVV shpërndan sinjale të qarta se politika lokale në Prishtinë është në një pikë të rëndësishme ndryshimi.