LAJMI I FUNDIT:

UBT ndau çmimin e nderit “Leadership Excellence Award” për ish-presidentin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev

UBT ndau çmimin e nderit “Leadership Excellence Award” për ish-presidentin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev

Në bazë të vendimit të Këshillit Akademik, Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ndau çmimin e nderit “Leadership Excellence Award”, për ish-presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev.

Këshilli Akademik i UBT-së, në përputhje me propozimin e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Bullgari, Delfin Pllana, ka vendosur që ish-presidentit të Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev, t’i ndajë Çmimin Tradicional Honor Degree “Leadership Excellence Award” nga ana e Presidentit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi falënderoi ish-presidentin Plevneliev për kontributin e tij, lidershipin e treguar në konsolidimin e brendshëm socio-ekonomik, si dhe në avancimin e shtetit të së drejtës.

“Kemi kënaqësinë të kemi sot, ish-presidentin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, në UBT, për t’i dhënë çmimin e nderit “Leadership Excellence Award”, gradën më të lartë që ka UBT. Ndarja e këtij çmimi për ish-presidentin Plevneliev është edhe një mesazh për të nderuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në avancimin e shtetit të së drejtës dhe lidershipin e treguar në konsolidimin e brendshëm socio-ekonomik”, ka thënë Rektori Hajrizi.

Ish-presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev falënderoi UBT-në për nderimin me çmimin më të lartë universitar, si dhe theksoi se UBT prezanton institucionin më të mirë në Ballkan dhe më gjerë.

“Nuk i harroj ndjesitë e mia të para në Kosovë. Janë kujtime shumë të mira dhe të jashtëzakonshme. Kosova gjithmonë ka qenë në zemrën time. Një popull aq i mrekullueshëm, punëtor, pozitiv. Unë vij gjithmonë këtu me zemrën plot. Dhe këtu ndihem si në shtëpi, e dua Kosovën. Ju falënderoj për nderimin me çmimin më të lartë universitar, dhe ju prezantoni institucioni më të mirë në Ballkan”, u shpreh Plevneliev.

Zëvendësministrja e Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi vlerësoi lartë kontributin e ish-presidentit të Bullgarisë, Rosen Plevneliev, për Kosovën dhe mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin drejt liberalizimit të vizave.

Rosen Plevneliev në cilësinë e Presidentit ka ndikuar në stabilitetin global përmes qëndrimeve të cilat ai ka mbajtur në ruajtjen e paqes globale dhe promovimit të vlerave të përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Plevneliev ka luajtur rol vendimtar në ndërtimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bullgarisë, të cilat tashmë janë në nivel jashtëzakonisht të kënaqshëm dhe karakterizohen nga një vlerësim i dyanshëm i potencialit të madh që këto marrëdhënie të thellohen edhe më tej në të gjitha fushat, në veçanti në fushën e bashkëpunimit ekonomik.