LAJMI I FUNDIT:

Mashtronin të huajt përmes call centerave, tetë të arrestuar në Shqipëri

Mashtronin të huajt përmes call centerave, tetë të arrestuar në Shqipëri

Policia e Shtetit bën me dije se ka ndërmarrë një operacion për goditjen e mashtrimeve përmes Call-Centera-ve në Shqipëri.

Si pasojë e operaqcionit “World Clock”, u ndaluan shtetasit: Eni Sula, Emiljano Paja, Mario Sota, Erjon Hoxha, Alma Haruni, Saimir Brakaj, Fjoralba Hoxha dhe Erjona Murrizi.

Personat e ndaluar janë bashkëpronarë dhe punëtorë në 2 subjektet call center, të cilët dyshohet se i pastronin të ardhurat e përfituara nga mashtrimet, nëpërmjet bizneseve të tyre dhe të të afërmve.


Policia bën me dije se ka sekuestruar 13 500 euro, një automjet luksoz, prodhim i viteve të fundit, 75 laptopë, 25 kompjuterë, 35 celularë, 2 servera, 2 DVR dhe disa blloqe shënimesh, me emrat e shtetasve të mashtruar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

“Si rezultat i hetimeve të ndjekura për rreth 6 muaj, me metoda proaktive, nga strukturat e Policisë, në qendër dhe në qarqet Tiranë dhe Gjirokastër, në bazë të procedimit penal nr. 471, të vitit 2023, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “World Clock”.

Si rezultat i operacionit, u vunë në pranga shtetasit: E. S., 32 vjeç, banues në Tiranë, E. P., 28 vjeç, banues në Tiranë, M. S., 29 vjeç, banues në Tiranë, E. H., 23 vjeç, banues në Fushë Krujë, A. H., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, S. B., 35 vjeç, banues në Vlorë, F. H., 27 vjeçe, banuese në Tiranë dhe E. M., 26 vjeçe, banuese në Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, nëpërmjet 2 subjekteve ekonomike call center, të paregjistruara, në kryeqytet (me administrator shtetasin E. S. dhe me bashkëpronar shtetasin E. P.), mashtronin shtetas nga disa kontinente, kryesisht gjatë orëve të natës, që të investonin shuma të konsiderueshme parash, në tregje fiktive. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat që gjeneronin nga kjo veprimtari kriminale, këta shtetas i pastronin nëpërmjet bizneseve të tyre dhe të të afërmve”, njofton policia. /Telegrafi/