LAJMI I FUNDIT:

Murati më 1998: Duhet të përfundojë tmerri në Kosovë

Murati më 1998: Duhet të përfundojë tmerri në Kosovë
Ferid Murati duke pranuar çmimin Nobel për Mjekësi, nga mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf (Foto: Anders Wiklund, Stokholm 1998)

Telegrafi risjell intervistën e parë të Ferid Muratit (Murad, 1936-2023) për mediat shqiptare, pak kohë pas pranimit të çmimit Nobel për Mjekësi në vitin 1998. Intervista është botuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri” më 1998 dhe atë e ka realizuar korrespondenti i Zërit në Nju-Jork, Isuf Hajrizi (titulli origjinal i intervistës: Nobelisti shqiptar Ferit Murati, zbuluesi i viagrës).

***

Njëri nga tre fituesit e Çmimit Nobel në mjekësi këtë vit është biri i një emigranti shqiptar. Ferit Murati, i cili kryeson Departamentin e Biologjisë Integrative, Farmakologjisë dhe Fiziologjisë në Universitetin e Shkollës Mjekësore Texas Houston, e mori këtë titull prestigjioz për punën e tij me oksidin nitrik, i cili, ndër të tjera, rezultoi në zbulimin e ilaçit mjaft të popullarizuar kundër impotencës – Viagra.


Urime, këto ditë shqiptarët ndjehen krenarë për suksesin tuaj. Le të fillojmë me prejardhjen përpara se të kalojmë tek shkenca.

Babai im ishte shqiptar, ndërsa nëna amerikane nga Ilinois. Babai u largua nga Shqipëria kur ishte i ri, mund të ketë qenë 17-18 vjeç. Në atë kohë Shqipëria ishte e varfër dhe fatkeqësisht është edhe tash e varfër. Ishte shitës karamelesh në zonën mesdhetare të këtij shteti ballkanik dhe fitonte para për të mbajtur familjen. Ishte fëmija më i madh në familje, nëna i kishte vdekur kur ishte 12 vjeç. Sipas zakonit shqiptar, ai duhej të punonte dhe të sillte para për familjen dhe të ndihmonte për rritjen e fëmijëve tjerë. Dhe, këtë punë e bëri me nder. Më vonë emigroi në Evropë, dhe besoj se ka qenë diku në Austri para Luftës së Parë Botërore kur gjërat po ndryshonin. Pasi që takohet me një grup shokësh (disa ishin turq, të tjerët shqiptarë dhe grekë), të cilët po shkonin në Shtetet e Bashkuara, arriti në Amerikë. Zbriti në ujdhesën e emigrantëve, Elis Ajlënd në Nju-Jork, si shumë të tjerë në atë kohë. Emri i tij ishte Xhabir Murat Ejupi, nga Gostivari.

Nga Nju-Jorku shkon në fillim në Klivlend dhe punon në uzinat e çelikut dhe furrënaltat e qymyrgurit dhe pastaj shkoi për një farë kohe në Detroit. Vazhdon të lëvizë drejt Perëndimit, sepse miqtë dhe kolegët e tij ishin vendosur rreth zonës së Çikagos dhe aty jeton tërë jetën. Babai im ndoshta nuk kishte më shumë se një vit arsim. Si pjesë e Perandorisë Osmane, në të gjitha shkollat flitej turqisht dhe ai nuk mundi të fliste turqisht, gjë që e kishte mërzitur shumë atë dhe ishte detyruar të largohej nga shkolla dhe t’i vishej punës. Pasi që kishte udhëtuar nëpër Ballkan, kishte mësuar shumë gjuhë dhe kur vdiq ai dinte shqip, greqisht, turqisht, sllavisht dhe pak rumanisht, gjë e pabesueshme për një njeri pa shkollë. Ku erdhi në Shtetet e Bashkuara, babai kishte më shumë miq nga zona mesdhetare dhe mësoi edhe më tepër gjuhë. Si i ri, më kujtohet kur më merrte me vete nëpër kafenetë turke, ku takohej me shokët e tij, të cilët më mësonin edhe mua shqip dhe turqisht. Pata mësuar ca fjalë shqip, por tani i kam harruar. Isha i dhënë shumë pas shkencës dhe natyrisht nuk më mbetej shumë vend për të “strehuar” më shumë informacione. Futja e informacionit të ri, largonte nga kujtesa informacionin e vjetër, që në këtë rast ishte shqipja dhe turqishtja.

A keni mbajtur lidhje me ndokënd nga ana e babait tuaj?

E di se ka disa anëtarë të familje sonë në Shqipëri, por unë kam humbur kontaktet me ta për shkak të komunizmit. Në fakt, një nga të afërmit e mi që ishte më liberal qe arrestuar dhe vrarë. Ne kemi humbur kontaktet edhe me shumë të tjerë. Babai im kishte një vëlla, një motër dhe një xhaxha; të gjithë ata kanë fëmijë. Njohim shumë prej fëmijëve të tyre dhe disa prej tyre janë emigrantë në Çikago, disa emigruan në Vjenë dhe Gjermani. Kemi disa kushërinj dhe unë kam ruajtur lidhjet me disa prej tyre. Kam dy vëllezër të cilët mbajnë më shumë kontakte me kushërinjtë tanë. Unë e kam kaluar gjithë jetën duke studiuar dhe duke mësuar, kështu që nuk kam pasur kohë t’i vizitoj ata dhe të ruaj kontaktet me ta. Njëri prej tyre më telefonoi një natë më parë nga Vjena.

KUJTOJA SE NUK DO TË PUNOJA SA BABAI

Kur mësuam nga lajmet se kishte një shqiptar ndërmjet fituesve të Çmimit Nobel, ishim skeptikë, jo sepse shqiptarët nuk mund të fitojnë çmime të tilla të larta, Nënë Tereza ishte shembull për këtë … Megjithatë u bindëm shpejt se ishit vërtet shqiptar kur mësuam se kishit pesë fëmijë.

(Qeshet) Shqiptar ose katolik, apo jo? Megjithëse babai im ishte mysliman, ai nuk e praktikonte fenë. Nëna ime ishte baptiste nga Ilionisi dhe si i ri unë u rrita në Uardigën, Indiana, në një komunitet katolik. Pastaj isha shumë konfuz dhe nuk dija se çfarë isha sa i përket fesë.

Tash me siguri se jeni kthjellur nga ai konfuzitet?

(Qeshet) Jo, jam akoma konfuz. Mirëpo mendoj se di ta dalloj të mirën nga e keqja dhe ndershmërinë. Gruaja ime ishte presbitariane, kështu që fëmijët tanë janë kryesisht të tillë. Shkonim në kishë kur fëmijët ishin më të vegjël.

Kur morët vesh se kishe prirje për mjekësi?

E dija këtë gjë kur isha 8-9 vjeç dhe kjo për një arsye. Kjo ndoshta do të ishte diçka me interes për lexuesit tuaj. Nëna ime gjithashtu nuk kishte shkollë. Ajo shkoi në shkollë ndoshta disa vjet para sa ta braktiste arsimin. Unë isha i vetmi nga të dy anët e familjes që mbarova kolegjin dhe i dyti ose i treti që mbarova shollën e lartë. Prindërit e mi punonin shumë babai kishte një restorant të vogël në Indianën e Veriut dhe në Çikago. Duke vërejtur babanë sa punonte, i thosha vetes se nuk do punoj si ai dhe vendosa të bëhesha doktor. Por, isha gabim, sepse përfundova duke punuar edhe më shumë nga sa kisha menduar. Kur mbarova kolegjin, unë mendova se jo vetëm do të bëhesha mjek, por edhe shkencëtar. Shkova në Klivlend dhe në një program shtatëvjeçar mora masterin dhe doktoraturën. Rashë në dashuri me mjekësinë klinike dhe kërkimet shkencore. Kisha dy këshilltarë, për të cilët punoja dhe njëri prej tyre ishte Earl Sutherland, i cili ka marrë Çmimin Nobel për zbulimin e mekanizmit të veprimit të efekteve hormonale ndaj molekulave të vogla brenda në qeliza të cilat quhen “transmetuesit e dytë”.

Si praktikant, unë isha përfshirë në ato që quhen sinjalizime dhe sisteme transaksioni sinjalesh. Vendosa se ishte më mirë të kthehesha në të njëjtën fushë kërkimesh më pas, por vendosa se më duhej të interesohesha për transmetuesit e dytë dhe fillova të punoj me një molekulë tjetër. Isha shumë i interesuar në mënyrën e formimit të kësaj molekule dhe të qelizave, si dhe për atë se si punonin ilaçet te hormonet. Ne aksidentalisht gjetëm se komponime të tilla si nitroglicerina dhe ilaçet kardiovaskulare rrisin formimin e kësaj molekule të quajtur Cyclo GPM; kah mesi i viteve ‘70 të gjetëm mekanizmin e veprimit të nitroglicerinës dhe të këtyre komponentëve të tjerë dhe mekanizmin e tyre nëpërmjet krijimit të oksidit nitrik. Kuptuam se kishim zbuluar mekanizmin e veprimit të nitroglicerinës, e cila ka më së një shekull që përdoret për dhimbjet e gjoksit, por askush nuk e dinte se cili ishte efekti i saj në molekula.

Është interesante se fituesi i Çmimit Nobel e përdori të njëjtin ilaç, por nuk e pëlqeu, sepse shkaktonte dhimbje koke vaskulare dhe më vonë refuzoi ta marrë dhe në fund vdiq nga sulmi në zemër, që është një farë ironie, sepse e gjithë puna e tij sillej rreth nitroglicerinës; ai ishte sipërmarrësi që arkëtoi dhe e prodhoi atë. Është e pabesueshme që krijuesi i Çmimit Nobel vetë prodhoi nitroglicerinën në fabrikat e tij që na mundësoi që më vonë ta kuptojmë se si funksiononte ajo.

BIOLOGJIA E SHEKULLIT

Si ndodhi që ilaçi Viagra doli nga oksidi nitrik?

Ndodhi në mënyrë indirekte. Nga mesi i viteve 1970 ne e dinim se çdo komponent, çdo ilaç që do të rriste akumulimin e cyclo-GMP, qoftë oksid nitrik qoftë nitroglicerina ose ndonjë ilaç tjetër kardiovaskular ose ilaçe të tjera, që mbartnin degradimin në aktivizim, do të relaksonin muskujt. E dinim gjithashtu se kjo do të relaksonte ndoshta enët e gjakut. Mekanizmi për ereksion është relaksimi i enëve të gjakut. Në atë kohë ne nuk e kuptuam dobinë që kishte kjo gjë për impotencën. Bile bënim shaka në laborator se si ndoshta mund të prodhonim një kondom me oksid nitrik.

Oksidi nitrik qe shpallur “molekula e vitit” më 1992, por tashmë që ajo ka çuar në zbulimin e Viagrës, a do të pajtoheshit që ta emërojmë atë “molekula e shekullit?”

Ndoshta më mirë është të themi “biologjia e shekullit.” Më lejo të të them diçka që ta kuptosh këtë më mirë. Botimi ynë i parë për efektet e oksidid nitrik ishte ai i vitit 1977. Sot ka pothuajse 15 000 botime për këtë çështje, pra më shumë se në çdo fushë tjetër me sa di unë. Shumica e këtyre shkrimeve janë botuar në dhjetëvjeçarin e fundit. Sot ka pak fusha në biologji ku oksidi nitrik nuk luan njëfarë roli. Është e pabesueshme se si nuk ia kemi ditur vlerën këtij elementi më parë, që në realitet është përdorur aq shumë. Ne e kuptuam se kishim zbuluar këtë mekanizëm të relaksimit të muskujve nëpërmjet nitroglicerinës, për të cilën parashikuam se do të kishte efekte të tjera që do të ishin të rëndësishme për efektet hormonale. Nuk e kishim idenë që nga kjo do të zbulohej një ilaç kaq më rëndësi dhe i cili do të bëhej një gjë kaq e popullarizuar. Oksidi nitrik gjendet në tymin e makinave, në tymin e cigares dhe gjëra të tjera kombustile. Oksidi nitrik ka qenë problem për shumë vjet si ndotës në shtresën e ozonit. Pikërisht atje është vënë i gjithë theksi i kimisë. Askush nuk ka ëndërruar kurrë se oksidi nitrik, një substancë helmuese do të ishte një molekulë e rëndësishme në trup deri sa ne e zbuluam këtë fakt të rëndësishëm. Askush nuk na besonte në fillim. U deshën vite të bindej bota se zbulimi ishte interesant dhe i rëndësishëm.

Sa vite u deshën që zbulimi juaj të pranohej nga komuniteti shkencor si një zbulim madhor?

U deshën 7-10 vite. Sa herë që botohet një dorëshkrim në shkencë, shkencëtarët fillimisht e shikojnë me skepticizëm. Për ne u deshën 10 vjet deri sa komuniteti shkencor të thotë se ajo që kishim zbuluar ne meritonte respekt dhe se ishte diçka shumë e rëndësishme.

Meqenëse oksidi nitrik gjendet në tymin e cigareve dhe ju po thoni se ai ndihmon sistemin vaskular, a mund ta justifikojnë duhanxhinjtë vesin e tyre si diçka të dobishme, duke thënë se tymosja është e mirë për zemrën?

Unë nuk do të doja që ata të mendojnë kështu, sepse në duhan ka kaq shumë gjëra të dëmshme saqë përkundër anës pozitive të oksidit nitrik, në cigare ka qindra gjëra të tjera të këqija që janë të tmerrshme dhe shkaktojnë kancer dhe infeksion.

Përveç se oksidi nitrik shëron impotencën, a ka mundësi që ky element të kurojë ndonjë sëmundje tjetër në trupin e njeriut?

Natyrisht se po. Ai luan rol në agregimin dhe në mpiksjen e gjakut. Ai luan rol në sistemin nervor. Luan rol në kurimin e infeksioneve të bakterieve, viruseve dhe parazitëve. Luan rol në jashtëqitje. Lista është e gjatë. Siç thashë, ka pak fusha në biologji ku ai nuk luan rol. Për çdo fushë ku ju ta çoni mendjen, ai ndikon.

Si e ndiet veten kur morët vesh se kishit fituar Çmimin Nobel?

Isha shumë i entuziazmuar. Ishte ora katër e mëngjesit kur më thanë dhe gëzimi ende po vazhdon. Jam i sigurt se kjo gjendje do të vazhdojë një kohë të gjatë. Mendoj se unë nuk kam ndryshuar, pra nuk jam as më i mençur as më budalla sesa ishe javën e kaluar para se ta fitoja Çmimin, dhe se drejtimi i kërkimeve të mia nuk do të ndryshojë. Unë vazhdoj të punoj në këtë fushë dhe shpresoj se do ta kaloj gjithë jetën duke bërë hulumtime shkencore. Por, çmimi që kam fituar do të më mundësojë që të veproj kështu dhe të ndikoj në procesin e shkencës dhe të shëndetit mjekësor dhe sidomos të ndikoj tek të rinjtë që janë të interesuar të merren me shkencë. Njerëzit do të më dëgjojnë tani dhe kjo është një arritje e pabesueshme dhe shumë e këndshme.

PËR POPULLIN SHQIPTAR DO TA JEPJA DORËN E MAJTË

Po të mos ishte Viagra e lidhur me zbulimin tuaj, a mendoni se do të kishit marrë kaq shumë publicitet?

Sigurisht që Viagra e ka tërhequr edhe më shumë publikun. Njerëzit tash kuptojnë këtë ilaç që është ndër zbulimet më të mëdha përsa i përket tregut të shitjeve dhe fitimeve. Publiku është në dijeni të këtij ilaçi përmes botimeve më serioze deri te shakatë e Davit Lettermanit dhe Jay Lenos. Kështu, kur doli Viagra, njerëzit kishin njëfarë dijenie edhe për nitroglicerinën. Isha një natë më pas në një restorant dhe një xhentëlmen që ishte ulur në tryezën pranë, më njohu nga intervistat në televizor. Mu afrua duke ma dhënë dorën, nxori shishen me nitroglicerinë dhe më tha :”Faleminderit që zbulove efekte te kësaj”.

A ka ndryshuar jetën tuaj Çmimi Nobel, me përjashtim të vëmendjes së medias?

Oh, po. Fëmijët e mi nuk po mund ta besojnë, të afërmit miqtë, nipat e mi. Kushdo është gëzuar. Kam marrë telefonata nga Turqia dhe Egjipti për shkak të emrit tim mysliman. Do t’ua dija për nder nëse do të informoni për mua në Shqipëri. Do të doja gjithashtu të takohesha me komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju-Jork në të ardhmen.

Po qe se do të mund të sillja paqen për popullin shqiptar dhe Shqipërinë, do të jepja dorën time të majtë. Gjithë këto gjëra të tmerrshme që po ndodhin në Kosovë dhe në Ballkan, duhet t’u jepet fund. Në shkencë ka një gjë të bukur, atje nuk ka rëndësi se çfarë feje apo kombësie i takon nëse jeni shkencëtar i mirë, nëse doni njëri-tjetrin dhe e shprehni, bota do të duhej të jetonte në paqe.

Nuk e kam vizituar kurrë Shqipërinë, por nëse do të jem në gjendje ta vizitoj atë një ditë, do ta bëja këtë gjë me dëshirë. Por, do të doja ta vizitoja në momentin kur nuk do të ndjehesha i rrezikuar.

Do të doja gjithashtu t’u jepja një mesazh të gjithë emigrantëve të rinj dhe njerëzve të varfër që duan të përparojnë, ashtu siç kam bërë edhe unë. Ky vend (Amerika) është i mrekullueshëm dhe nëse punoni me zell, motivoheni dhe arsimoheni, mund të arrini gjithçka. Sa i përket komunitetit shqiptar, kur të takohemi, fatkeqësisht nuk do të jem në gjendje të flas shqip, por ju premtoj se do të mësoj disa fjalë deri atëherë. Si thua? /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
KANGË

KANGË

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
DURIMI

DURIMI

Fjala+
Kalo në kategori