LAJMI I FUNDIT:

Ukrainasit godasin me dron një ndërtesë në Moskë, autoritetet ruse ndërprenë trafikun ajror

Ukrainasit godasin me dron një ndërtesë në Moskë, autoritetet ruse ndërprenë trafikun ajror

Një dron ukrainas u përplas në një ndërtesë në qendër të Moskës sot pasi u qëllua nga mbrojtja ajrore ruse, duke ndërprerë trafikun ajror në të gjitha aeroportet civile në kryeqytetin rus, thanë zyrtarët e këtij vendi.

Një dëshmitar i Reuters që ishte në zonë, përshkroi se kishte dëgjuar një shpërthim të fortë. Fotografitë tregojnë punëtorët dhe punonjësit e urgjencës duke inspektuar çatinë e dëmtuar të ndërtesës së goditur nga droni, transmeton Telegrafi.


Ministria ruse e Mbrojtjes dhe kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, thanë se nuk kishte viktima pasi mbrojtja ajrore shkatërroi një dron që më pas u rrëzua në ndërtesën e Qendrës Expo në Moskë të premten herët në mëngjes.

Vazhdojnë sulmet mbi Moskë, droni i ukrainasve godet një ndërtesë në qendër të qytetit – publikohen pamjet në rrjetet sociale
Lexo po ashtu Vazhdojnë sulmet mbi Moskë, droni i ukrainasve godet një ndërtesë në qendër të qytetit – publikohen pamjet në rrjetet sociale

Expo Center është një grup pavionesh ekspozitash dhe sallash me shumë qëllime të vendosura më pak se pesë kilometra nga Kremlini.

Trafiku ajror u pezullua për pak kohë në katër aeroportet kryesore rreth kryeqytetit rus – Vnukovo, Domodedovo, Sheremetyevo dhe Zhukovsky. Agjencia ruse e transportit ajror tha se shtatë fluturime ishin devijuar në aeroporte alternative.

Sulmet ajrore me dron thellë brenda Rusisë janë shtuar që kur një dron u shkatërrua mbi Kremlin në fillim të majit. Zonat civile të kryeqytetit u goditën më vonë në maj dhe distrikti i biznesit të Moskës u shënjestrua dy herë në tre ditë në fillim të këtij muaji. /Telegrafi/