LAJMI I FUNDIT:

ARMIKU ZEMËRGJERË

ARMIKU ZEMËRGJERË

Nga: Jorge Luis Borges
Përktheu nga anglishtja: Besnik Hamiti

Në vitin 1102, Magnus Barfod u nis të pushtojë të gjitha mbretëritë irlandeze; thuhet që në vigjilje të vdekjes së tij, ai kishte marrë një përshëndetje nga Muirchertach-u, mbret në Dublin:
Ari dhe shtrëngata luftofshin në anën tënde, Magnus Barfod.
Beteja jote u puqtë me fatin, nesër, në fushat e mbretërisë sime.
Duart tua mbretërore le të godasin frikshëm, duke thurur rrjetin e shpatës.
Mish për mjellmën e kuqe u bëfshin ata që çojnë dorë kundër shpatës tënde.
Perënditë e shumta tuat të ngopshin me lavd, të ngopshin me gjak.
Fitimtar të zbardhtë agimi, mbret që shkel tokën e Irlandës.
Dita e nesërme shkëlqeftë më së ndritshmi nga gjithë ditët tua.
Sepse do të jetë e fundit për ty. Ta jap besën, Mbret Magnus.
Se pa u venitë drita e saj, kam me të mujtë e me të shue, Magnus Barfod.

Nga: Anhang zur Heimskringla të H. Gering (1893)