LAJMI I FUNDIT:

ATK prezanton 10 datasete me të dhëna të hapura

ATK prezanton 10 datasete me të dhëna të hapura

Administrata Tatimore e Kosovës e mbështetur nga Programi i USAID-it për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, përmes një tryeze diskutimi ka promovuar të dhënat e hapura, të publikuara në faqen zyrtare https://www.atk-ks.org/open-data/.

Kjo tryezë kishte për qëllim të shërbejë si platformë për eksplorim të grupeve të të dhënave (datasete) tanimë të publikuara nga ATK-ja, për të ilustruar se si këto të dhëna mund të përdoren për t’i kuptuar më mirë trendet e ekonomisë në Kosovë, por edhe për t’i informuar politikat e ekonomisë në të ardhmen.

Drejtori Ekzekutiv i ATK-së, Ilir Murtezaj tha se hapja e të dhënave nga Administrata Tatimore është një hap i rëndësishëm drejt transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.


“Datasetet publike që janë bërë të qasshme, kanë sjellë shumë avantazhe për palët e interesuara. Qëllimi i kësaj nisme (Open Data) është rritja e transparencës, përmirësimi i recepcionit të publikut për institucionin e ATK-së.

Veç kësaj shkas i kësaj iniciative është edhe Plani për Përmirësimin e Integritetit të ATK-së, në të cilin plan ndër aktivitetet qe janë planifikuar te zhvillohen është edhe publikimi i të dhënave, si dhe kërkesat e shumta që vijnë nga organizatat të ndryshme nga vendi dhe jashtë”, deklaroi ai.

Murtezaj tutje bëri të ditur se ATK deri më tani ka hapur dhjetë datasete, si: të hyrat tatimore në të cilat mund t’i gjejnë të dhënat e specifikuara sipas katalogut të paraparë në këto kategori: pagesat për vit, muaj, statusi i regjistrimit, numri i tatimpaguesve, përshkrimi i sektorit, sipas komunave, si dhe lloji i formularit të deklarimit.

“Më pas kemi qarkullimin e bizneseve në të cilin janë të ndara të dhënat e qarkullimit të bizneseve për vit, muaj, sektor, komunë, status i biznesit, numri tatimpagueseve dhe qarkullimi në euro, gjobat nga raportimet e qytetarëve, arkat fiskale, deklarimin, numri i punëtorëve (numri i vendeve të punës),  numri i punëtorëve-IP (sipas ID personale), pagesat sipas periudhës, rimbursimet dhe  regjistri aktiv”.

E nga ana tjetër, Dardane Peja përfaqësuese nga Programi i USAID për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, tha se do të vazhdojnë ta mbështesin ATK-në edhe në të ardhmen.

Tutje, ajo deklaroi se gjatë vitit të kaluar, USAID përmes programit ka dizajnuar dhe ka lansuar iniciativën për të dhënat e hapura.

“Kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm në ndërtimin e cilësimit publik përmes rritjes së transparencës dhe llogaridhënies”, u shpreh Peja. /Telegrafi/