LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Policia nuk ka nevojë të qëndrojë në objektet komunale

Haradinaj: Policia nuk ka nevojë të qëndrojë në objektet komunale

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj e ka cilësuar prezencën e Policisë së Kosovës si një “të palogjikshme”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka deklaruar se Policia e Kosovës e Njësiti Special në kuadër të saj, nuk kanë nevojë të qëndrojnë në objektet komunale.

Në një intervistë në RTV Dukagjini, Haradinaj e ka cilësuar prezencën e tyre si një “të palogjikshme”.


“Policia e Kosovës ka detyra bazuar në ligjin në gjithë Kosovën. Por nuk ka nevojë të qëndrojë në objektet komunale, s’ka nevojë të qëndrojë njësia special në objekt të komunës. Ka kampet e veta, bazat e veta, ka pikat e veta të kontrollit ku i vlerëson. Nuk është e logjikshme në demokraci të qëndron njësia special në objekt të komunës”, ka thënë Haradinaj.

I pyetur për “ankesat e Kurtit” për qëndrimin e ndërkombëtarëve, Haradinaj ka deklaruar se Kryeministri Kurti nuk ka pse të merret me Sekretarin e Shtetit, Blinken dhe Borrell.

“Së pari, Kurti gabon që merret me Borrellin e me Lajçakun. Ata janë pjesë e një procesi më të madh por ju e dini se kush është përgjegjës për një proces të tillë, kaq serioz në Ballkan. Është Amerika. Ai s’ka nevojë fare të merret me ta, ata e kryejnë pjesën e vet, lehtësimin se janë lehtësues por e ka thirrur Blinkeni, lëre Borrelin më? Pse po merresh me të?”, ka deklaruar ai.

Haradinaj theksoi se mënyra e veprimit të kreut të ekzekutivit mbetet “e pakupimtë” dhe “pa logjikë”. Ai thekson se Kurti nuk do mund t’i zgjedhë çështjet e sigurisë pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar që nga 26 maji, me ardhjen në pozitë të kryetarëve të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Që atëherë, serbët kanë mbajtur protesta.