LAJMI I FUNDIT:

Merr ide nga ky libër dhe përjetësoi gjërat dhe fenomenet ashtu siç janë

Merr ide nga ky libër dhe përjetësoi gjërat dhe fenomenet ashtu siç janë
Bajram Mjeku

Ese i shkurtër për librin interesant “1981 (vidhe këtë libër)” i publicistit Agron Shala i botuar dhe i promovuar në shkurt të vitit 2023 nga Klubi Letrar “De Rada” në Ferizaj.

Nga: Bajram Mjeku

Në vitin 1985, në ballinën e të përdyjavshmes për kulturë, art e letërsi “Fjala”, lexova një poezi antologjike dhe jo të zakonshme për kohën dhe regjimin kur jetonim. E veçanta e asaj poezie ishte se autorja ishte femër dhe kisha ndjesinë se autorja e poezisë antologjike, Mimoza Ahmetaj, është kosovare! Më vonë kuptova se ajo ishte një poete e re nga Tirana dhe rebelimi i saj gjasonte me rebelimin e brezit tim mbas Pranverës së vitit 1981. Sot, nga një distancë e largët kohore, rebelimi andej e këndej kufirit na bashkonte me regjimin nën tutelën e të cilit jetonim dhe ai ishte komunizmi. I vetmi dallim ishte se andej kufirit ishte stalinizëm dhe këndej titoizëm!


Në janar të këtij viti, përmes postës elektronike miku im dhe publicisti Agron Shala më nisi dorëshkrimin e këtij libri që ta lexoja, duke e patur në konsideratë ndjesinë time për periudhën që ai shkruan. Dorëshkrimi më pëlqeu jashtëzakonisht shumë dhe krejt në fund do të vija në përfundim se ndoshta të dëshpëruar me vërshimën e botimit të librave nga autorë të ndryshëm shqiptarë, të cilët për mungesë durimi për t’ia dhënë dorën e fundit, jo rrallë na kanë dëshpëruar deri në masën sa të heqim dorë së lexuari librat e tyre. Bota ka ndryshuar shumë e bashkë me të edhe qasja ndaj librit. Autorë të mëdhenj botërorë, përfshirë këtu edhe përkthyesit brilantë shqiptarë, jo rrallë dhe pahetueshëm na imponojnë t’i braktisim krijuesit tanë sado të pakët, të cilët meritojnë të lexohen. Kështu, në mesazhin tim si përgjigje autorit të këtij libri përmes postës elektronike, pata shkruar se “fare pak ia vlenë të jesh intelektual, po nuk pate guxim qytetar. Agron Shala përmes këtij libri, provoi që shqiptarin ta zhvesh nga mitet e legjendat dhe ta portretojë origjinalitetin e tij ashtu siç është në shoqërinë tonë, i cili në njëfarë mënyre është në krizë të identitetit në kohën kur jetojmë. Gjërat duhet t’i themi guximshëm dhe pa komplekse sado të dhimbshme janë ato, ndryshe vazhdojmë të vërtitemi në pellgun e miteve dhe legjendave dhe më larg realitetit urban. Mesazhin e librit ‘1981 (vidhe këtë libër)’, lexuesit do t’ia transmetoja; merr ide nga ky libër dhe përjetësoi gjërat dhe fenomenet ashtu siç janë dhe siç frymojnë në mesin tonë!’. Libri i fundit “1981 (vidhe këtë libër)” i Agronit, imponon mendimin se ka autorë shqiptarë që meritojnë të lexohen dhe të merresh seriozisht me qasjen e tyre, pavarësisht zhanrit letrar që ata shkruajnë.

Libri “1981 (vidhe këtë libër), për mendimin tim është një triptik brenda të cilit trajtohen tri fenomene kryesore gjatë periudhës së viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar dhe ato janë; të gjitha të vërtetat dhe misteret rreth ngjarjeve të Pranverës studentore të vitit 1981, pastaj fryma e rockut që më në fund kishte nisur të lulëzonte edhe në Kosovë, si dhe poezia që shpërthyen me kthesa të konsiderueshme në hapësirën kosovare. Segmenti i fundit ishte fryma iluministe që po mirrte konsiderueshëm hov nga brezi studentor i këtyre viteve. Vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar kishin tejkaluar smirën dhe urrejtjen brendashqiptare dhe ato u transformuan në nxitje krijuese në kulturë, art, letërsi, por edhe në politikë.

Në një ese timin kohë më parë, pata shkruar se shkrimtari i shquar çek dhe ndër më të mirët e Evropës, Milan Kundera, gjithë krijimtarinë e tij letrare e ka ngritur mbi “bazamentet” e nostalgjisë. Kundera, edhe kur shkruan për mëngjesin e hershëm të 21 gushtit të vitit 1968, kur tanket ruse vërshuan në sheshet dhe bulevardet e Pragës, shkruan me njëfar nostalgjie përzier me trishtim, pasi fundja shkelja e trupave dhe shpirtit liridashës çek, edhe nuk mund të portretizoheshin ndryshe. Dhe, Agroni në kapitullin e dytë të librit të tij me të njëjtën ndjesi trishtimi thotë: E enjte, 2 prilli i vitit 1981. Nëpër rrugën që ndan lagjen ‘Lakrishte’ me lagjen ‘Dardania’ në Prishtinë; në rrugën e dikurshme ‘Lenini’ të kryeqytetit të asaj që dikur e quanim Krahina Socialiste Autonome e Kosovës (KSAK, që dikur ishte njësi federative në RSFJ – parakalojnë tanket e Armatës Popullore Jugosllave (APJ). Sipas moshës kalendarike, isha katër vjeç. Në aspektin psikologjik, në ato momente unë linda. Diçka si ai Abbie Hoffman (1936-1989), autori i veprës ‘Vidhe këtë libër’, i botuar më 1971…

Edhe publicistin Agron Shala në librin “1981 (vidhe këtë libër)” e përcjell njëfar nostalgjie përzier me trishtim. Ai si fëmijë fare i njomë dhe sapo truri i tij i ka kapur sekuencat e para të kujtesës, kujton trishtueshëm hyrjen e tanksave të ushtrisë jugosllave në sheshet e Prishtinës në prillin e vitit 1981. Dhe, libri i Agronit të bën për vete që në fillimit dhe të imponon ta lexosh me një frymë, pasi lexuesi mund të gjej veten brenda tij, më saktë të gjithë brezat që përvijuan këtë periudhë të rëndë që nga atëherë e deri vonë. Për kohën që shkruan Agroni, rockerët kosovarë kishin nisur të bëheshin të famshëm, të rinjët që kishin filluar të futeshin në politikë po dyndeshin në burgjet serbe të kohës, derisa poetët njësoj si rockerët kishin trajtim të veçantë në shoqërinë kosovare.

Agroni në “triptikun” e tij, tërheq paralele interesante, gjithmonë duke i argumentuar ato me fakte historike. Ai ka aq shumë informacione për të gjitha fenomenet historike dhe sociologjike, jo vetëm të shoqërisë shqiptare dhe i argumenton aq ndjeshëm e fuqishëm, sa vjen një moment dhe mbetesh i nemitur. Në librin “1981 (vidhe këtë libër)”, Agroni për herë të parë dhe guximshëm tërheq paralele serioze, të guximshme dhe të pathëna deri tash për Pranverën studentore të vitit 1981 e më pas. Si asnjëherë më parë, intelektualit kosovar i ka munguar jo vetëm guximi intelektual, por ai më i zakonshmi, guximi qytetar. Agron Shala i disponon që të dyja dhe këto ”rekuizita” i përdor edhe faktueshëm, edhe guximshëm.

Libri “1981 (vidhe këtë libër) i Agron Shalës është i sistemuar në katërmbëdhjetë kapituj dhe secili nga ata ruan kompozicionin unikat nga njëri-tjetri. Përveç temave historike e kulturore të shqiptarëve përgjatë periudhave të ndryshme, ai trajton edhe tema sociologjike e psikologjike, të cilat e kanë ndjekur fatin e njeriut tonë në hapësirë e kohë.

Ky libër të tërheq së lexuari edhe për faktin se Agroni është edhe krijues i rockut. Gjatë leximit, ke ndjesinë sikur je duke dëgjuar një recital të një poeti të madh i përcjellë nën tingujt e kitarës … /Telegrafi/