LAJMI I FUNDIT:

Osmani takohet me kancelarin Scholz dhe presidentin Steinmeier, diskutojnë për situatën në veri

Osmani takohet me kancelarin Scholz dhe presidentin Steinmeier, diskutojnë për situatën në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është duke qëndruar në Berlin të Gjermanisë ku ka qenë prezentë në hapje të Lojërave Botërore të Olimpiadës Speciale.

Në margjinat e kësaj, Osmani është takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz me të cilin kanë diskutuar për situatën aktuale në Kosovë, dhe hapat e mëtutjeshëm.

“Në Berlin, në margjinat e SOWG Berlin2023, pata rastin të kem një shkëmbim me kancelarin Olaf Scholz ku diskutuam për hapat e nevojshëm përpara. Shpreha vlerësimin për Gjermaninë, mbështetjen dhe qëndrimin e qartë për lirimin e menjëhershëm të policëve tanë”, ka thënë Osmani.


Osmani gjithashtu është takuar edhe me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Të dy kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe raportet mes dy vendeve.

“Pata rastin të diskutoj për zhvillimet e fundit në Kosovë me presidentin e Gjermanisë, Steinmeier. Në frymën e marrëdhënieve të mëdha me Kosovën, Gjermia konfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshme në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal”, ka shkruar Osmani.

Rasti me tre policët e Kosovës po ndodh në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët. /Telegrafi/