LAJMI I FUNDIT:

Petrovska në Bruksel: Implikimet financiare për mbrojtje nuk janë shpenzime, por investime

Petrovska në Bruksel: Implikimet financiare për mbrojtje nuk janë shpenzime, por investime

“Implikimet financiare në buxhetin e mbrojtjes nuk duhet të shihen si shpenzime, por më tepër si një investim në mbrojtje, sepse rrethanat që ne i shohim të gjithë sot, ajo që po ndodh në tokën evropiane tregojnë se ne të gjithë duhet të rrisim investimet në mbrojtje”.

Këtë e tha ministrja e Mbrojtjes e RMV-së, Slavjanka Petrovska pas takimit të sotëm të Këshillit Veriatlantik të NATO-s në Bruksel.


Tema e takimit të sotëm, siç informoi Ministria e Mbrojtjes, ishte forcimi i mbrojtjes, financimi i qëndrueshëm dhe konfirmimi i unitetit rreth mbështetjes për Ukrainën.

Petrovska theksoi se një nga temat kryesore të takimit të djeshëm dhe të sotëm ishte nevoja që të ndahen së paku dy për qind nga bruto-produkti i brendshëm për mbrojtje, vendim që duhet të merret në Samitin e NATO-s në Vilnius muajin e ardhshëm.

Siç njoftoi ajo, diskutimi për vendosjen e kriterit për investimin minimal prej 2 për qind të PBB-së për mbrojtje do të vazhdojë deri në Samitin e NATO-s në Vilnius. Këtë vit, Maqedonia e Veriut ndan 1,85 për qind të PBB-së për mbrojtjen, dhe niveli prej 2 për qind të PBB-së do të arrihet tashmë vitin e ardhshëm./Telegrafi/